Adelina Tërshani, koordinatore e Rrjetit të Grave të Kosovës, ka thënë se marshi i sotëm kundër vrasjeve të grave është organizuar pasi është parë shumë urgjente të trajtohen këto vrasje, për të cilat sipas, nuk po merret përgjigje institucionale.
E ftuar në 60 Minuta të KTV-së, Tërshani tha se me organizimin e këtyre marsheve po tregohet se fokusi nuk është më në fushat për çka edhe ka filluar 8 Marsi për të drejtat e grave punëtore, por te një e drejtë shumë bazike që po shkelet në Kosovë.
“Gjendja është shumë alarmante fatkeqësisht. Ne çdo vit tentojmë si kolektiv të shohim se cila është gjendja faktike e grave në shoqëri dhe përmes saj të dimë më pas për të adresuar përmes këtij marshi tradicional, i cili organizohet për 8 mars. Këtë herë e kemi parë si shumë urgjente të trajtojmë vrasjet ndaj grave pasi që nuk po merret përgjigje dhe po përfundojnë si të tilla për shkak të përgjigjes së dobët institucionale dhe kjo e shpërfaqë atë që fokusi nuk është më në fushat e tjera e besa edhe me atë se si ka filluar 8 marsi me të drejtat e grave punëtore, por tashmë jemi te një e drejtë shumë bazike që po shkelet në Kosovë, e që është e drejta për jetë”, ka thënë ajo. “E kemi nis këtë vit me një vrasje të një gruaje vetëm 5 ditë pasi hymë në këtë vit, kjo ka qenë shqetësuese sepse trendi ndaj vrasjeve të tilla për shkak se janë gra dhe janë të pafuqishme si ekonomikisht edhe në fushat tjera, prandaj slogani kryesor ka qenë edhe kundër vrasjeve ndaj grave dhe kemi marshuar”, ka shtuar Tërshani.
E ftuar në këtë emision ishte edhe Saranda Krasniqi nga Organizata “You Can Do”, e cila foli për protestën e organizuar për gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara, të cilat sipas saj janë të diskriminuara qysh nga familja, shoqëria deri te institucionet publike dhe private.
“Ne e kemi zhvilluar protestën për t’iu treguar të gjithëve që gratë me nevoja të veçanta janë të barabarta me ne dhe duhet të trajtohen si të tilla. Organizata jonë qëllim kryesor e ka vetëdijesimin dhe integrimin e njerëzve me nevoja të veçanta në shoqëri. Të drejtat e tyre në vendin tonë thuajse nuk zbatohen fare, po shpresojmë që vendimi që ka marrë tani kryeministri për personat me nevoja të veçanta të hyjë në fuqi dhe të njihen të drejtat e grave, aktualisht janë në një gjendje, për të mos thënë të mjerueshme, respektohen pak. Diskriminimin ndaj grave dhe vajzave me nevoja të veçanta fillon qysh nga familja, në rrethin shoqëror e fatkeqësisht edhe në institucionet publike dhe ato private, sidomos në fushën e punësimit janë shumë të anashkaluara”, ka thënë ajo.
Për marshin e përvitshëm, Tërshani tha se ndonëse ka vite që organizohet, mendimi i përgjithshëm në publik vazhdon të jetë që gratë dalin të protestojnë dhe të bërtasin, andaj nevojitet që sa më shumë njerëz të mbështesin këtë marsh.
“Edhe pse marshi organizohet për rreth 7-8 vite, mendimi në përgjithësi i publikut është që dalin gratë dhe vajzat protestojnë dhe bërtasin. Në pikën që jemi neve na duhen aleatë për ta çuar kauzën përpara”, ka thënë ajo.
Ndërsa, Krasniqi tha se ideja e kësaj organizate është që familjet t’i pranojnë fillimisht gratë dhe vajzat me nevoja të veçanta.
“Si organizatë që jemi merremi shumë edhe me trajnime që mbahen nga kjo kategori. Një nga gjërat që i bëjnë disa nga familjarët është ndërprerja e shkollimit, pastaj është hapësira që nuk iu lejohet ta shprehin lirshëm mendimin. Ne kemi bërë disa hulumtime ku kemi arritur të shohim se kjo kategori nuk shkollohet për shkak të kushteve ekonomike, më pas është edhe të mos paragjykohen nga rrethi dhe shoqëria”, është shprehur ajo.
Si Rrjet i Grave, Tërshani thotë se mundohen t’ua ofrojnë grave dhe vajzave mbështetjen me përfaqësim dhe këshillim juridik, por se e sheh shqetësuese faktin që këto gra më lehtë raportojnë te ky rrjet sesa në institucionet përkatëse.
“Ndonëse në disa qarqe tentohet të thuhet se përveç raportimit është rritur edhe dhuna, unë mendoj se ka ndryshuar vetëdija e grave pavarësisht se është vështirë për të marrë guximin që të raportojnë, pasi mund të mos trajtohet rasti me seriozitet. Si rrjet i grave mundohemi t’ua ofrojmë mbështetjen me përfaqësim dhe këshillim juridik dhe është shqetësuese të shohim se sa ma lehtë na drejtohen për rastet e tyre para se ta raportojnë në polici”, është shprehur Tërshani. “E gjitha çka kemi tentuar gjatë marshit sot është që të kthejmë vëmendjen institucionale nga këto raste sepse është bërë punë e mjaftueshme nga organizatat e shoqërisë civile”, përfundoi ajo.