Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Për një muaj, një shkollë e Sllatinës me 14 nxënës më pak. Ekspertët alarmojnë për pasoja nga migrimi

Për një muaj, një shkollë e Sllatinës me 14 nxënës më pak. Ekspertët alarmojnë për pasoja nga migrimi

Vetëm gjatë një muaji, 14 nxënës kanë lënë një shkollë të Fushë-Kosovës, meqë bashkë me familjen kanë migruar në Perëndim. Largime janë evidentuar edhe në shkolla të tjera të kësaj komune e edhe në kryeqytet. Psikologë e sociologë thonë se largimi lë pasoja si te nxënësit që migrojnë, ashtu edhe tek ata që mbeten.

Për një muaj, kanë emigruar jashtë vendit 14 nxënës të shkollës fillore “Bajram Curri” të Sllatinës së Madhe.

Fidan Hasani është drejtor i shkollës dhe tregon se ata morën dokumentet, dhe u larguan për bashkim familjar në Gjermani. E, arsyet ekonomike thotë të mos jenë të vetme që i bëjnë njerëzit të largohen.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kam biseduar me prindërit ndoshta mund të jetë edhe kujdesi shëndetësor, e përmendin këtë. Natyrisht, kushtet financiare pak më të mira atje, por jo çdo nxënës shkon me dëshirë atje. Pra është pak edhe, le të themi kushtimisht, e imponuar”, ka thënë Hasani.

Largimet e këtilla nuk janë të reja në këtë shkollë. Por, drejtori Hasani thotë se kurrë nuk kanë ndodhur më të numërta sesa këtë vit. Më 2025-n, edhe 7 nxënës të tjerë ishin larguar.

Ai thotë se nuk është e lehtë të përcillen nxënësit nga shkolla.

“Nuk është ndjenjë e mirë, nuk është gjë e mirë, mirëpo nuk është diçka që mund të ndikojmë ne”, ka deklaruar Hasani.

Largimi i nxënësve për qëllim migrimi jashtë, ka ndodhur edhe në shumë shkolla të tjera të Fushë-Kosovës.

Nga shkolla fillore e mesme e ulët “Mihal Grameno”, nga janari deri në maj kanë emigruar 13 nxënës, e gjatë 2025-s, 19.

Edhe nga shkolla fillore e mesme e ulët “Vëllezërit Frashëri” në Miradi të Poshtme, janë larguar 6 nxënës.

E në Komunën e Prishtinës bënë të ditur se 28 nxënës janë në pritje për dokumentacion për dalje jashtë vendit.

Ministria e Arsimit nuk ka ofruar të dhëna për shkallën e migrimit të nxënësve në nivel të Kosovës.

E, ky migrim lë pasoja te fëmijët.

Sociologu Genc Xërxa thotë se kur një fëmijë shkon në një vend tjetër për ta vazhduar shkollimin e jetën, përpos traumës, ai përballet edhe me sfidën e adaptimit.

“Në disa raste, nëse nuk marrin përkrahje apo sugjerime të ndryshme psikologjike, mund të lënë pasoja në të ardhmen në mendësinë apo në shëndetin e tyre mendor të fëmijëve të cilët ndryshojnë vendin apo migrojnë”, ka thënë Xërxa.

E, psikologia Mirjeta Pestisha thotë se emigrimi i fëmijëve përpos që ndikon tek ata individualisht, pasoja lë edhe te shoqëria dhe i gjithë institucioni, meqë fëmijët kanë predispozitë të krijojnë lidhje të forta emocionale me shokët dhe shoqet e klasës.

“Kur një numër i konsiderueshëm nxënësish largohet brenda një kohe të shkurtër, shumë fëmijë përjetojnë, trishtim dhe pasiguri. Për disa prej tyre, shkolla mund të mos ndihet më e njëjtë. Në aspektin mësimor, largimi i nxënësve mund të ndikojë në dinamikën e klasës, në motivimin për të mësuar dhe në atmosferën e përgjithshme të procesit edukativ”, është shprehur Pestisha.

Ajo thotë se në aspektin social, fëmijët humbin figura të rëndësishme të përditshmërisë së tyre. Po ashtu, thekson se ata e humbin edhe rëndësinë e shkollës, duke e parë si më pak të sigurt dhe seriozisht.

Psikologia Pestisha thotë se shkolla mund të ndihmojnë nxënësit të përballojnë më lehtë pasojat emocionale dhe sociale, ndër të tjera, edhe duke organizuar biseda dhe aktivitete mbështetëse me nxënësit.