Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se brenda Bashkimit Evropian, takimi i së enjtes midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është cilësuar si takimi më i mirë që palët e kanë zhvilluar deri më tash.
Në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, të enjtjen, Palokaj ka thënë se në këtë takim edhe pse ka pasur më shumë mospajtime se sa pajtime mes palëve, sikurse Kurti, edhe Vuçiq, e kanë kuptuar që duhet të punojnë se bashku për të arritur rezultate konkrete.
“Ajo çka është thënë nga BE-ja është se takimi ka qenë shumë i vështirë, që më shumë ka pasur mospajtime sesa pajtime, por se një burim i BE-së ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur takim më të mirë midis Kurtit dhe Vuçiqit sepse për herë të parë kanë shfaqur pikëpamjet e tyre se si e shohin normalizimin e raporteve mes dy vendeve dhe ndonëse nuk është arritur një rezultat konkret, thuhet se vetë fakti se e kanë kuptuar se duhet të punojnë se bashku për t’i ulur tensionet konsiderohet një lajm i mirë për BE-në dhe bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë Palokaj.
Ai ka shtuar se është diskutuar për një takim të ri gjatë mbrëmjes midis të dërguarve të posaçëm për dialogun nga BE-ja dhe SHBA-ja, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ndërsa një takim midis Lajçakut dhe zyrtarëve të BE-së është mbajtur edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Nuk janë spekulime, është thënë nga zyrtarët e BE-së se kontaktet vazhdojnë, ka pasur takim të z.Lajçak dhe të zyrtarëve të BE-së edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa më vonë në mbrëmje ishte folur për një takim të ri të z.Lajçak dhe të z.Escobar edhe me presidentin e Serbisë, z.Aleksandar Vuçiq. Përshtypja është që palët duhet të përmbahen nga deklaratat prandaj edhe s’kemi pasur deklarata të askujt, por z.Vuçiq lëshon deklarata përmes rrjeteve sociale ose përmes zyrtarëve të Serbisë, nuk është hera e parë që Serbia dramatizon, por nga kjo nuk mund të lexohet shumë”, ka thënë ai.
Palokaj ka shtuar se të enjten, për herë të parë është dëgjuar nga zyrtarët e Bashkimit Evropian se ka ardhur koha për të filluar diskutimet për marrëveshjen gjithëpërfshirëse.
“Sepse e kuptojnë se shumë probleme që dalin në terren janë si rezultat i mospajtimeve rreth çështjes së normalizimit të raporteve”, ka thënë ai.