Arbëri

Pagëzimi me emrin Shkurta, për ardhjen në jetë të një djali

Foto: Alban Bujari / KD

Është e pamundur të gjesh një Shkurtë si vajzë të vetme në familje. Shkurta gjithmonë është një vajzë që ka shumë motra. Emri i saj është ndër 100 emrat që më së shumti përdoret në Kosovë. Por, përdorimi i tij nuk lidhet me pëlqimin që kanë prindërit për të. U vendoset vajzave me një qëllim të vetëm - që pas tyre të mos lindë më edhe një vajzë.

“Të shkurtohet lindja e vajzave!”. Kjo është vetëm njëra ndër besëtytnitë në të cilat besojnë kosovarët. Përveç kësaj, ka edhe emra të tjerë, si Sose, Grishë ose pagëzimi i vajzave në emër të nënës ose të tezës, që përdoren, po me këtë logjikë. Ato thuhet se nuk kanë bazë në religjion, ndërkohë në aspektin sociologjik kjo shpjegohet si besim që gjërat dhe e ardhmja mund të përcaktohen nga emërimi i së tashmes.

Mosbesimi i të pagëzuarave

Por në shumë raste kjo besëtytni nuk ka funksionuar, e vetë vajzat që bartin emra të tillë në rrëfimet e tyre tregojnë se si fare nuk i besojnë asaj në bazë të së cilës janë pagëzuar.

Shkurta S., 25 vjeçe, e cila ka përfunduar studimet master në Universitetin e Prishtinës, thotë se emri i është vendosur në rrethana të ndryshme nga ato të ditëve të sotme dhe pikërisht me qëllimin që pas saj, që është vajza e katërt në familje, të lindte një djalë.

“Familja ime me pagëzoi me emrin Shkurte, mendoj në rrethana traditash ose besëtytnish, pasi që në vitin 1994 kur unë kam lindur besohej se pas vendosjes së emrit Shkurte në atë familje do të vinte një djalë”, ka treguar Shkurta.

Ajo tregon se emri i është vendosur për shkak të dëshirës së madhe që kishin prindërit e saj për të pasur një fëmije të gjinisë tjetër.

“Për arsye se prindërit dëshironin që të kishin edhe një djalë në familje dhe mendonin se pas meje fëmija tjetër do të ishte djalë”, ka rrëfyer Shkurta.

Ajo ka thënë se përkundër që nuk i beson besëtytnisë në bazë të së cilës i është vënë emri, atë nuk e pengon që e ka këtë emër dhe se emri i pëlqen.

“Personalisht nuk besoj në këtë besëtytni. Vendosja e emrit mendoj se nuk e përcakton gjininë e fëmijës tjetër. Mirëpo dëshira e madhe e prindërve të mi ta kenë edhe një djalë në familje i ka shtyrë të ma vendosin këtë emër dhe i ka shtyrë të mendojnë se ndoshta kjo besëtytni është diçka e vërtetë”, ka treguar Shkurta. Thotë që tani pas 25 vjetëve, prindërit nuk e besojnë më besëtytninë e dikurshme. Në këtë thotë se përveç rrethanave shoqërore ka ndikuar edhe mosfunksionimi i besëtytnisë në rastin e saj. “Unë kam qenë vajza e katërt, por edhe pas meje në familje ka lindur sërish vajzë, kjo tregon që besëtytnia nuk ka treguar efekt. Pas motrës që është pas meje, më ka lindur vëllai, tani prindërit nuk është që besojnë më në besëtytninë, bazuar në të cilën më kanë pagëzuar”, ka treguar Shkurta.

Duke u bazuar në një besëtytni të ngjashme është pagëzuar edhe Fahria, tanimë 37 vjeçe. Ajo e bart emrin e nënës së saj afër të 70-ave. Ka treguar që atë asnjëherë s’e kanë thirrur në emër.

“Nënën time e thërrasin në emër, ndërkohë mua edhe pse më kanë pagëzuar me emër të saj, asnjëherë askush në familje nuk më ka thirrur me këtë emër, të gjithë më kanë thënë Lie”, ka treguar Fahria. Me thirrjen e saj në emrin e nënës tregon se është mësuar tek pasi që është martuar. “Vetëm tek familja e burrit më thërrasin në emër”, thotë ajo.

As në rastin e saj pagëzimi nuk ka treguar efekt. Fahria, e cila është motra e tretë në familje, ka edhe një motër pas vetes.

