Në deklaratën e kryeministrit Albin Kurti se vendit nuk i duhen zgjedhje, por qëndrueshmëri institucionale, kanë reaguar dy deputetë të Partisë Demokratike, Përparim Gruda dhe Arben Mustafa. Sipas tyre, afatin kushtetues prej 34 ditësh, Kurti e ka shpërdoruar pa përpjekje për zgjidhje të ngërçit politik
Në mbledhjen e Qeverisë, të mbajtur të hënën para takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, kryeministri Albin Kurti ka thënë që vendit nuk i duhen zgjedhje të reja.
Ai ka deklaruar se në një kohë kur bota është e trazuar nga zhvillimet e tensionet gjeopolitike, vendi ka nevojë për stabilitet institucional dhe se, sipas tij, qytetarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre më 28 dhjetor.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Jemi të bindur që një cikël i ri zgjedhor nuk sjell ndryshime të mëdha në rezultat, por mund t’i vonojë punët e mira dhe të na humbasë mundësi e fonde, si dhe të krijojë shpenzime të tjera të panevojshme duke filluar nga së paku 10 milionë euro për KQZ-në”, ka thënë Kurti.
E kryeministrit i ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike, Përparim Gruda, i cili ka thënë se po të mos donte zgjedhje, 34 ditët që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, nuk do t’i shpërdoronte.
Sipas Grudës, gjatë kësaj periudhe, Kurti 7 ditë i ka shfrytëzuar për vizita të pafrytshme jashtë vendit, ndërsa tri javët e tjera pa asnjë përpjekje serioze për zgjidhje të ngërçit.
“Tani, kur ka mbetur vetëm një javë, deklaratat politike nuk kanë më peshë, sepse veprimet destruktive të tij në të dy raundet për zgjedhjen e presidentit flasin më qartë se çdo fjalë. Është për keqardhje që dikush me 51% të besimit qytetar po e shtyn vendin drejt një procesi të ri zgjedhor për arsye dhe inate personale. Qytetarët do të dinë t’ia japin përgjigjen e duhur këtij mentaliteti”, ka thënë Gruda.
Për këtë çështje ka reaguar edhe deputeti tjetër nga radhët e PDK-së, Arben Mustafa.
“PDK e ka kuptuar me kohë lojën e Albin Kurtit. Ky njeri nuk njeh tjetër logjikë, përveç kapjes së të gjitha pushteteve. Ai nuk është në politikë për të ndërtuar, por vetëm për të marrë sa më tepër pushtet dhe për të sunduar. Prandaj, nuk i dhamë kënaqësinë që të luajë me emra për president dhe të bëjë filma”, ka shkruar Mustafa në rrjetin social Facebook.
Pas dështimit të seancës për zgjedhjen e presidentit, më 5 mars, Vjosa Osmani, atëherë presidente, përmes një dekreti pati shpërndarë Kuvendin. Mirëpo, këtë dekret, me aktgjykimin e 25 marsit, Kushtetuesja e ka shfuqizuar, duke konstatuar se deputetët kanë kohë deri më 28 prill të zgjedhin presidentin e ri.
Pas vendimit të Kushtetueses nuk është mbajtur asnjë takim mes Kurtit dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza. Më herët ishin mbajtur dy, por pa rezultat.
PDK-ja ka kërkuar që ftesa për takim t’i bëhet zyrtarisht përmes letrave, e jo përmes mesazheve telefonike.
Kurti, pas takimit me Abdixhikun ka thënë se i ka dërguar mesazh Hamzës.
Partia Demokratike të hënën ka mbledhur këshillin drejtues, me temë qendrore zhvillimet politike në vend.