Partitë jo parlamentare janë ulur në një tryezë të përbashkët dhe diskutuan për Reformën Zgjedhore.
Diskutuesit thanë, se dy partitë e mëdha, përmes një marrëveshjeje të fshehtë kërkojnë që të mos ketë ndryshime thelbësore në Kodin Zgjedhor.
Bashkëkryetari z.Koço Kokëdhima, njëkohësisht drejtues i partisë “Zgjidhja” kërkoi bashkimin e forcave që përmes propozimeve konkrete të krijohet mundësia e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Ata konstatuan, se reforma zgjedhore është kushti kryesor që Shqipërisë t’i hapen negociatat në qershor të 2019-ës. Përfaqësues të partive gjatë diskutimit për reformën theksuan se “vendi nuk integrohet në Europë, pa kryerjen e reformës zgjedhore. Shqipëria qeveriset nga një rrëgjim hibrid, nuk ka një demokraci të vërtetë parlamentare e pluraliste, sovraniteti i popullit dhe sundimi i ligjit janë zëvendësuar nga marrëveshja mes partive të vjetra”.
Propozimet e partive
Zef Bushati, Aleanca Demokristiane
“Sot fiton alternativa e re dhe ky vend ka nevojë për alternativë të re qeverisëse, që populli ta mbështesë, tha Zef Bushati, kreu i Partisë Aleanca Demokristiane.- Të lindë një rreze shprese në këtë vend, me qëllim që njerëzit të mendojnë për të qëndruar edhe pak kohë, për tu përpjekur edhe njëherë që të realizojë atë dëshirë që kemi vite e vite të tëra, që nuk po e realizojmë dot. Këto janë dy çengela që po e mbajnë zvarrë këtë shtet dhe popullin.
Meqë jemi te ligji zgjedhor, theksoj, se ky ligj duhet të jetë kushtetues dhe është antikushtetues, ky ligj duhet të jetë demokratik, por është antidemokratik”. Më tej, Bushati paralajmëroi se duhet do të përdorin të gjitha format, deri edhe protesta, që ta çojnë zërin te institucionet ndërkombëtare. “Të realizojmë atë që kemi thënë kohët e fundit: pa reformë zgjedhore nuk do ketë negociata. Edhe ata janë të bindur se reforma zgjedhore po e mban peng këtë vend”, tha Bushati.
Artur Roshi, Balli Kombëtar Demokrat
“Mendoj, se dy partitë e mëdha nuk kanë ndonjë shqetësim përsa i përket Kodit Zgjedhor. Ka një dakordësi të heshtur,-tha Roshi.- Besoj se me një lloj intuite nga janari do të bëjnë një riveshje të kodit zgjedhor dhe do të hedhin në treg një gjë të mbaruar para Europës, si një gjë që kërkuan shqiptarët, por thelbi nuk do të preket. Ne kemi ardhur këtu sot për thelbin. Nëse nuk realizohet vota e lirë, na vjen në mendje që jemi një sistem bipolar dhe jo demokratik”.
Sipas Roshit, “nëse këto dy parti do të kishin ardhur me një garë të lirë dhe shanse të barabarta, të gjithë do t’i pranonin sepse ne pranojmë garën. Dy partitë e mëdha kanë përgjegjësi para shqiptarëve. Kështu që, përgjegjësia në këtë rast është e Partisë Demokratike, që e mban vetën si parti e djathtë. Dhe në këtë kontekst ka përgjegjësinë për t’ju drejtuar lirisë së votës. Kjo është sfida që mund t’i bëjë Partisë Socialiste. Këtë gjë nuk e pres nga maxhoranca, e cila është në vazhdimësinë e djeshme”. Roshi tha se pa sistemin politik nuk bëhet vetting në drejtësi, sepse drejtësinë në njëfarë mënyre e bën politika.
