Arbëri

Peng i një neni

Drini ishte vetëm një vjeç kur në mungesë të kujdesit prindëror është marrë nën përkujdesje të familjes SOS. Por, në këtë familje atij i kanë mbetur edhe pak muaj mundësi qëndrimi. Ai do t’i mbushë 18 vjet - mes shumë paqartësive për të ardhmen.

“Problemet me të cilat përballem fillojnë nga këta muajt e ardhshëm, pas dy muajsh i bëj 18 vjet e në po të njëjtin muaj përfundoj gjimnazin dhe me shoqërinë të cilën tashmë nuk do të mund ta takoj në 5 ditë të javës. Menjëherë pas një muaji e gjysmë do të ndahem edhe nga familja me të cilën jam rritur, pra është një kohë në të cilën do të humbas shumë njerëz që tashmë nuk do të mund t'i takoj sa herë që dua”, ka thënë ai.

Me të përfunduar shkollën e mesme Drinit do t’i duhej të punonte, derisa në të njëjtën kohë synon të vazhdojë shkollimin universitar. Në ballë të sfidave, si 18-vjeçar, ai do të jetë i vetëm.

Sikurse Drini janë edhe dhjetëra fëmijë të tjerë, përkujdesja institucionale për të cilët përfundon me të arritur moshën madhore.

Situata e Drinit ashtu si edhe të rinjve të tjerë do të ishte ndryshe po qe se deputetët e Kuvendit të Kosovës do të miratonin Projektkodin Civil.

Një pikë e një neni mban peng miratimin këtij dokumenti, i cili konsiderohet si më i rëndësishmi pas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Është pika që ka të bëjë me lejimin e bashkësisë civile mes seksit të njëjtë. Janë dy fjali të cilat kanë bllokuar projektkodin 1 mijë faqesh me 1630 nene e për miratimin e së cilit nuk po bien dakord ligjvënësit.

Kundërshtimi i kësaj pike ka lënë në pritje një numër të madh kategorish, çështjet e të cilëve rregullohen në projektkod. Në mesin e tyre, edhe të rinjtë pa përkujdesje prindërore.

Me miratimin e projektkodit mbështetja institucionale për këtë kategori shtrihet deri në moshën 26-vjeçare, periudhë kur konsiderohet se ata pavarësohen plotësisht.

Për Drinin përkujdesja deri në këtë moshë është shumë e rëndësishme.

“Tash, marrë parasysh këto ndryshime të mëdha jetësore që pësojnë të rinjtë, e sidomos ata që nuk kanë pasur kujdesin e prindërve biologjikë, pas moshës 18- vjeçare ata nuk do të mund t'i kenë aty si në të kaluarën mbështetësit e tyre, mu pikërisht në kohën kur do të përballeshin (ndoshta për të parë) me probleme financiare për strehim, ushqim, ujë, energji elektrike, veshmbathje, higjienë e të tjera. Prandaj konsideroj që institucionet duhet të ndiejnë obligim të interesohen për rininë (të ardhmen e shtetit) dhe mënyrën se si ata rriten dhe jetojnë, sepse të rinjtë nuk rriten menjëherë në ditën e parë të ditëlindjes së 18-të, por rriten gradualisht, andaj edhe mbështetja financiare, pedagogjike, dhe emocionale duhet të jetë graduale dhe e përhershme për një rini të shëndoshë e të suksesshme, pra mbështetje deri në moshën 26-vjeçare”, thuhet në letrën e tij.

SOS Fshatrat janë “familja” më e madhe strehuese e fëmijëve, të cilët për arsye të ndryshme mbesin pa përkujdesjen e prindërve.

Remzije Krasniqi, e cila ka më shumë se 20 vjet që u rri pranë atyre, ka thënë se është shumë e rëndësishme që përkujdesja për të rinjtë të vazhdojë edhe pas moshës 18-vjeçare.

Mbështetje në forma të ndryshme, si në mbulimin e një pjese të shpenzimeve e ofrimin e shërbimeve, SOS Fshatrat e bëjnë për një periudhë trevjeçare edhe pas largimit të të rinjve nga strehimi.

Por, për Krasniqin, edhe pas kësaj moshe jo të gjithë janë të përgatitur për të jetuar të pavarur.

