Arbëri

Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme në Kosovë

Riga të dobëta shiu pritet të ketë edhe gjatë javës së ardhshme në Kosovë, por jo siç kishte gjatë ditëve të fundit.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur të dielën se cikloni që është paraqitur këto ditë, do të dobësohet gjatë pesë ditëve të ardhshme, për të vazhduar me mot relativisht të mirë dhe me intervale të gjata me diell.

“Riga të dobëta mund të ketë gjatë javës, si pasojë e zhvillimit të vranësirave lokale, por reshje siç patëm ditëve të fundit, nuk parashihen”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Të hënën e 4 prillit parashihet që në orët e para të ketë ngrica të dobëta, të cilat mund të jenë të dëmshme për disa lloje të pemëve, të cilat vetëm se janë në fazën e lulëzimit.

Temperaturat minimale do të lëvizin rreth 0 deri në 7 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës do të jenë tipike pranverore, duke lëvizur në kufijtë 10-20 gradë Celsius.

Sipas IHMK-së, do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimet e ndryshme.