Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i është përgjigjur ish-kryeministrit Isa Mustafa, duke i thënë se ai është kumbara e themelimit të Asociacionit dhe se e di mirë se çfarë do të thonë nenet e tij.
Mustafa ka kërkuar përgjigje mbi pikën shtatë të propozimit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Në këtë pikë flitet për formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe e po ashtu për sigurimin e “një niveli të përshtatshëm të vetëqeverisjes”. Ai i ka kërkuar presidentes Vjosa Osmani që të tregojë nëse ky nen është në përputhje me Kushtetutën, ndërsa akuzoi kryeministrin Albin Kurti se pranoi një marrëveshje ku serbëve u jepen kompetenca ekzekutive.
Por Peci ka thënë se delegacioni i udhëhequr nga asokohe kryeministri Mustafa më 25 gusht të vitit 2015 ka nënshkruar katër marrëveshje, duke përfshirë edhe Asociacionin.
“Sot, shkelësi i 23-fishtë i Kushtetutës, Isa Mustafa, ish-kryeministër, paska shkretuar sërish duke shfryer mllefin kundrejt presidentes Osmani, për sherrin që ia ka lënë në shpinë Kosovës. Më mirë se ti Isa Mustafa askush nuk e di se çfarë do të thotë Asociacioni dhe çfarë thonë edhe nenet specifike, thjesht sepse ti je kumbara i Asociacionit. Si një ekonomist i vetë-shitur, mbase e kupton që me logjikën e ekonomisë së tregut, të ka skadu qëndrimi në politikë dhe atë pas ndëshkimit nga vota qytetare. Si një qytetar në pension, ke kohë të reflektosh prapa dhe ta konfirmosh se Asociacioni dhe çfarëdo zhvillimi në raport me situatën aktuale politike e kemi trashëgim nga ti dhe shokët e tu”, ka shkruar Peci në Facebook.
Peci ka ironizuar më tej, duke i thënë Mustafës “ta monitorojë tensionin, sepse Asociacionin na e le ti, e gjetëm këtu”.
“Ju edhe mund të shpreheni për çfarëdo, por duke qenë se janë pasojat e veprimeve tuaja politike me të cilat përballemi sot, së paku në këtë periudhë rri qetë, nëse nuk ke për të thënë diçka përtej pendimit”, ka shkruar ai.