Arbëri

Paraliza e Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Mjekësore

AKPPM-ja është njëra nga institucionet më të rëndësishme të shëndetësisë publike. Por, ky institucion ka më shumë se tre vjet që funksionon pa kryeshef. Ajo nuk është mbështetur as në programin e Qeverisë, ani që ka histori të gjatë kërkesash për buxhet shtesë e rritje të kapaciteteve njerëzore

Qysh prej vitit 2018, Agjencia Kosovare për Produkte dhe Pajisje Mjekësore menaxhohet nga drejtues të përkohshëm. Disa herë është ndërruar ushtruesi i detyrës së kryeshefit, por konkurs i rregullt për këtë post nuk është hapur.

Gjatë javës që shkoi, KOHA ka provuar të marrë përgjigje për datën se kur do të hapet konkursi i ri, por askush nuk është përgjigjur.

Kryeshefi i AKPPM-së ka mandat trevjeçar. Nëse me kohë do të ishte zgjedhur një kryeshef, atij tashmë do t’i kishte përfunduar mandati, e procedurat do të ishin hapur për të riun.

Mënyra se si për këto vite është drejtuar Agjencia, sipas Ligjit për Shërbyes Civilë është e jashtëligjshme. Një gjë e tillë parashihet në pikën 4 të nenit 30 të këtij ligji.

Në rast të mbetjes së një pozite të lirë në shërbimin civil, ushtruesi i detyrës nuk mund të emërohet më gjatë se tre (3) muaj.

Agjencia Kosovare për Produkte dhe Pajisje Mjekësore është një nga institucionet kryesore të shëndetësisë publike. Ky institucion do të duhej të garantonte cilësinë e të gjitha produkteve mjekësore që hyjnë në Kosovë.

Por, historikisht në këtë institucion ka ankesa për mungesë stafi e për vështirësi financiare. Asnjëra nga to nuk është adresuar nga Qeveria Kurti, madje Agjencia nuk përmendet fare në programin qeverisës.

E pasiviteti i AKPPM-së shihet edhe nga faqja zyrtare e këtij institucioni.

Në korrik të vitit 2020 është publikuar lajmi i fundit aty.

Dikur ky institucion ishte në vëmendjen e mediave.

Në kohën e kryeshefit të fundit me mandat të plotë, u avulluan gati 1 milion euro në emër të avancave. Për pasojë, disa zyrtarë të AKPPM-së janë dukë u përballur me akuza.

E edhe disa nga kryeshefat e kaluar mandatin e patën përmbyllur si të dyshuar e akuzuar për korrupsion në lidhje me veprimtarinë e institucionit.