Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë nevojitet shtytje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai thotë se Bashkimi Evropian i vetëm nuk mund ta ndihmojë këtë proces të shkojë drejt fundit pa mbështetjen e amerikanëve, ndërsa shton se asnjë krizë në Evropë nuk është tejkaluar pa ndihmën e SHBA-së.
Palokaj tha se administrata e presidentit Joe Bidenit beson se gjërat në botë mund të ndryshojnë dhe sipas tij kjo është gjë e mirë për Kosovën. Të lehtë e quan procesin e dialogut, nëse ndërkombëtarët janë të bashkuar për zgjidhjen e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Për të pasur sukses nuk mjafton mbështetja amerikane për BE-në por duhet shtytje amerikane sepse BE-ja është gjithmonë më hezitues. Nuk ekziston ndonjë krizë e madhe në Evropë që është zgjidhur vetëm nga BE-ja. Pres bashkëpunim konkret dhe shtytje nga SHBA që Evropa të zgjidhë një problem që është më shumë problem evropian se amerikan. BE-ja ka nevojë për ndihmë nga SHBA-ja. Për Kosovën do jetë më lehtë nëse miqtë tanë ndërkombëtarë do të jenë të bashkuar”, tha ai në DESKU të KTV-së.
Palokaj ka vlerësuar si lajm të mirë se emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë sot në Prishtinë se Asociacioni i komunave serbe do të bëhet në bazë të tri dokumenteve, përfshirë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Ai ka thënë se pret presion ndaj Kosovës për krijimin e Asociacionit. Por, thotë se do të jetë interesante të shihet se çfarë do të thotë Lajçak në Beograd.
“Pres që ndaj Kosovës të ketë presion për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Ishte lehtësim të dëgjojmë z. Lajçak që tha sot se Asociacioni do të bëhet në bazë të tri dokumenteve, përfshirë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Të shohim se çfarë do të thotë z. Lajçak në Beograd. A do të thotë edhe atje se Asociacioni mund të krijohet sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës apo do të thotë, siç ka thënë herën e shkuar, se Kushtetuta nuk është bibël e mund të ndryshohet. Të shohim me kujdes si zhvillohen gjërat. Serbia ka thënë se Asociacioni duhet të formohet sipas marrëveshjes së Brukselit, e jo sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Pres presion për t’iu dhënë serbëve apo Kishës ortodokse serbe më shumë. Ideja për ndonjë statusi eksterritorial të kishave ortodokse serbe, në kuadër të asaj që disa qarqe diplomatike në Bruksel e quajnë kërkime për zgjidhje inovative”, ka thënë Palokaj.