Gjithsej 1 mijë e 268 raste të dhunës në familje janë regjistruar në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Bazuar në të dhënat e Policisë, numrin më të lartë të viktimave në këto raste e përbëjnë gratë. E sociologu Gent Xërxa, rastet e këtilla i ndërlidh me agresivitetin e shfaqur si pasojë e gjendjes së rënduar ekonomike, por edhe me faktorin psikologjik që burimin e kanë në luftën e fundit apo edhe në pandemi
Mbi 1 mijë e 200 raste të dhunës brenda familjes i ka të evidentuara Policia e Kosovës në raportet për periudhën gjashtëmujore të këtij viti.
Pjesën më të madhe të viktimave, sipas të dhënave të Policisë, e përbëjnë gratë.
“Gjatë periudhës janar-qershor të vitit 2023 janë evidentuar 1.268 raste ‘Dhunë në familje’. Në këto raste kanë qenë 1.324 viktima (në një rast mund të ketë më shumë se një viktimë). Numri i viktimave sipas gjinisë: 1.029 kanë qenë femra dhe 295 meshkuj”, kanë thënë në Policinë e Kosovës.
Një ditë më parë, një rast dhune është kthyer në tragjedi për një familje. Tre anëtarë të një familjeje në fshatin Rufc të Lipjanit kanë vdekur, pasi janë qëlluar me armë zjarri.
Sipas dyshimeve të para, burri ka qëlluar me armë zjarri bashkëshorten dhe djalin me të meta mendore, përpara se të vetëvritej.
Në prill pati ndodhur një tjetër rast i rëndë i dhunës në familje, kur djali vrau nënën në Pejë.
Sociologu Gent Xërxa i ndërlidh rastet e tilla me sjelljet agresive që shpërfaqen si pasojë edhe e gjendjes së rënduar ekonomike.
“Kur një familje nuk mund të realizojë synimet e veta, e ka një mirëqenie të rënduar, atëherë aty lajmërohen pakënaqësi të ndryshme mes anëtarëve të familjes ku nuk mund t’i realizojnë qëllimet e tyre, dhe lehtë mundet që një keqkuptim i vogël të shpërfaqet si një xixë apo shkëlqim që mund të çojë deri te shfaqja e dhunës. Pastaj kur të shfaqet dhuna ajo mund të ekzagjerojë dhe mund të mos arrihet të privohet apo të kontrollohet e deri te pasojat e ndryshme fatale”, ka thënë Xërxa.
Krahas faktorit ekonomik, ky sociolog thotë se në rastet e dhunës në familje ndikim të theksueshëm ka edhe shëndeti mendor.
“Edhe pse kemi dalë 20 vjet pas luftës, sipas disa statistikave psikologjike ato mund të shfaqen edhe pas 20 vjetësh, ato pasojat, traumat, ato përjetime traumatologjike të cilat i kemi përjetuar gjatë luftës. Pastaj kemi edhe kohën post-pandemike që e patëm Covid-19. Ajo ka lënë pasoja. Izolimi, një mirëqenie e rënduar, një shtrenjtim apo edhe mos të themi një pasiguri për të ardhmen tonë nga virusi i cili ishte njëfarë kohe, edhe i padukshëm, edhe i pazbuluar deri në atë kohë”, ka theksuar ai.
Raste të shpeshta të dhunës në familje janë shënuar edhe gjatë vitit të shkuar. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, më 2022 janë shënuar gjithsej 2 mijë e 746 raste të këtilla.