Selami Jenishehri, Bashkim i Pensionistëve të Shqipërisë
Për mua është esenciale që emigrantët të arrijnë të votojnë, tha Selami Jenishehri. “Emigrantët janë njerëz të paanshëm. Ata e dinë, sesi vuajnë baballarët, nënat, vëllezërit dhe motrat e tyre në këtë vend. Vota e tyre është një votë që do shkojë për ato parti dhe njerëz, të cilët do ta çojnë përpara këtë politikë. Jemi përpara një qëndrimi jashtëzakonisht armiqësor nga partitë e mëdha”.
Më tej ai ofron zgjidhjen. “Si mendoj unë ta rregullojmë këtë punë? Të bëjmë koalicion me gjitha partitë e vogla që janë dakord të bashkohen me ne, por të mos kemi asnjë kryetar. Të jemi gjithë bashkëkryetarë. Ne do vendosim se kush do të jetë deputet dhe ata do të bëjnë politikën tonë. Ama, ata duhet të jenë njerëz me mend, jo injorantë! Pra, ja që e rregulluam edhe këtë punë. Vumë njerëz me mend dhe jo ministra servilë, sepse këto janë dy të këqija që kemi në këtë vend”.
Koço Kokëdhima, partia “ZGJIDHJA”
“Ligji që kërkojmë ne, duhet të prodhojë standarde. Unë jam dakord me mjaft konsiderata që dhanë kolegët këtu. Pajtohem plotësisht me idenë e përgjithshme që shprehen shumë diskutantë, që nuk mjafton e drejta për të fituar. Ashtu siç nuk mjafton edhe fuqia për të fituar. Kur bëhen bashkë e drejta dhe fuqia, mund të bëhen ndryshime të mëdha”, deklaroi kryetari i Partisë Zgjidhja, Koço Kokëdhima.
“Ne kemi të drejtë të ngrihemi, të kemi fuqi, ashtu siç kuptojmë, se këta që kanë uzurpuar demokracinë e Shqipërisë, kanë fuqinë, por se kanë të drejtën. Kështu që, ne duhet të prodhojmë më shumë fuqi, që ta bashkojmë të drejtën e madhe”, tha Kokëdhima. “Nëse më lejoni miqësisht, do të thosha që, nuk bëjmë dot marrëveshje të mëdha në kuptimin e konvergjencës strukturore dhe organizative, por ne mund të bëjmë marrëveshje të mëdha në kuptimin e kauzave. Dhe kjo është një kauzë e madhe, që të bëjmë një bashkim të qëndrueshëm ta ndihmojmë këtë kauzë”, tha kreu i Zgjidhjes duke shtuar se, “PS dhe PD nuk bëjnë kurrë me hir reformë zgjedhore!”
Propozimi
Gjatë mbledhjes së djeshme, përfaqësuesit e partive jo parlamentare propozuan shtatë pika të domosdoshme për Kodin Zgjedhor, për të pasur zgjedhje të lira dhe transparente. Ato kërkuan që: Kodi zgjedhor duhet të përcaktojë qartë, se cilët janë individët që do të thirren për të votuar; personat që duhet dhe mund të kandidojnë; rregullat dhe kërkesat për krijimin e zonave zgjedhore; kufizime të ashpra për reklamën dhe advokacinë që bëjnë partitë e mëdha në zgjedhje; kufizime të ashpra në aspektin e deklarimit në mënyrë transparente të shpenzimeve të fushatave elektorale të partive të mëdha; mënyrat dhe mjetet si do të numërohet vota; mënyrën dhe mjetet për të llogaritur votën; procedura të qarta për ankimimin dhe respektim të kësaj procedurë. Në përfundim të takimit, diskutantët vendosën që të zhvillojnë takime me përfaqësues të OSBE-së në Gjermani dhe Francë, duke e ngritur në kauzë shqetësimin e tyre.
