Dy javë para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, veprimet e subjekteve politike, sipas analistëve, janë orientuar drejt shmangies së përgjegjësisë për një dështim të mundshëm të procesit. Sipas tyre, të gjitha partitë kanë pjesën e tyre të fajit
Afatin e mbetur prej 14 ditësh për të zgjedhur presidentin e ri, partitë politike po e shfrytëzojnë për ta hequr përgjegjësinë nga vetja për një dështim të procesit, theksojnë njohësit e çështjeve politike.
Sipas analistit Afrim Kasolli, partitë janë futur në një cikël shfajësimi, me synim krijimin e perceptimit se nuk mbajnë përgjegjësi për moszgjedhjen e presidentit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNjë logjikë që, sipas tij, ka përcjellë edhe bllokadën institucionale të vitit të kaluar.
Ndonëse këtë strategji e ndjekin tri partitë më të mëdha, Kasolli vlerëson se ajo është më e theksuar te Lidhja Demokratike.
“Lidhja Demokratike e kishte pësuar tej mase në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Prandaj, kjo përvojë traumatike duket se është duke i kushtëzuar veprimet politike të Lumir Abdixhikut që ai të shfaqet në opinionin publik si lideri që është më së paku fajtor për pamundësinë e subjekteve të tjera për t’i dhënë vendit një president të ri”, ka thënë Kasolli.
Ai thotë se edhe deklarimet e zyrtarëve të Partisë Demokratike janë në të njëjtën frymë shfajësimi, por janë më komod për shkak të elektoratit më të qëndrueshëm të partisë.
Kasolli thekson se Vetëvendosja do të tentojë që deri në fund të afatit kushtetues të imponojë kandidatët e saj, Galuk Konjufcën ose Fatmire Mulhaxha-Kollçakun.
Por, sipas tij, as partia e parë në zgjedhjet e fundit, nuk është e interesuar për një kompromis.
Ai ka thënë se strategjia e partisë në pushtet është të krijojë perceptimin se opozita po punon për ta dështuar procesin, ndërsa paralelisht po ndërmerren politika për efekt elektoral.
“Planifikimet për një injeksion prej 200 milionë eurosh në muajin e ardhshëm për pakon e re ekonomike, gjoja për të përballuar inflacionin që ka goditur Kosovën. Të gjitha këto masa, deshëm apo s’deshëm në masë të madhe krijojnë përshtypjen që edhe Lëvizja Vetëvendosje në prapaskenë është duke u përgatitur për zgjedhje të reja të jashtëzakonshme. Por gjithmonë duke u nisur nga presupozimi dhe kalkulimi se edhe ky si subjekt politik ishte viktimë e komplotit të subjekteve opozitare”, ka thënë ai.
E analisti, Arbnor Sadiku thotë se përgjegjësia për dështim i bie Vetëvendosjes.
Megjithatë, një palë zgjedhje të reja, do i konvenonin LDK-së, sipas tij.
Ai ka theksuar se një bashkim mes ish-presidentes Vjosa Osmani dhe Abdixhikut nën një subjekt garues, do ta sfidonin Vetëvendosjen e Kurtit.
“Do të kishim një bllok të kryesuar nga zotëri Abdixhiku dhe Vjosa Osmani dhe bllokun tjetër nga zotëri Kurti dhe partitë e tjera siç është Partia Demokratike dhe Aleanca dhe do të kishim një garë bukur të fortë elektorale”, ka deklaruar ai.
Aktualisht, koalicioni i ndërtuar nga Vetëvendosje ka 66 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 15 e AAK-ja gjashtë.
Për zgjedhjen e presidentit nevojiten 80 vota në dy raundet e para. Në garë janë dy kandidatët e Vetëvendosjes, të cilët në seancën e 5 marsit nuk arritën të sigurojnë as kuorumin për nisjen e votimit.
Të hënën që shkoi është zhvilluar një takim mes Abdixhikut dhe Kurtit, por pa marrëveshje. PDK-ja ka kërkuar që një takim i mundshëm Kurti–Hamza të ftohet zyrtarisht me letër, ndërsa Abdixhiku ka bërë të ditur se tashmë është takuar edhe me Hamzën.
Kryeministri Kurti, deri më tani, nuk e ka ftuar në takim kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn.
Gjykata Kushtetuese ka caktuar afat deri më 28 prill për zgjedhjen e presidentit. Në të kundërtën, vendi shkon në zgjedhje që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.