Arbëri

Pasaporta e kompetencave arrin në Kosovë

Përfaqësuesit e Bashkëpunimit Gjerman për Zhvillim u ndajnë certifikatat këshilltarëve për Pasaportën e Kompetencave - një instrument i ri ky për rritje të aftësive për punësim dhe integrim të kategorive të rrezikuara në Kosovë.

Kështu bën me dije përmes një komunikate për media GIZ-i gjerman, në të cilën gjithashtu tregohet se grupin e këshilltareve dhe këshilltarëve të certifikuar të cilët do të jenë ambasadorë të Pasaportës së Kompetencave në Kosovë e përbëjnë 22 individë nga 13 institucione të ndryshme dhe organizata të sektorit civil me përvojë të gjatë në punë me kategori të ndjeshme dhe vështirësi në punësim.

“Aktivitetet në implementimin e Pasaportës së Kompetencave në Kosovë kanë filluar në nëntor të v. 2017 me identifikim të partnerëve, përshtatjen e vetë instrumentit dhe programet e këshillimit dhe trajnimit të përfaqësuesve të organizatave të përzgjedhura”, thuhet në njoftim.

Në ceremoninë e ndarjes së ndarjes së certifikatave ishin prezent përfaqësues të MASHT-it, Odës Ekonomike dhe projekteve të ndryshme të bashkëpunimit gjerman për zhvillim.

Amira Omanoviq, zëvendëse e menaxherit të fondit sektorial nga GIZ ORF MMS është e kënaqur me faktin që Pasaporta e Kompetencave si instrument i ri regjional për përmirësimin e aftësive për punësim të kategorive të ndjeshme, pas Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Serbisë po fillon të implementohet edhe në Kosovë. Ajo falënderoi Ministrinë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim që njohu rëndësinë e këtij projekti dhe vazhdimin e implementimit në vendet e rajonit.

Menaxherja e projektit Amra Muratoviq tha se ky instrument shfrytëzohet në teren si përkrahje grupeve të margjinalizuara dhe të kthyerve në vendet e Evropës Juglindore. Pasaporta e Kompetencave është implementuar në Bosnje gjatë gjashtë viteve të kaluara, por jo me qëllim të punësimit, por të përparimit të sistemit të mësimit joformal. Edhe fillimisht nuk ishte dizajnuar si instrument për punësim, Pasaporta e Kompetencave ka arritur efekte edhe në këtë segment, citohet në komunikatë.

Nga 2000 shfrytëzues të projektit Pasaporta e Kompetencave, 11% kanë bërë hapa drejt vetëpunësimit, 15% janë punësuar, 21% i janë kthyer shkollimit ndërsa 15% janë avancuar në punë-theksoi Muratoviq.

Ekrem Hyseni, përgjegjës për implementimin e projektit në Kosovë, përmendi aktivitetet e gjertanishme të projektit, theksoi rëndësinë e punës së deritanishme dhe procesit intensiv të trajnimeve. Ai tha se hartimi i strategjisë për implementim të ardhshëm të projektit në Kosovë do të kërkojë bashkëpunimin e të gjitha palëve të interesit tek të cilët do të prezantohet rrjeti i këshilltarëve në të ardhmen.

Bajram Fusha, në emër të këshilltareve dhe këshilltarëve për Pasaportën e Kompetencave në Kosovë nënvizoi mundësitë që ofrohen në Kosovë për përdorim të këtij instrumenti, gjithë potencialin ekzistues dhe planet e punës në të ardhmen.

Me këtë rast u prezantuan edhe versionet e përshtatura të Pasaportës në gjuhët shqipe dhe serbe për territorin e Kosovës..

“Implementimi i Pasaportës së Kompetencave realizohet në kuadër të projektit “Krijimi i mundësive për punësim të grupeve të rrezikuara përmes përmirësimit të shërbimeve komunale”, të cilin e financon Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe implementohet nga Organizata Qeveritare Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) në kuadër të Fondit të Hapur Rajonal për Evropën Juglindore – Modernizimi i Shërbimeve Komunale”.