Dega e PDK-së në Prizren, të premten, ka vlerësuar se Shtëpia për të Moshuarit është një domosdoshmëri e kohës, porse ky projekt është anashkaluar nga qeveria lokale. Ky subjekt opozitar, duke shpalosur shqetësimin për mosjetësimin e projekteve të nisura qysh para vitit 2017, ka veçuar projektin e Shtëpisë për të Moshuarit, duke theksuar se ai tanimë duhej të ishte në shërbim të qytetarëve.
“Projekti i iniciuar nga PDK-ja në vitin 2016, për ndërtimin dhe funksionalizimin e Shtëpisë së Pleqve, si një nevojë esenciale për qytetarët e Prizrenit, edhe pas 5 vjetësh, akoma nuk është funksionalizuar. Shtëpia e Pleqve si një projekt social për qytetin, nuk duhet të ishte pjesë e debateve politike dhe nuk duhet të përfshiheshin inatet politike të pozitës së tanishme dhe të bënin vonesa në implementim të projektit, me gjithë faktin se projekti ka qenë i ideuar dhe i iniciuar nga ana jonë. Të qenit në krye të një qyteti do të thotë të jesh në gjendje që nevojat qytetare të vihen mbi inatet, debatet dhe luftën politike”, ka thënë Fahrije Bytyqi nga dega e PDK-së, gjatë një konference për shtyp.
Sipas saj, objekti është ndërtuar, por ende nuk është vënë në funksion.
“Shtëpia e Pleqve si një ndër premtimet elektorale të VV-së gjatë fushatës parazgjedhore, projekt i papërfunduar si shumica e projekteve të premtuara, është ndërtuar por ka mbetur e pafunksionalizuar. Akoma më e pakuptimtë është arsyeja e mosfunksionalizimit, pasi që nuk paska pasur koordinim mes qeverisjes lokale dhe asaj qendrore, me gjithë faktin se qeverisja qendrore udhëhiqet nga VV. Qeverisja lokale ka përfunduar punimet në Shtëpinë e Pleqve, por nuk ka mundur të përfundojë procesin e rekrutimit dhe nuk kanë mundur të koordinohen me qeverisjen e tyre qendrore”, është shprehur ajo.
Ish-drejtoresha për Punë dhe Mirëqenie Sociale në qeverinë Muja, ka pohuar se është “paradoksale por e vërtetë që VV-ja nuk është e gatshme dhe e aftë të gjejë rrugë bashkëpunuese dhe bashkëvepruese as mes vete”.
“Qeverisja e VV-së po shquhet më së shumti për mospërmbushjen e premtimeve elektorale, duke mos arritur të mbajnë premtimet e dhëna, të cilat i kanë përdorur për të ardhur në pushtet me një diferencë modeste në vota. Ne si opozitë jemi të shqetësuar për keqmenaxhimin, mosveprimet adekuate në situata konkrete, uljen e kualitetit të jetës së qytetarëve tanë për këta 4 vjet dhe mbi të gjitha jemi të shqetësuar për menaxhimin joserioz që u bëhet financave të qytetit tonë, duke pasur suficit buxhetor vit pas viti e duke mos përfunduar projektet kapitale, të cilat janë të një rëndësie të veçantë për qytetin e Prizrenit dhe qytetarët e saj”, ka deklaruar Bytyqi.
Komuna e Prizrenit në vitin e shkuar pati shkëputur kontratën me një operator ekonomik, me arsyetimin se nuk janë respektuar afatet dhe plani dinamik i punës. Pas kësaj është bërë projektimi i punimeve të mbetura për ritenderim.
Sipas të dhënave të publikuara në sistemin elektronik të prokurimit, aktiviteti i prokurimit për ndërtimin e Shtëpisë për të Moshuarit në Prizren ishte iniciuar në shkurt të këtij viti, derisa njoftimi për nënshkrimin e kontratës ishte publikuar në muajin maj. Në kontratën e publikuar në uebfaqen e Komunës së Prizrenit shkruan se çmimi total i punëve në këtë projekt duhet të jetë 167 mijë euro.