“Duhet të kemi parasysh që shumica e fëmijëve që arrijnë 18 vjet, por edhe mbi 18 vjet kanë pasur shpesh ndoshta edhe mungesë shkollimi për shkak të situatave dhe historisë së tyre që e kanë kaluar apo vështirësitë e tjera për të arritur ndoshta kualifikimin me kohë të shkollës së mesme apo fillore, të mos flas pastaj për regjistrimin në fakultet apo gjetjen e mundësisë për punësim”, ka thënë Krasniqi.

Më shumë sesa financiarisht, të rinjtë që largohen nga familjet strehuese, nga SOS Fshati apo nga institucionet e tjera që ofrojnë përkujdesje, sipas Krasniqit, kanë nevojë për mbështetje morale dhe për një adresë ku mund të drejtohen sa herë përballen me vështirësi.

Drejtoresha për Avokim në SOS Fshatrat e Fëmijëve ka përmendur edhe telashet me të cilat një i ri përballet, nisur nga stigmatizimi në shoqëri, paqartësitë pas përfundimit të shkollimit, siç janë banimi dhe puna e qëndrueshme.

“Kanë nevojë me pasë një figurë qendrore që edhe kur të pavarësohen të kontaktojnë ose të kenë nevojë me u konsultu. Madje disa prej të rinjve shprehen që në raste të caktuara nuk iu nevojitet shumë përkrahja financiare sa është me vlerë një përkrahje morale që nëse sfidohen ose e kanë një borxh, një kërkesë ose një nevojë e kanë një person kyç që me u mbështetë....Tjetra është përkrahja për sa i përket çështjes së banimit. Shpesh është sfidë për ta edhe kontraktimi i një banese me qira, ndodh që njerëzit që e kontraktojnë një banesë e kanë një pasiguri, i shohin të rinj, ose këta nuk e njohin rrethin, komunitetin ku banojnë me qira dhe që paraqet pasiguri”, ka thënë Krasniqi.

Projektkodi Civil hartohet nga Ministria e Drejtësisë. Ka më shumë se 10 vjet që punohet në draftimin e tij, ku përveç angazhimit të resurseve njerëzore, në të janë shpenzuar afro 12 milionë euro. Ndër vite pushtetet që kanë punuar në të kanë bërë ndryshime, por Projektkodi Civil nuk ka arritur ende të miratohet.

Për herë të fundit miratimi i tij në Kuvend dështoi të bëhej në mars të vitit 2022. Shkak, krahas të tjerëve ishte edhe mospërkrahja e disa prej deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Zëvendësministri Blerim Sallahu nga kjo parti, tek ka folur për rëndësinë e miratimit të këtij kodi, ka theksuar ndikimin që do të ketë në zgjidhjen më të shpejtë të lëndëve në fushën civile e sqarimet që janë bërë.

Në lidhje me mbështetjen që u ofrohet fëmijëve pa përkujdesje, Sallahu ka thënë se kodi në tërësi i kontribuon mirëqenies së tyre, sigurisë financiare e jetësore për ta.

“Praktika ka tregu që ka pasë fëmijë që në moshën 18-vjeçare nuk kanë pasë kah të shkojnë...i ke bo 18 vjet dhe shteti është detyru me të qitë jashtë, ose Sos Fshati ose familja e caktuar me të marrë me të largu prej shtëpisë dhe kjo është bërë në kuptimin që sa më shumë të mos ketë presion ndaj fëmijës dhe personit të caktuar që deri në moshën 26-vjeçare të gjejë veten në jetë, të punësohet, të shkollohet dhe kësisoj të jetë i pavarur...”, është shprehur Sallahu.

Njëra prej çështjeve që veçohet nga Projektkodi Civil është ndarja e pasurisë në mes të partnerëve pas shkurorëzimit e ndalimi i martesave para moshës 18-vjeçare.

Po ashtu edhe çështja e së drejtës në trashëgimi e ofrimi i alimentacionit nga shteti për fëmijët kur prindërit kanë vështirësi financiare.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi kanë thënë se Projektkodi Civil mbush boshllëqet ligjore e është kornizë ligjore moderne që vendos drejtësi në aspekti civil.