Partitë jo parlamentare i drejtohen me 7 kërkesa OSBE-së, ODIHR-it, SHBA-ve dhe BE-së
Deklarata e tryezës së partive politike:
Përfaqësuesit e partive politike që kërkojnë zgjedhje të barabarta dhe të lira, të mbledhura sot në një tryezë në Tiranë, me shqetësimin e thellë pse Shqipëria nuk ka arritur përparimin e duhur drejt demokracisë, deklaruan se Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk arrin të bëjë zgjedhje të lira, të barabarta dhe të ndershme.
Tryeza e sotme e partive politike konstatoi se reforma zgjedhore është një kusht themelor që Shqipërisë t’i hapen negociatat me Bashkimin Europian në qershor 2019. PS dhe PD janë në bashkëpunim dhe mbajnë peng zgjedhjet.
Vendi ynë prej 25 vitesh monitorohet në zgjedhje nga organizmat ndërkombëtare. Zgjedhje certifikohen vazhdimisht si me progres dhe fatkeqësisht tani pas 25 vitesh republikë, në Shqipëri zgjedhjet vidhen, manipulohen, deformohen, intimidohen e dhunohen nga komisionerët dhe numëruesit e PS dhe PD dhe nga kriminelët e lidhur me to. Shqipëria qeveriset nga një regjim hibrid, nuk ka një demokraci të vërtetë parlamentare e pluraliste, republika, sovraniteti i popullit dhe sundimi i ligjit janë zëvendësuar nga marrëveshja mes dy partive të vjetra.
Tryeza e sotme e partive politike që duan zgjedhje të barabarta dhe të lira vendosi t’u drejtohet institucioneve ndërkombëtare: Prezencës së OSBE-së, misionit të ODIHR-it, përfaqësive diplomatike të SHBA-ve, BE-së, Gjermanisë, Francës e vendeve të tjera perëndimore si dhe miqve të Shqipërisë me këto kërkesa:
1-Reforma zgjedhore duhet të udhëhiqet nga Prezenca e OSBE-së. Ajo duhet të përfundojë këto muaj që të jetë gati për zgjedhjet vendore të vitit 2019. Makinacionet e partive të vjetra në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore për të mos prekur Kodin aktual Zgjedhor në këmbim të votës së emigrantëve shqiptarë në zgjedhjet për pushtetin vendor, kanë për qëllim të pengojnë reformimin e qenësishëm të zgjedhjeve të vitit 2019. Këto zgjedhje duhet të bëhen me ligjin dhe kodin e ri zgjedhor. Ne nuk pranojmë retushimin e ligjit zgjedhor, por vendosjen përfundimtare të standardeve demokratike në procesin zgjedhor tē garantuara me ligjin dhe kodin zgjedhor.
2- Partitë e vjetra politike duhet të heqin dorë nga administrimi i zgjedhjeve. Ato kanë kryer krime të rënda elektorale dhe kanë shkatërruar zgjedhjet e lira në Shqipëri. Sali Berisha dhe Edi Rama duhet të kërkojnë ndjesë publike për krimet elektorale që kanë kryer ndër vite. PD dhe PS janë përgjegjëset kryesore të shkatërrimit të standardeve të zgjedhjeve në Shqipëri.
Procesin zgjedhor duhet ta drejtojë një administratë zgjedhore shtetërore, e pavarur dhe jopartiake si në të gjitha vendet demokratike në rajon dhe më gjerë. Partitë e vjetra nuk mund të vazhdojnë të numërojnë votat e partive të tjera. Të drejtat e çdo partie duhet të jenë të barabarta në raport me administratën dhe në procesin zgjedhor.
3-Kodi i ri zgjedhor duhet të garantojë futjen e teknologjisë në votime, identifikimin biometrik të zgjedhësve dhe numërimin elektronik në qendrat e votimit. Nuk mund të vazhdojë transporti i kutive me vota të panumëruara. Çdo votë duhet të numërohet në qendrat e votimit. Kodi i ri elektoral duhet të garantojë realisht e plotësisht përmbushjen e të drejtës kushtetuese të çdo qytetari shqiptar për të zgjedhur e për t’u zgjedhur lirisht.
