Në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Serbi kanë marrë pjesë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës. Por problematik mbetet pasivizimi i adresave të shqiptarëve atje, që po konsiderohet si proces administrativ për spastrim etnik. Rreth 6 mijë shqiptarë konsiderohet se janë hequr nga listat e votuesve në Serbi. Kjo, sipas partive shqiptare atje, zbeh fuqinë votuese të shqiptarëve
Shqiptarë të shumtë nga Lugina e Preshevës me lejeqëndrimi në Kosovë ia kanë mësyrë të dielën vendlindjes për të votuar për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi.
Por problematik për shumë nga ta mbetet pasivizimi i adresave nga shteti serb, që ua pamundëson votimin.
Të dhënat tregojnë se rreth 6 mijë shqiptarë janë hequr nga listat e votuesve në Serbi, 4 mijë prej tyre nga Medvegja.
Sipas deputetit shqiptar në Parlamentin serb, Shaip Kamberi, pasivizimi që po zbatohet, siç ka thënë, në mënyrë seleksionuese ndaj shqiptarëve, ua pamundëson atyre që të shfrytëzojnë të drejtën e votës.
“Kjo do të ndikojë dukshëm në fuqinë votuese të shqiptarëve në Medvegjë, sidomos kjo do të ketë pasoja negative në nivel lokal, sepse ul në vetëm 4 mandate të mundshme komunale përfaqësimin e shqiptarëve, prej 8 sa ishin më herët”, ka thënë Kamberi për KOHËN.
Sipas tij, pasivizimi ndikon edhe në Bujanoc e Preshevë, edhe pse jo në mënyrë drastike sikur në Medvegjë.
Për pasivitetin e adresave të shqiptarëve në këtë anë ka folur edhe Shqiprim Arifi, bartës i Alternativës Demokratike Shqiptare. Ai, pas hedhjes së votës të dielën, ka kërkuar nga shqiptarët e Luginës së Preshevës që të dalin masivisht e të votojnë për fuqizimin e të drejtave të tyre.
“Të japim një mesazh kundrejt Serbisë se neve edhe pse na diskriminoni, edhe pse na keni shkelur qe 20 vjet edhe pse së fundmi na keni pasivizuar, ne dalim të votojmë dhe tregojmë artin e luftës ndaj kësaj dukurie që tash e dy dekada është duke na u bërë. Unë i ftoj të gjithë qytetarët gjithandej Preshevës që të votojnë dhe të tregojnë edukatën demokratike”, ka thënë ai.
Për pasivitetin e adresave të shqiptarëve në këtë anë ka kritikuar qeveritë në Prishtinë e Tiranë.
“Kemi raportime me vite, se 6 mijë deri 10 mijë qytetarë nuk kanë mundësi të votojnë. Ne shohim lëvizjen e madhe nga Kosova që vjen në drejtim të Bujanocit duke mobilizuar serbët në veri të Kosovës, shohim politikë proaktive të Serbisë për të ruajtur fuqinë e saj dhe shohim një neglizhencë të Qeverisë së Kosovës. Kjo është fatkeqësi”, ka theksuar ai.
Edhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, të dielën, ka thënë se sot është dita e aktivizimit kundër pasivizimit.
“Dita kur si qytetarë zgjedhim ata dhe ato që do të flasin dhe veprojnë në emrin tonë në Parlament. Në vazhdën e diskriminimit dhe shtypjes shtetërore, të shoqëruar tashmë edhe me politikat e pasivizimit, duhet të jemi çdo herë e më shumë aktivë për deputetë e deputete cilësorë dhe të rreshtuar drejt. Që janë përherë në koalicion me shqiptarët. Me interesin e përgjithshëm”, ka shkruar Sinani.
Partitë shqiptare në Luginë të Preshevës po garojnë me dy lista zgjedhore me gjithsej 20 kandidatë për deputetë.
Ragmi Mustafi nga Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës, ditë më parë në “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se Serbia me pasivizimin si mjet administrativ për spastrim etnik që ka përdorur, pretendon se përbërja në Luginë është ndryshe.
“Unë i ftoj të gjithë qytetarët që jetojnë në Fushë-Kosovë, në Gjilan e Kamenicë që të jenë pranë kutive të votimit për të ushtruar të drejtën edhe nëse nuk janë në lista zgjedhore, në mënyrë që të dëshmojnë që shqiptarët kanë vullnet dhe janë në vendin e vet, aty ku janë autoktonë, në vendlindjen e tyre dhe kërkojnë të drejtat e tyre pavarësisht diskriminimit që iu shtrohet në supet e tyre”, ka theksuar ai.
Numri i saktë i shqiptarëve që jetojnë në Serbi nuk dihet, pasi ata nuk kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë. Pas zgjedhjeve të vitit 2020, shqiptarët e Luginës së Preshevës janë përfaqësuar me tre deputetë në Parlamentin prej 250 vendesh të Serbisë.
Sipas gazetës “Danas”, deri në orën 11:00, 2 mijë qytetarë nga Novobërda , Gjilani, Kamenica e Vitia kanë shkuar në Bujanoc për të votuar.
Ndërkohë, më shumë se 6000 shqiptarë etnikë janë hequr nga listat e votuesve në Serbi, sipas një studimi nga akademikja dhe ish-banorja e Preshevës, Flora Ferati-Sachsenmaier.
Shqiptarët etnikë janë fshirë sistematikisht nga listat e votuesve, duke i bërë ata de facto pa shtetësi dhe të paaftë për të marrë ose rinovuar dokumente identiteti, për të përfituar nga arsimi ose kujdesi shëndetësor apo të regjistrojnë lindjen e fëmijëve të tyre, raporton Euracitv.
“Në vitin 2015, unë po hulumtoja në këtë zonë dhe disa nga familjet, aktivistët dhe politikanët që hasa, vazhdonin të thoshin ‘po na fshijnë, po na fshijnë’”, tha Sachsenmaier, e cila ishte e para që dha alarmin për situatën.
Të dhënat e mbledhura dhe të përpunuara nga Sachsenmaier, bazuar në listat historike të votuesve, sugjerojnë se 4200 banorë në Komunën e Medvegjës dhe 2000 në Bujanoc janë çregjistruar.
Me zgjedhjet e trefishta në Serbi, heqja e një numri kaq të lartë të shqiptarëve etnikë nga listat e votuesve mund të ndryshojë rezultatin e votave.
Të dhëna të mëtejshme të mbledhura nga Sachsenmaier sugjerojnë se disa fshatra të Medvegjës kanë parë rënie të popullsisë shqiptare mes 41 deri në 71 për qind, edhe pse ata nuk u larguan kurrë nga zona.
Për shembull, në fshatin Sfrice numri i votuesve shqiptarë etnikë është ulur me 71.25 për qind mes viteve 2012 dhe 2019. Në Sijarinë me 70.64 për qind.
Sipas hulumtimit të Sachsenmeirit dhe dëshmive të mbledhura të banorëve, autoritetet serbe, nën mbulimin e ligjit të qëndrimit, pretenduan se po dërgonin njerëz për të verifikuar vendbanimet.