Eranda Zekaj, hulumtuese në këtë institut, përveç qasjes më të lehtë në drejtësi, ka thënë se ky dokument promovon të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

“Nëse marrim situatën e bashkësisë familjare, rastin e martesave, ka larguar kontratat martesore dhe në anën tjetër tash edhe ndarja e pasurisë bëhen në mënyrë të barabartë, pavarësisht punës së ofruar ose kontributit të ofruar nga gruaja apo anasjelltas. Përveç kësaj, ndryshime të tjera kemi edhe në situatën e fëmijëve, martesave të fëmijëve, kjo është konsideruar edhe si rëndësi tejet e madhe nga ana e UNICEF-it për shkak se është diku rreth 21 për qind e femrave, grave që martohen nën moshën 16-vjeçare, 16-18-vjeçare. Ky kod civil ka paraparë martesën prej moshës 18 e sipër”, ka deklaruar Zekaj.

“Gratë kanë heqë dorë nga e drejta e trashëgimisë, tash është vështirësu edhe kjo e drejtë për me heq dorë prej trashëgimisë. Duhet që gjithmonë të njoftohet paraprakisht pala në rast se heqë dorë nga trashëgimia që ndodh me të. Po ashtu edhe të gjithë trashëgimtarët e tjerë do të njoftohen se çka nëse heq dorë, cilat janë pasojat juridike nëse heq dore prej trashëgimisë, edhe kjo jashtëzakonisht është vështirësu e kësisoj i garantohet njëfarë e drejte dhe njëfarë edukimi palës paraprakisht para se me heqë dorë nga e drejta e trashëgimisë”, ka deklaruar zëvendësministri Sallahu.

Krahas tyre, në këtë dokument është rritur dallimi në moshë, të cilën duhet ta ketë një qytetar që dëshiron ta adoptojë një fëmijë. Nga tre vjet sa është aktualisht, ky dallim në moshë është rritur në 18.

Sipas zv.ministrit Sallahu, përcaktimi që personi adaptues të jetë së paku 18 vjet më i vjetër sesa fëmija që dëshiron të adoptojë është bërë me qëllim të eliminimit të abuzimit.

Pas dështimit për miratim pothuajse dy vjet më parë, Projektkodi Civil është kthyer në sirtarët e institucioneve e nga aty qeveritarët për çdo vit premtojnë se do ta nxjerrin e përcjellin sërish për miratim.

Frika se mund të mos sigurohet mbështetja nga deputetët, ka bërë që të zvarritet procedimi i tij. Dhe teksa kategoritë që preken nga miratimi i tij janë në pritje të veprimeve të institucioneve, sponsorizuesit i tij thonë se janë duke bërë përpjekje që të bindin deputetët për rëndësinë e Projektkodit Civil.

“Nuk jam e bindur që duhet ta procedojmë në Kuvendin e Kosovës në qoftë se nuk jemi të bindur që të kalojë në Kuvend. Nuk mund të përballojmë situatën nëse Kuvendi sërish refuzon që ta votojë një dokument të tillë, jo vetëm për shkak se çka përfaqëson Qeveria në raport me të drejtat e njeriut, por edhe për shkak të rrugëtimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ju e dini që fazën kryesore e kemi këtë vit, për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, prandaj nuk do të ishte mirë për Kosovën një lajm i tillë - Kodi Civil nuk kalon sërish”, pati thënë ministrja Albulena Haxhiu në fillim të vitit.

Punë qeveritarëve u ka dalë kryesisht me përfaqësues të tyre në Kuvend, të cilët për shkak të bindjeve, kryesisht religjioze, penguan miratimin e Projektkodit Civil.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se takimet e shpeshta që kanë zhvilluar me ata që kundërshtuan këtë dokument kanë prodhuar efekt. Por, ka pranuar se kanë ende probleme.

Ai ka thënë se Projektkodi Civil duhet të miratohet këtë vit në Kuvend dhe në asnjë variant nuk guxojnë të humbasin kohë e të dështojnë më miratimin e tij.

Ka kërkuar që mbi 1600 nenet e këtij dokumenti të mos mbeten peng i njërit prej tyre.

