Subjekti më i madh opozitar në Lipjan, Partia Demokratike e Kosovës, nëpërmjet një konference për media, ka akuzuar qeverisjen lokale për keqmenaxhim të situatës së pandemisë, me arsyetimin se po mungojnë investimet në barna dhe gjëra elementare në sektorin e shëndetësisë.
Sipas PDK-së opozitare, në kohë të pandemisë, qeverisja lokale është fokusuar në realizimin e projektit për ndërrimin e shtyllave elektrike nëpër rrugë të qytetit, duke e lënë anash sektorin e shëndetësisë. Sipas opozitës, një investim i tillë në kohë të pandemisë është i panevojshëm, derisa qytetarët nuk po kanë mundësi financiare t’i blejnë barnat për t’u shëruar nga pandemia COVID-19.
Po ashtu, sipas PDK-së, gjatë ditëve të fundit, në maternitetin e QKMF-së, janë regjistruar dy lindje megjithëse në të njëjtin objekt janë trajtuar edhe pacientët e dyshuar me COVID-19.
Agnesa Sadiku, sekretare e Rinisë në këtë subjekt, ka kërkuar nga ekzekutivi i Lipjanit të përqendrohet në sektorin e shëndetësisë për të siguruar barna e infuzione për pacientët me COVID-19. “Askush nuk është kundër ndriçimit publik, por në këtë kohë të pandemisë radha e investimeve është dashur të bëhet në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. Ato qindra e mijëra euro që janë shpenzuar për ndërrimin e shtyllave elektrike, e të cilat kanë qenë funksionale, më mirë do të ishte që Komuna t’ua sigurojë barnat atyre personave që janë të prekur me COVID-19. Pasi që shumë prej tyre janë me gjendje të rëndë shëndetësore dhe ekonomike”, ka thënë Sadiku.
Sipas saj, nëse kryetari i Komunës arsyetohet për t’i vendosur dritat më ekonomike, atëherë është dashur të ndërrohen vetëm dritat dhe jo komplet shtyllat. Ajo më tej ka shprehur shqetësimin se në kohë të pandemisë të shpenzohen aq shumë para për një investim të panevojshëm, është gjë e papranueshme për të gjithë.
“Dyshojmë se individët e caktuar po e shfrytëzojnë situatën e pandemisë për të përfituar nga tenderët e tillë, të cilët realizohen brenda një kohe të shkurtër. Kjo qeverisje ka dështuar ta menaxhojë situatën e pandemisë. Kanë kaluar disa javë që Lipjani vazhdon të mbetet në zonën e kuqe me rrezikshmëri të lartë, por Komuna ende nuk ka marrë asnjë hap konkret për ta menaxhuar situatën, andaj fokusin më të madh ia kanë dhënë vendosjes së shtyllave elektrike. PDK, dega në Lipjan, kërkojmë nga ekzekutivi që të kërkojnë ndihmë nga ekspertët shëndetësorë për ta menaxhuar më mirë këtë situatë”, ka shtuar Sadiku.
Ajo tha edhe se para disa ditësh në QKMF janë regjistruar dy lindje, në repartin e maternitetit, aty ku janë trajtuar pacientët me COVID-19. “Ambienti ku janë kryer lindjet paraqet rrezik për lehonat dhe foshnjat, sepse virusi COVID-19 është më shumë i panjohur dhe me protokollet shëndetësore, ambienti i maternitetit nuk guxon të shfrytëzohet për pacientët me COVID-19. Ambienti i njëjtë ende është i kontaminuar nga rrezet e RTG për trajtimin e tuberkulozit, gjë që gjithashtu nuk guxon të shfrytëzohet për lindje të nënave dhe paraqet rrezik potencial për nënat dhe foshnjat. Andaj, ne i bëjmë thirrje Inspektoratit Shëndetësor që të marrë masat protokollare profesionale dhe etike shëndetësore për të siguruar ambiente të sigurta për nënën dhe foshnjën në QKMF të Lipjanit si dhe të kërkojë përgjegjësi ligjore e profesionale nga ekzekutivi i Komunës dhe menaxhmenti i QKMF-së”, ka thënë më tej Sadiku, duke e kritikuar edhe drejtoreshën e Shëndetësisë, Merita Bytyqi, e cila, derisa është drejtoreshë komunale, në të njëjtën kohë po i ndjek edhe punët e tjera personale të specializimit, etj.
Gjatë së mërkurës, drejtoresha e apostrofuar e shëndetësisë, Merita Bytyqi, nuk ka qenë e qasshme për të marrë një deklaratë lidhur me gjendjen dhe menaxhimin e pandemisë.
Por, përmes disa postimeve gjatë ditëve të fundit, Komuna ka njoftuar për zhvillimet që po ndodhin në Lipjan.
“Këtyre ditëve rrugët e qytetit janë pa ndriçim publik dhe duam të kërkojmë mirëkuptimin tuaj, sepse shtyllat e vjetra po zëvendësohen me të reja. Shpenzimet e ndriçimit, defektet e shpeshta, korrozioni i mbajtësve të shtyllave dhe korrozioni i shtyllave, kostoja e mirëmbajtjes, ndriçimi joadekuat na ka shtyrë në preventivë të ndërrojmë në tërësi shtyllat e vjetra. Shtyllat e reja do të vendosen me poqa efiçientë, që do kenë ndriçim shumë më të mirë dhe kosto më të ulët të shpenzimeve”, thuhet në një njoftim të kryetarit të Lipjanit, Imri Ahmeti, përcjell faqja zyrtare e Komunës.
E drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Lipjan, Merita Bytyqi, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka njoftuar se Komuna është pajisur me vaksina të gripit sezonal, me barna dhe se po bëhen edhe investime të tjera në QKMF, po rregullohet po ashtu edhe infrastruktura e jashtme dhe po bëhet dezinfektimi i hapësirave të brendshme shëndetësore. “Çdo qytetar dhe çdo pacient ka të drejtë të trajtohet me dinjitet! Përkrahja morale e institucionale, qytetarëve tanë nuk do t’u mungojë asnjëherë. Jemi duke e bërë edhe dezinfektimin e rregullt të hapësirave në gjitha objektet shëndetësore”, ka shkruar midis të tjerash Bytyqi.