Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ka mbledhur sot pasdite Kryesinë e PDK-së ku është diskutuar situata në veriun e Kosovës.
Anëtari i Kryesisë Memli Krasniqi, tha se në këtë mbledhje është diskutuar për ngjarjet e fundit e që për PDK-në, është e rëndësishme t’u garantohet siguri qytetarëve në Kosovë.
“Për neve është shqetësuese nëse kjo situatë degradon për shkak të veprimeve të kujtdo qoftë atje që mund të nxiten qoftë nga Beogradi e qoftë nga të tjerët. Për neve është e rëndësishme që t’i garantojmë qytetarët e Kosovës pa dallim që askush nuk do të cenohet në kuptimin e sigurisë në veriun e vendit dhe si institucione do ta luajnë rolin e tyre dhe do ta përmbushin detyrën kushtetuese për ta garantuar sigurinë”, ka thënë Krasniqi, përcjell ksp.
Lidhur me rritjen e taksës që Qeveria ka marrë vendim për prodhimet serbe që hyjnë në Kosovë, Krasniqi tha se ka qenë edhe vendim i tyre, pasi, sipas tij, Qeveria nuk mund të marrë asnjë vendim pa mbështetjen e PDK-së.
“Personalisht unë kam propozuar që të rritet taksa 25 deri në 50 për qind dhe pastaj në koordinim mes partnerëve është vendosur të rritet në 100 për qind, gjë që normalisht e ka pasur mbështetjen e PDK-së edhe të ministrave të saj”, ka thënë Krasniqi.
Megjithatë, Krasniqi ka thënë se vendimi për taksën nuk ishte pikë diskutimi gjatë mbledhjes së kryesisë së PDK-së.