Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PDK-ja drejton fushatën kah arsimi

Foto: Enver Hoxhaj/Facebook

Pak ditë pasi sindikata e Arsimit vizitoi zyrën e Partisë Demokratike të Kosovës, kjo e fundit ka kthyer sërish vëmendjen kah kjo fushë për të bërë fushatë.

Në një postim në Facebook të martën në mëngjes, kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka kujtuar se “PDK-ja ndërtoi qindra shkolla dhe dyfishoi për 118% pagat për mësimdhënësit, që janë një nga shtyllat më të rëndësishme të shoqërisë dhe shtetit”.

Ai ka përfunduar postimin me fjalët se është “Koha për një tjetër mbështetje dinjitoze për ta!”

Ditë më parë, sindikata e arsimit dhe ajo e shëndetësisë, në prag fushate, vizituan PDK-në për t’i kërkuar “vazhdimin e politikave në të mirë të qytetarëve dhe shtetit”.

Edhe pse zyrtarisht në vend s’ka nisur fushata zgjedhore, partitë tashmë kanë nisur mobilizimin.

Vendi do të shkojë në zgjedhje me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese për votën e deputetit Etem Arifi në formimin e Qeverisë Hoti. Për shkak të dënimit që kishte, vota e tij u shpall e pavlefshme javën e shkuar dhe Kushtetuesja urdhëroi ushtruesen e detyrës së presidentes të çojë vendin në zgjedhje. Po pritet vetëm publikimi i aktgjykimit që të avancohet me hapat e ardhshëm.