4-Reforma zgjedhore duhet të realizohet me transparencë përmes një procesi të hapur e gjithëpërfshirës dhe jopërjashtues e në dëm të partive të reja. Në diskutime duhet të përfshihen të gjitha partitë politike në vend. Vettingu i klasës politike duhet të realizohet përmes zgjedhjeve të lira dhe të barabarta që janë instrumenti bazë për këtë qëllim.
5-Kodi i ri zgjedhor duhet t’i shpëtojë zgjedhjet nga monopoli i partive të vjetra dhe nga paratë e krimit, korrupsionit dhe oligarkëve të lidhura me to. Ky kod duhet të garantojë jo vetëm lirinë e konkurrencës dhe të përfaqësimit të qytetarëve, individëve dhe partive e grupimeve politike, por edhe përfaqësimin e drejtë me mandate në kuvend e në këshillat bashkiake të votës proporcionale të popullit. Ligji dhe kodi i ri zgjedhor nuk duhet të avantazhojë PD-në dhe PS-në dhe nuk duhet të vendosë barriera ligjore për të penguar suksesin e alternativave të reja politike.
6-Të përfshihet dhe të garantohet e drejta e emigrantëve për të marrë pjesë në votime, si pjesa më e edukuar me demokracinë. Ata janë më të paanshëm, të pashantazhueshëm dhe të pamanipulueshëm nga elita e vjetër dhe e korruptuar politike.
7-Tryeza falenderon shoqërinë civile që është bashkuar me kauzën e reformës zgjedhore për pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve dhe fton të gjithë qytetarët dhe inteligjencën e vendit që t’i bashkohet kësaj kauze jetike për të ardhmen e Shqipërisë dhe për fatet e popullit.
Tryeza zgjodhi një përfaqësi e cila do të marrë takime për të parashtruar kërkesat e kësaj tryeze në institucionet politike të vendit dhe ato ndërkombëtare në Tiranë dhe në Europë të interesuara për zhvillimet në Shqipëri.
Basha: Shqiptarët duan vettingun në politikë, platforma e politikës me katër pika
Partia Demokratike ka zhvilluar dje një mbledhje të grupit opozitar, e cila ka konkretizuar disa hapa të platformës për vettingun e politikanëve dhe aksionin e partisë në ditët në vijim. Ata munguan dje në komisionet parlamentare, si dhe kanë deklaruar që nuk do të jenë më pjesë e tyre as gjatë kësaj jave. Kryedemokrati Basha, është shprehur gjatë mbledhjes, se qytetaret e duan vettingun në politikë dhe për këtë ka marrë qindra mesazhe nga ana e tyre. “Shumica dërrmuese e qytetarëve përkrahin vettingun me ligj për politikanët dhe zyrtarët e lartë të lidhur me krimin e organizuar dhe të korruptuar. Shqiptarët duan që vettingu në politikë të ndodhë. Shqiptarët kërkojnë që të mos ketë kriminelë dhe politikanë të lidhur me krimin në Kuvend dhe qeveri. Kam marrë me mijëra mesazhe nga njerëzit që mbështesin për ta çuar deri në fund këtë proces. Kemi mbështetjen e shoqërisë. Shqiptarët kërkojnë ndarjen përfundimtare të politikës nga krimi”. Menjëherë pas dorëzimit të draftit në Kuvend, në datë shtatë shtator për vettingun në politikë, opozita ka ngritur edhe grupin e punës, që do të kryesohet nga Ervin Salianji nga PD dhe Petrit Vasili nga LSI.
Propozimi
Propozimi i opozitës për vetting në politikë mund të miratohet më 18 tetor, nëse nuk do të mungojë vullneti i maxhorancës. Procedura parlamentare parashikon që: kryetari i Kuvendit duhet të njoftojë Kuvendin për nismën më 13 Shtator, e cila është seanca e parë pas depozitimit të nismës më 7 Shtator. Amendamenti kushtetues futet menjëherë në programin e punës së Kuvendit: nisma shqyrtohet në mbledhjen e përbashkët të hapur për publikun mes Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit për Legjislacionin dy javë nga data e depozitimit, jo më vonë se 21 Shtator. Mbledhja i paraqet seancës raportin e hartuar nga relatorët: seanca plenare për miratimin e amendamenteve kushtetuese thirret jo më vonë se tre javë nga paraqitja e raportit.
