Arbëri

Pavarësisht propozimit të Hotit, shërbimet e internetit duhet paguar

Një prej propozimeve të ish-zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti, menjëherë pas përhapjes së koronavirusit në Kosovë, ishte që qytetarët të mos paguanin as shërbimet e internetit.

Mirëpo, përkundër kësaj, qytetarët në Kosovë po pranojnë mesazhe ose telefonata që duhet të paguajnë shërbimet e internetit.

Ndër operatorët ekonomikë që ka kërkuar pagesat e borxhit dhe i ka informuar klientët se do të shkyçen nga rrjeti nëse nuk e shlyejnë atë është edhe “Vala”.

Këta të fundit në një njoftim kanë sqaruar se konsumatorët do të duhen të paguajnë shërbimet e internetit për shkak që një gjë e tillë nuk hyn në rendin e masave që janë marrë nga Qeveria në detyrë.

“Siç shpjegon Urdhëresa, sigurimi i qasjes në shërbimet e përmendura më lart nuk nënkupton që klientët do të lirohen nga pagesa. Prandaj, ne ju informojmë se në rast mospagimi shërbimet do të ndërpriten, ndërkaq do të lejohet qasje vetëm në numrat emergjentë dhe linqet për mësim online”, thuhet në njoftimin e 18 marsit të “Valës”

Ndërkaq Ministria e Ekonomisë, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike thotë se, sipas urdhëresës, klientët nuk lirohen nga detyrimet, edhe pse kërkohet që ato të mos ndërpriten.

Por, sipas urdhëresës së 17 marsit, qytetarëve nga operatorët ekonomikë do t’u mundësohet për shërbime emergjente duke u siguruar qasje të pandërprerë institucioneve që ofrojnë shërbime të thirrjeve emergjente, shërbime të mësimdhënies përmes internetit dhe shërbime të tjera përmes internetit që institucionet e Republikës së Kosovës mund t’i vënë në dispozicion të qytetarëve.

Pas përhapjes së pandemisë në Kosovë qytetarëve u është shtyrë deri më 30 prill pagesa e të gjitha faturave të shërbimeve publike.