Arbëri

PDK-ja gati për të kthyer “Qeverinë në hije” që e solli në pushtet 14 vjet më parë

Një hap tjetër në opozitarizmin e saj synon ta bëjë Partia Demokratike e Kosovës.

Brenda disa ditësh kjo parti pritet të rikthejë Kabinetin e Qeverisjes së Mirë apo, siç njihet, Qeverinë në hije.

Një kabinet të tillë PDK-ja e ka bërë 17 vjet më parë, në kohën kur ishte në opozitë e vendi udhëhiqej nga AAK-ja në krye me Bajram Kosumin, si kryeministër.

Lavdim Hamiti, i cili më 2005 ishte gazetar, ka thënë se për dallim nga atëherë rrethanat janë krejt të tjera.

Sipas tij, në mënyrë që të ketë sukses, qeveria në hije e PDK-së duhet të përbëhet nga njerëz të rinj e profesionistë.

“Tash nëse PDK-ja shkon me njerëz që kanë qenë në pushtet, që janë konsumuar, atëherë mendoj se bënë një gabim strategjik pasi që PDK-ja ka qenë gjatë në pushtet dhe njerëz të tillë janë ekspozuar përballë aferave të ndryshme korruptuese. Duhet me dalë me figura që nuk kanë qenë në pushtet, që nuk janë të konsumuara dhe që janë ekspert të fushës për ta bërë një opozitarizëm karshi LVV-së, e cila tashmë edhe më herët ka shumë fuqi politike në kuvend”, ka deklaruar Hamidi..

Emrat e anëtarëve të kabinetit nga PDK-ja thonë se do të bëhen të ditur së shpejti.

Faton Abdullahu, zëdhënës në këtë parti, thekson se Kabineti i Qeverisjes së Mirë do të shënojë fillimin e një etape të re të bërjes opozitë.

“Kabineti i Qeverisjes së Mirë do të jetë alternativë bindëse për qytetarët e Kosovës, për fatin e Kosovës, përveç tjerash, edhe për fatin se do të jetë e hapur dhe jemi duke punuar në këtë drejtim, për kuadro të reja, për njerëz që ndoshta në asnjë mënyrë nuk kanë qenë të involvuar në PDK, por janë të gatshëm të kontribuojnë, të krijojnë një koncept të ri dhe t’iu ofrojnë qytetarëve alternativë të mirëfilltë”, deklaroi Abdullahu.

Hamidi e Abdullahu ndajnë qëndrime të ndryshme sa i përket bashkëpunimit eventual me partitë e tjera opozitare.

“Në atë kohë nuk ka pasur bashkëpunim, nuk do të ketë as tash, besoj që këta do të synojnë ta bëjnë betejën vet si PDK dhe të ketë bashkëpunim edhe me mediat që me e nxjerrë keqqeverisjen që ndodh edhe me këtë qeverinë Kurti 2”, shtoi Hamidi.

E zëdhënësi i PDK-së ka paralajmëruar bashkëpunim me opozitën.
“Si kabinet më vete që do të jetë prodhim i PDK-së ne do të bashkëpunojmë me partitë e tjera opozitare gjithsesi, do të koordinojmë forma të ndryshme, veprimtari të ndryshme, veprime të ndryshme për ta kundërvënë këtë qeveri, sepse jemi të bindur se nuk është në rrugë të drejtë”, shtoi Abdullahu.

Një ditë më parë PDK-ja ka miratuar rregulloren për funksionimin e Kabinetit të Qeverisjes së Mirë, që i hap rrugën formimit të tij.