Arbëri

PDK, LDK e VV premtojnë zhvillim ekonomik

Tri partitë kryesore në vend PDK, LDK dhe VV kanë premtuar zhvillim ekonomik, nëse fitojnë në zgjedhjet e ardhshme.

Selvije Halimi e PDK-së ka deklaruar se partia e saj si çështjen kyçe të programit “Misioni i Ri” e ka zhvillimin ekonomik. Në Interaktiv të KTV-së ajo ka thënë se në tre vjetët e fundit nën qeverisjen e përbashkët me LDK-në ka pasur ngecje të madhe të zhvillimit ekonomik.

“Zhvillimi ekonomik është çështja kryesore që do të bëjë PDK-ja me ‘Misionin e Ri’. Në tre vjetët e fundit s’ka pasur zhvillim. S’ka funksionuar asgjë. Fillimi i ri do të jetë platformë që do t’u ofrohet qytetarëve në krye me Kadri Veselin”, ka thënë ajo.

Anëtari i ish-partnerit të PDK-së, Blerim Grainca nga LDK, ka thënë se qytetarët kanë parë punën “e suksesshme” të kësaj partie në qeverisjen trevjeçare. Ai ka thënë se për rivalë kanë dikë që përdor molotovin dhe dikë që nuk respekton marrëveshjet.

“Qytetarëve do t’u themi ‘ne kemi pas marrëveshje me PDK-në për këto qëllime, e kemi respektuar. PDK në fund doli nga marrëveshja’. Në anën tjetër kemi VV molotovin dhe LDK-në me shkallën e arritur dhe PDK-në që nuk respekton marrëveshjet”, ka theksuar Grainca.

Kundër dy ish-deputetëve të pushtetit ka dalë anëtari i VV-së, Ismajl Kurteshi që ka thënë se fillim të ri me pushtetarë të vjetër s’mund të ketë.

“Fillim të ri me pushtetarë të vjetër e të korruptuar s’mund të ketë. Qytetarët të shohin akuzat për njëri-tjetrin dhe të binden për kë bëhet fjalë. Ne e kemi programin më të mirë për zhvillim ekonomik, për luftë kundër krimit”, ka thënë ai.