Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Paqartësi rreth organizimit të varrezave të dëshmorëve në Prishtinë

Dëshmorët dhe personat që kanë dhënë kontribut për kombin shqiptar, pas vdekjes po varrosen në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë.

Këtë javë në këto varreza në lagjen “Velania” të kryeqytetit u rivarrosën eshtrat e heroit Ilir Konushevci dhe dëshmorit Hazir Malaj, të cilët u zhvarrosen nga Shqipëria ku ishin vrarë 20 vjet më parë, raporton 038 në KTV.

Trupat e tyre tani e tutje, do të prehen pranë varrit të veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i cili vdiq muaj më parë. Aty afër gjendet edhe varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova.

Por, Komuna thotë se kjo hapësirë nuk është e specifikuar në asnjë vendim si varrezë e dëshmorëve.

Kryetari Shpend Ahmeti, paralajmëron që shumë shpejt do ta diskutojnë këtë çështje me Qeverinë, si dhe të sqarojnë se kompetencë e kujt është marrja e vendimeve për këto varrime.

Edhe Ahmeti nderon dëshmorët e Prishtinës dhe premton rregullimin e varrezave Arbëri Ahmeti nderon dëshmorët e Prishtinës dhe premton rregullimin e varrezave

“Besoj se do të ulemi, do t'i koordinojmë dhe natyrisht do të gjejmë edhe vendin e merituar për dëshmorët apo për personat e njohur, apo personat që kanë kontribouar për shtetin dhe kombin tonë.”...të diskutojmë pastaj me nivelin qëndror sepse këto vendime po merren pa konsultim paraprak me komunën, që nuk do të thotë që është vendim i gabueshëm, megjithatë duhet të marrim një vendim i cili nuk është ad hoc dhe vetëm për një vit, por do të mbetet vendim për gjenerata të tëra”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti kërkon që të caktohet një vend i përhershëm ku mund të prehen trupat e njerëzve të njohur që kanë punuar për vendin. Ai nuk përjashton edhe lokacionin aktual.

“Do të ishte mirë njëherë e përgjithmonë ta kemi një vend, nuk po e paragjykoj, mund të jetë edhe ai aty, por ta kemi një vend që është për varrezat për njerëzit të cilët janë më të njohur dhe që kanë kontribouar më shumë për vendin dhe popullin tonë”.

Ahmeti përjashton mundësinë e zhvarrosjes së trupave, nëse caktohet një tjetër lokacion për dëshmorët.

“Jo, nuk besoj se do të ndërmarrim vendime të tilla, ne aty në atë pjesë i kemi të varrosur edhe dëshmorët e Prishtinës që tashmë një pjesë ka përfunduar. Megjithatë do të investojmë që ta bëjmë një pjesë më të bukur, më të mirë, më të qasshme. Edhe më tutje ka mbetur ai projekti i ministrisë që e kanë pasur për organizimin e varrezave të dëshmorëve”, ka thënë Ahmeti.

Kreu i kryeqytetit kërkon që kjo çështje të definohet sakt edhe për një arsye tjetër.

“Mos të na përsëriten këto raste për shkak se, për shembull kur vdiq kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, prap ishte temë diskutimi se ku ta varrosim, kur vdiq veprimtari i madh kombëtar Adem Demaçi prap e patëm këtë çështje”, ka thënë ai.

Edhe Varrezat e dëshmorëve në Prishtinë pa kurrfarë statusi e përplot me mbeturina Arbëri Varrezat e dëshmorëve në Prishtinë pa kurrfarë statusi e përplot me mbeturina

Ahmeti thotë se organizimi i varrezave nuk është në kompetencën e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memorialeve. Sipas tij, kjo u takon ekskluzivisht komunave.

Por, në këtë agjenci e thonë të kundërtën. Sipas drejtorit të saj, Bislim Zogaj, është zhgënjyese shpërfillja që nga komuna.

“Edhe për mua është zhgënjyese se si në një vend ku nuk është përgjegjësi e dikujt tjetër apo kur është njëfar forme jemi ne zot shtëpie si agjencion, nuk vjen askush për të na pyetur neve se a mund të varroset ndonjë veteran apo personalitet apo ku të varroset, por shkojnë dhe i varrosin pa ndonjë pëlqim nga askush”, ka thënë Zogaj.

Zogaj e quan shqetësese mënyrën e rivarrimit të Ilir Konushevcit dhe Hazir Malajt në këto varreza, derisa kërkon që sa më shpejt të merren vesh me komunën dhe shoqatat e luftës për personat që duhet të varrosen në këtë hapësirë.

“Jam i shqetësuar me këto rivarrimet e fundit që mendoj se nuk është dashur të bëhen në këtë fomë, por megjithatë edhe kjo i takon të kaluarës dhe mendoj që urgjentisht duhet të ulemi ne si agjenci, komuna e Prishtinës, por edhe shumë institucione tjera relevante, duke përfshirë këtu sidomos shoqatat e luftës dhe të vijmë deri në një përfundim se kush mund të varroset aty dhe mbi të gjitha para se të bëhet një projekt i detajizuar aty nuk do duhej të varrosej askush tjetër për momentin”, ka thënë ai.

Zogaj thotë se në të ardhmen synojnë të hartojnë një projekt i cili do të përcaktonte varrimin edhe të personaliteteve dhe njerëz që kanë kontribouar për shtetin e Kosovës. Megjithatë, sipas tij, duhet të ketë disa kritere se kush do duhej dhe nuk do duhej të varrosej aty.

“Varri i Ibrahim Rugovës dhe Adem Demaçin duhet të jenë të paprekshëm. Por, edhe varrezat e dëshmorëve është vështirë për t'i lëvizur, për këtë do duhej sa më parë të takohemi dhe të bisedojmë për të bërë një zgjidhje që të paktën problemi të mos vijë duke u rritur por duke u zvogëluar”.

Edhe Osmani: Udhërrëfyes e kemi sakrificën e dëshmorëve Arbëri Osmani: Udhërrëfyes e kemi sakrificën e dëshmorëve

Zogaj se thotë se para pak ditësh, i ka kërkuar takim kryetarit Shpend Ahmeti për të zgjidhur këtë çështje, por që nuk ka marrë përgjigje.

Në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë janë mbi 40 varre. Aty pushojnë dëshmorë të kombit, veteranë të Luftës Çlirimtare, veprimtarë dhe personalitete politike.