Arbëri

PDK-ja thërret tri debate parlamentare, i pari për “dështimin e sigurimit të vaksinave”

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës do t’i thërrasë tri debate parlamentare gjatë javës së ardhshme.

Kryetari i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, tha se debati i parë do të jetë “mbi dështimin për sigurimin e vaksinave”.

"Si GP i PDK kemi vendosur që në javën e ardhshme t’i thërrasim tri debate parlamentare. Debati i parë do të jetë për dështimin për sigurimin e vaksinave. Në programin e tyre e kanë që do të bashkëpunojë ngushtë me Shqipërinë për vaksinim por ka ndodhur e kundërta ku qeveria ka refuzuar ndihmën’, ka thënë ai në konferencë për media.

Çështje tjetër diskutimi do të jetë organizimi i arsimit gjatë pandemisë dhe mbi gjendjen ekonomike në Kosovë, tha Tahiri. Shtoi se Kosova ka qeveri, por qeverisje jashtëzakonisht të dobët.

“Çështje e ditës është edhe organizimi i arsimit në këto kohë. Nuk shohim kurrfarë angazhimi e strategjie sa i përket organizimit më efikas të mësimit online. Debati i tretë është debati për ekonominë në Kosovë. Nuk kemi qartësi të kësaj qeverie se cila do të jetë pakoja e ardhshme. Shohim edhe mbyllje të patakta, mbyllje që po shkaktojnë probleme për bizneset. Ne jemi për marrjen e masave por duhet të ju dalim në ndihmë edhe bizneseve. Janë këto tri debate që do i dorëzojmë kërkesat që sot dhe shpresojmë që kryesia të vendos për javën tjetër”, tha Tahiri.