Partia Demokratike e Kosovës, po mban aksion simbolik në 100-ditëshin e Qeverisë Kurti.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Floreta Zejnullahu ka thënë se sot në 100-ditëshin e Qeverisë Kurti nuk ishte e vështirë ta përpilonin një listë me dështime të kësaj Qeverie.
“Kjo qeveri do të mbahet mend me të drejtë si qeveria më e shkurtër. Kjo qeveri dezertoi si pasojë e paaftësisë së saj për menaxhim me pandeminë. Qeveria Kurti e rrezikoi raportin historik me SHBA-në. Por do të mbetet Qeveria e fundit që rrezikon këtë raport. Kjo qeveri do të mbahet mend edhe për votimin e buxhetit në mënyrë klandestine. Pakoja emergjente nuk është e duhur dhe nuk i plotëson nevojat e qytetarëve. Kjo Qeveri do të mbahet mend edhe për shkeljen e Kushtetues, për borde militantësh e punësimesh familjare”, tha Zejnullahu, raporton KOHA.
“Sot në kohë pandemie, kur e gjithë bota organizohet për tu mbrojtur nga një armik i pa dukshëm siç është COVID-19, duke bërë thirrje për unitet dhe më shumë teste, ky Kryeministër ishte kundër testimeve por nuk ngurronte të testohej vet dhe kolegët e tij qeveritar e partiak. Ndërkohë qytetarët kanë pritur me ditë të tëra e disa nuk kanë mundur të testohen kurrë megjithë dyshimet e simptomat”, shtoi ajo.
Zejnullahu, tutje tha se “Kjo Qeveri krijoi karantinën të cilën e keqmenaxhoj përmes lidhjeve politike, familjare dhe partiake, duke falsifikuar edhe moshën e njerëzve për të mos u karantinuar”.
“Sot, për pasojë, sikur të kishim teste të mjaftueshme dhe në kohë reale, ndoshta edhe nuk do të kishim humbjen e jetës së Agonit. Kjo qeveri foli edhe kundër UÇK-së, punësoi këshilltar nga komuniteti serb që e mbështesin Ratko Mlladiqin, e hapi kufirin me Serbinë por e mbylli atë me Shqipërinë”, tha tutje.
Prandaj, shtoi deputetja e PDK-së, “secila ditë e kësaj Qeverie në ikje, është një ditë më pak shprese për qytetarët e vendit tonë”.
“Prandaj 100-ditëshi i kësaj qeverie duhet të quhet qeveria e 100 dështimeve”, përfundoi ajo.