Arbëri

Partitë zotohen për fushatë pa gjuhë të urrejtjes

Instituti “Demokraci për Zhvillim” ka organizuar ceremoninë e nënshkrimit të Deklaratës së Mirësjelljes për rrjete sociale, të cilën sot e kanë firmosur subjektet politike, organizatat joqeveritare dhe mediat. Kjo deklaratë përfshin zotimin që gjatë fushatave zgjedhore nuk do të përdoret gjuhë e urrejtjes dhe keqinformim. Këtë proces do ta përcjellin 10 monitorues

Përderisa rëndësi në fushatat zgjedhore viteve të fundit kanë edhe rrjetet sociale, instituti “Demokraci për Zhvillim” ka organizuar ceremoninë e nënshkrimit të Deklaratës së Mirësjelljes nga subjektet dhe institucionet e përfshira në fushatë. Kjo deklaratë të premten është nënshkruar nga përfaqësuesit e subjekteve politike, ata të mediave dhe organizatat joqeveritare.

Deklarata premton që gjatë zgjedhjeve lokale gjuha e urrejtjes do të jetë larg fushatave dhe teksteve mediale.

“Nënshkrimi i kësaj deklarate nga akterët që kanë treguar gatishmëri për bashkëpunim që të kemi një fushatë të drejtë zgjedhore, duke shtuar mesazhet të cilat nuk përmbajnë materiale negative si: gjuha e urrejtjes, lajmet e rreme, keqinformimi apo edhe gjuha shpifëse”, ka thënë Rrezarta Delibashzade, drejtoreshë e D4D.

Fushata zgjedhore do të përcillet nga dhjetë monitorues.

“Monitoruesit do të monitorojnë punën e faqeve zyrtare të subjekteve politike, duke përcjellë zotimet, të cilat i nënshkruajnë sot përfaqësuesit e subjekteve politike, përfaqësuesit e mediave, si dhe organizatat joqeveritare dhe të kemi respektimin e tyre”, ka thënë Delibashzade.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, folësit e kanë theksuar edhe rolin që kanë në Kosovë mediat sociale.

“Media sociale po luan një rol të jashtëzakonshëm. Ajo që është interesante për neve, është që mediat sociale kanë qenë formë dominuese e komunikimit në Kosovë, dhe ka më shumë se 1 milion shfrytëzues. Kjo është rritje. Kjo deklaratë që e nënshkruani sot, e vendos Kosovën në një pozitë udhëheqëse dhe ideja është për të krijuar balancimin e ideve për një qëllim të mirë”, ka thënë Mark Baskin, drejtor i “Center Humanitarion Dialogue”.

Mekanizmi i krijuar nga instituti “Demokraci për Zhvillim” do të monitorojë përmbajtjen e zotimeve dhe do ta përpilojë një raport përfundimtar me gjetjet.