Me kërkesë të Ministrisë së Infrastrukturës, Komuna e Vushtrrisë dhe ajo e Mitrovicës kanë paralajmëruar ndalimin e qarkullimit të kombibusëve që bartin udhëtarët nga këto komuna për në kryeqytet dhe anasjelltas. Ngasësit thonë se me këtë punë mbajnë familjet dhe, nëse edhe kjo u ndalet, alternativë u mbetet braktisja e vendit. E, qytetarët përmendin shumë arsye që e bëjnë transportin me kombibusë më të lehtë krahasuar me atë me autobusë
Prishtinë, 27 shkurt - Prej 11 vjetësh, Mujë Krasniqi niset çdo ditë me kombibusin e tij nga Vushtrria për në Prishtinë dhe anasjelltas.
Krasniqi dhe shumë të tjerë si ai, organizojnë transportin për udhëtarët, ani se për punën që e bëjnë nuk kanë leje nga autoritetet. Por, thonë se këtë punë e kanë burim të vetëm të të ardhurave.
“7 anëtarë të familjes i mbaj. Mund të them se në përgjithësi kombistët janë të papunë, përjashtim bëjnë 30% që edhe punojnë diku edhe punojnë me kombi. Përndryshe këta të tjerët janë në gjendje të rëndë ekonomike”, tha Krasniqi.
Këtë deklaratë e mbështet edhe një transportues tjetër i udhëtarëve, i cili ka 25 vjet dhe mban familjen 7-anëtarëshe.
“Punoj me kombi, të ardhura të tjera nuk kam. Jam babë i dy djemve dhe jam veç një djalë në familje. Nuk kom dashur me ikë jashtë vendi me lënë babën dhe nënën vetëm e me iu mshel derën”, u shpreh Kastriot Krasniqi, transportues.
Edhe
Rreth 30 pacientë me dializë në Mitrovicë barten me vetëm një kombibus
Këta transportues udhëtarësh shpejt pritet të mbeten pa punën që e bëjnë, e nga e cila përfitojnë rreth 20 euro në ditë.
Në Komunën e Vushtrrisë thanë se aktiviteti i tyre do të ndalohet.
“Janë duke u identifikuar të gjithë transportuesit e udhëtarëve me kombibusë. Transporti i udhëtarëve me kombibusë është i ndaluar nga viti 2013, me ligjin mbi transportin e udhëtarëve”, ka thënë Shqiponjë Hajdari-Mikushnica, drejtoreshë e Drejtorisë së Inspektoratit në Vushtrri.
Të njëjtën e thanë edhe në Komunën e Mitrovicës.
“Kjo nismë ka ardhur nga inspektorët e transportit rrugor të ministrisë përkatëse, pas ankesave të pronarëve të autobusëve dhe si komunë kemi shprehur gatishmërinë tonë në këtë drejtim”, u shpreh Valon Brahimi, drejtor i Drejtorisë së Inspektoratit në Mitrovicë.
Ky përbën lajm të keq edhe për disa nga udhëtarët.
Edhe
Pronarët e autobusëve nga Mitrovica e Vushtrria paralajmërojnë bllokim rrugësh
“Kombi ka më shumë, nisen më shpejt e me autobus vonohesh tepër, një gjë s’e kuptoj pse mu ndalë”, deklaroi Merita Shala, që shpesh shfrytëzon kombibusët.
Edhe Zylfije Ademi thotë se me kombibusë mbërrin më shpejt në destinacion.
“Autobusë ka, por janë shumë më vonë sesa ne kemi me shku në punë. Ata vinë për 20 minuta më vonë se kombi dhe patjetër më duhet me udhëtu me kombi. Na marrin në qafë nëse na i ndalin”, u shpreh Ademi.
E, mundësi tjetër punësimi në Kosovë nuk shohin dy prej diku 100 ngasësve të kombibusëve që organizojnë këtë formë transporti nga Mitrovica dhe Vushtrria për në kryeqytet.
“Mua më duhet patjetër me bë një zgjidhje. Me shku jashtë vendit për me bë diçka”, tha Kastriot Krasniqi, transportues.
“Nëse na kishin bë një zgjidhje punësimi, përndryshe ne kemi me vazhdu me dal, s’kemi qare pa dalë, prej zorit po dalim”, shtoi Mujë Krasniqi, transportues.
Edhe
Shoqata e autobusëve të Mitrovicës e Vushtrrisë proteston për kushte të punës
Në Komunën e Vushtrrisë, në atë të Mitrovicës dhe as në Ministrinë e Infrastrukturës nuk treguan nëse ngasësit e këtyre kombibusëve do të sistemohen në ndonjë vend pune.
E, në mungesë sistemimi, Mujë Krasniqi dhe Kastriot Krasniqi alternativë të vetme e shohin largimin nga Kosova.