Bojkoti
Partia Demokratike do të bojkotojë edhe seancën e tretë plenare për sesionin e ri parlamentar. Ditën e enjte grupi parlamentar i PD do të mblidhet në qytetin e Durrësit. Lajmi konfirmohet nga burime pranë selisë blu, pas mbledhjes së grupit të PD, ndërsa këtë javë do të bojkotohen edhe komisionet parlamentare. Pas mbledhjes së grupit të PD, Basha do të zhvillojë një takim me aleatët për të koordinuar mbledhjen e ditës së enjte në Durrës. Edhe në takimin e radhës që është planifikuar në Durrës pritet që grupit të PD t’i bashkohen edhe aleatët LSI dhe PR. Argumenti i opozitës për zhvendosjen e mbledhjeve paralele të Kuvendit nga njëri qytet në tjetrin ditën e seancave plenare është se gjithçka bëhet për të qenë pranë banorëve pas ngjarjeve të fundit kriminale.
Maxhoranca: Vettingu i Bashës është propagandë
Në mungesë të kryeministrit Edi Rama që ndodhet në SHBA, në mbledhjen e zakonshme të grupit parlamentar të PS u diskutua propozimi i z.Basha për vettingun në politikë, të cilën socialistët e kanë refuzuar menjëherë. Burime nga Partia Socialiste kanë konfirmuar për “Shekulli”-n, se propozimi i Bashës për vettingun e politikanëve nuk respekton Kushtetutën dhe organet ndërmjetëse të drejtësisë. Sipas tyre, vettingun e vërtetë mund ta bëjë Reforma në Drejtësi, duke e cilësuar platformën e opozitës si një formë për të shpëtuar vetën nga drejtësia. Arsyetimi i maxhorancës për vettingun:
1.Nisma e Bashës është cungim i reformës në drejtësi. SPAK dhe BKH sigurojnë vetingun e politikës në shkallë shumë më të gjerë: a. SPAK dhe BKH nuk kalojnë në sitë vetëm lidhjet e politikanëve me krimin (siç parashikon propozimi i Bashës), por edhe pasurinë dhe të ardhurat e tyre; b. SPAK dhe BKH nuk ndalojnë vetëm tek politikanët (siç parashikon propozimi i Bashës), por edhe tek familjarët e tyre; c. SPAK dhe BKH nuk mjaftohen vetëm me largimin e politikanëve të lidhur me krimin nga politika (siç parashikon propozimi i Bashës), por sigurohen që ndaj politikanëve të korruptuar dhe lidhur me krimin merren masa ndëshkuese deri edhe me burgim. 2. Nisma e Bashës është autoveting i politikës, ndërkohë përmes SPAK dhe BKH vetingun e politikës nuk e bëjnë vetë politikanët apo disa “kukulla” të zgjedhur prej tyre, por organet e pavarura të drejtësisë dhe institucionet kushtetuese, të monitoruara nga BE dhe SHBA. 3. Pas muajsh përpjekje për të ndaluar reformën në drejtësi dhe ngritjen e SPAK dhe BKH, tani që institucionet kushtetuese që do të kryejnë vetingun e politikës janë gati për të nisur nga puna, Basha vjen me një propozim për të dobësuar SPAK dhe BKH dhe për t’i zëvendësuar ato me një “gjoja” veting që: a. Bëhet nga vetë politikanët për veten e tyre; b. Nuk merret me pasurinë e politikanëve; c. Nuk merret me familjarët e politikanëve; d. Nuk merret me dënimin e politikaneve te korruptuar apo të lidhur më krimin.