Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PD: Sulmi terrorist në Manchester, përpjekje e individëve të sëmurë të imponojnë mendësi mesjetare

Partia e Drejtësisë, përmes një reagimi dërguar mediave, e ka dënuar fuqishëm “sulmin terrorist” në Arenën e Manchesterit në Britaninë e Madhe, duke e vlerësuar si përpjekje të përsëritur të grupeve dhe individëve të sëmurë që nëpërmjet goditjes së vlerave qytetëruese t’ua imponojnë mendësinë e mesjetës qytetarëve të pafajshëm të botës.

“Çdo akt terrorist, kudo që ndodhë në botë e veçanërisht në shtetet mike siç është Britania e Madhe, simbolin e tolerancës dhe integrimit të komuniteteve të gjitha llojeve, ngjallë ndjenjat e pikëllimit e dhembjes dhe njëkohësisht e rritë solidaritetin te çdo qytetar i Kosovës dhe institucionet e vendit”.

“Do të qëndrojmë të bashkuar në çdo situatë dhe moment të kohës para akteve të tilla barbare duke promovuar njëkohësisht vlerat më të larta humaniste dhe respektin e ndërsjellë”.

“Asnjëherë në historinë e njerëzimit agresiviteti i vrazhdë e primitiv nuk ka arritur që pafundësisht ta mundë dashurinë dhe kulturën e qytetëruar njerëzore dhe nuk do ta arrijë këtë as në kohërat tona”, thuhet në reagimin e PD-së.

Partia e Drejtësisë shpreh ngushëllime për familjet e viktimave të pafajshme dhe uron shërim të shpejtë e të plotë të plagosurve.