Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka kërkuar që nga janari i vitit të ardhshëm të hyjë në fuqi ligji i pagave, i cili do ta zgjidhte problemin e grevës, sipas tij.
Hoxhaj ka thënë të hënën, në konferencë, se PDK-ja kërkon zgjidhje afatshkurtër nga Qeveria dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit që do të ishte në fuqi deri në fund të vitit.
“Kemi pasur një seancë dhe debat parlamentar për çështjen e grevës, qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës ka qenë që të gjendet një zgjidhje, e cila është e përkohshme që qeveria me sindikatën të bëjnë zgjidhje afatshkurtër deri në fund të dhjetorit dhe prej 1 janarit të jetë në fuqi ligji i pagave, i cili duhet ta zgjidh këtë problem. Qëllimi jonë është që nxënësit të kthehen në shkollë dhe të ndërpritet kjo grevë”, ka thënë Hoxhaj.
Kuvendi do të mblidhet të enjten për seancë të re si dhe pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara.
Propozim të pak a shumë të njëjtë ka dhënë edhe LDK-ja ditë më parë përmes deputetes Hykmete Bajrami, ndërkohë AAK-ja ka kërkuar që të plotësohen kërkesat e grevistëve.
Ndër kërkesat e mësimdhënësve është ndarja e 100 eurove shtesë në muaj deri në futjen në fuqi të Ligjit të pagave. Qeveria ka ofruar nga 50 euro për tre muaj rresht.
Edhe
PDK-ja kërkon nga Kurti, Nagavci e Murati që këtë fundjavë të gjejnë zgjidhje për grevën
Greva ka nisur më 25 gusht.