“Ka pasur një lloj rezistence goxha aktive për mos me shku ky kod në Kuvend mirëpo është zbutë, kemi komuniku goxha shumë me ta, kemi bo takime jozyrtare me akterë që kanë theksu se nuk e mbështesin këtë kod dhe dallimet janë zbutë, janë eleminu, Disa ende qëndrojnë, unë besoj që me punën dhe angazhimin që kemi duke e bo rreth kësaj çështjeje, brenda këtij viti duhet të dërgohet dhe të votohet. Ky kod duhet të votohet edhe nga opozita. Nuk ka dallime politike, nuk është një çështje që përçohet një politike e Lëvizjes Vetëvendosje këtu, kjo është politikë e gjitha partive. Nuk mendoj që ky kod duhet të votohet vetëm nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje... edhe në grupet e tjera politike ka njerëz që për bindje fetare ose për zvogëlim të kazanit të votave në zgjedhje dëshirojnë të përçojnë mesazhe të tilla që ne nuk duhet të votojmë këtë kod brenda këtij viti. Ky kod i përfaqëson të gjithë”, ka deklaruar ai.

Sipas Remzije Krasniqit nga SOS Fshatrat e Fëmijëve, zvarritja e mosprocedimi i Kodit sjell pasoja e vonesa të tjera ligjore.

“Projektkodi civil si tërësi por edhe nëse kalon me kapituj të caktuar në rast të aprovimit sigurisht që ka me përshpejtu dhe i obligon secilin institucion për me marrë masa dhe me kriju mekanizma që kërkohen për secilën dimension dhe segment që lidhet me mbrojtjen e familjes dhe fëmijëve, prandaj edhe konsiderojmë shumë që me të vërtetë, të gjithë akterët, në të këtë rast deputetët duhet të japin mundësi diskutimesh dhe debatit...Nuk mundët pafundësisht, ndoshta një kundërshtim i pjesëve të caktuara për me i penalizu, me thënë pjesët vitale që lidhen me fëmijët dhe familjen mos me u miratu. Sigurisht nëse vonohet kaq shumë ne kemi me pasë ndoshta një gjendje edhe më të rëndë se që e kemi sot. Nuk do të thotë ndoshta vetëm miratimi i tij por kjo është baza që i pengon ndoshta edhe shumë funksione të tjera dhe zbatim të shumë mekanizmave dhe krejt sistemit të mbrojtjes”, është shprehur ajo.

Qëndrimet e deputetëve kundër miratimit të Kodit Civil, sipas Eranda Zekajt, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, kanë mënjanuar mijëra nene të tjera dhe kësisoj vëmendja e publikut është larguar nga qëllimi parësor i këtij dokumenti e që është qasja në drejtësi.

“Deputetët duhet të largojnë interesat e tyre personale, elektorale, duhet të largojnë qëllimet e tyre të cilët nuk janë proaktive dhe pro interesit të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Si i tillë po e them që deputetët do të duhet të shikojnë më në tërësi kodin civil, të shikojnë çështje të rëndësishme që ai rregullon duke qenë i ndarë në 5 kapituj të plotë që rregullon çështje qysh nga ajo kontraktuale, pastaj detyrimore, pasurore, trashëgimore, familjare si e tillë dhe të largohet kjo ideja që të fokusohemi vetëm në një nen të vetëm, t’i përjashtojmë të gjitha interesat e tjera dhe të shikohet vetëm interesi i qytetarit të Republikës së Kosovës, duke i njohur kështu të drejtat e do individi duke filluar nga grupet e margjinalizuara të republikës sonë”, ka deklaruar Zekaj.

Më 16 mars 2022, kur është shqyrtuar e hedhur në votim Projektkodi Civil, nga 77 deputetë të pranishëm kanë votuar 61 deputetë. Prej tyre 29 ishin kundër, 28 për dhe 4 abstenuan.

14 prej deputetëve që votuan kundër e 4 të cilët abstenuan ishin nga radhët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Kundër votuan edhe 5 deputetë të AAK-së e një i PDK-së si dhe deputetët e komuniteteve jo-shumicë.

*Drini nuk është emri i vërtetë, identiteti i tij është i njohur për redaksinë