“Sigurisht që nuk ka funksionuar, nuk është emri i fëmijës së fundit ai që përcakton gjininë e atij të radhës, por prindërit kanë besuar dhe më kanë vënë këtë emër”, ka rrëfyer ajo. Thotë që edhe dy fëmijët e saj të lindur pas luftës, e kanë problem ta kuptojnë pse ajo dhe gjyshja e tyre bartin emrin e njëjtë.

kanë qenë më të vegjël djali edhe vajza shpesh më kanë pyetur pse e kam emrin e njëjtë me të nënës, por tani më kuptojnë, thjesht emri më është vendosur duke u bazuar në një besim që e kanë dëgjuar, e në rastin tim është dëshmuar që nuk ka funksionuar”, ka treguar ajo.

Por “funksionale” është treguar besëtytnia në rastin e një Shkurte tjetër. Asaj, e cila është vajza e tretë në familje, i ka lindur një vëlla pas vetes. Por as kjo Shkurtë s’e beson që besëtytnia funksionon.

“Njoh plot raste kur besëtytnia e tillë nuk ka funksionuar, tek familja jonë ka rastisur që pas meje të lindë një djalë, por besoj që në këtë nuk ka ndikuar emri im”, është shprehur Shkurta.

Vazhdimi i besëtytnisë

Pavarësisht se “Shkurtat” nuk besojnë në këtë besëtytni, emri i tyre vazhdon të përdoret edhe në vitet e fundit. Të dhënat e Agjencisë së Regjistrimit Civil tregojnë që me emrin Shkurtë në dy vjetët e kaluar janë pagëzuar 16 vajza.

Këto të dhëna tregojnë që me emrin Shkurte/a në vitin 2018 janë pagëzuar 7 vajza, ndërkohë që në vitin 2019 me këtë emër janë pagëzuar 9 të tjera.

Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, me titull “Emrat dhe Mbiemrat në Kosovë”, i cili është publikuar në vitin 2017, emri Shkurte është ndër 100 emrat më të përdorur në Kosovë. Në listën prej 100 emrave më të përdorur të të dyja gjinive, sipas këtij raporti, emri Shkurte radhitet i 71-ti.

Derisa ende janë duke vazhduar, origjina e këtyre besëtytnive i atribuohet shoqërisë konservatore kosovare.

Sociologia Greta Avdyli ka treguar arsyet e vendosjes së këtyre emrave.

“Emra të tillë si Shkurta, Grisha, Sose, si dhe emri i nënës apo i tezes, në kulturën shqiptare janë vendosur për arsye të besimit se në bazë të këtyre emërimeve do të ndalen edhe lindjet e vajzave në familje, sidomos në rastet kur ka pasur një mori vajzash të lindura paraprakisht. Pra, në këtë rast Shkurta si një shkurtim i vazhdimit të lindjes së vajzave”, ka thënë Avdyli.

Sipas saj, emri përbën njërën prej pjesëve më të rëndësishme të identitetit dhe se pavarësisht se konsiderohet universal kulturor, ekziston një ndryshim i madh në mënyrën se si secila kulturë praktikon vënien e emrave për të porsalindurit.

“Secila kulturë tenton të mbartë historinë e saj në emrin e dhënë, p.sh; kulturat të cilat karakterizohen nga ndjenja e fortë e prejardhjes së tyre u trashëgojnë fëmijëve emra nga totemët dhe trungjet familjare të prindërve të tyre”, ka theksuar Avdyli.

Sipas saj, sociologjikisht vendosja e emrave të vajzave në rastin e Kosovës mund të shihet si një ndjenjë e fortë e kolektivitetit, përbashkësisë dhe besëtytnisë.

“Pra, përbashkësi e kolektivitet në mënyrën e organizmit të jetesës dhe vazhdimit të rendit e moskontestimit të asgjëje, dhe besëtytni në sensin e besimit se gjërat dhe e ardhmja mund të përcaktohen nga emërimi i së tashmes”, ka thënë Avdyli.

Lindja e djemve, përparësi

Sipas sociologes Greta Avdyli, emërimi i vajzave, duke u bazuar në besëtytni për ndaljen e lindjes së vajzave të mëtejme, tregon mentalitetin konservator që ekziston në Kosovë.

“Vetë emërimi i vajzave në rastin për të ndalur lindjet e tyre mund të konceptohet se vajza është konsideruar si e padëshirueshme në raport me djemtë, dhe se në fakt është djali ai i cili përbën rëndësi më të madhe pasi që i lihet edhe trashëgimia e ‘gjakut’, por edhe e pasurisë, derisa vajza shkon në fis të huaj. Ky mentalitet konservator është sinonim i shtypjes së vajzave që në lindje”, ka theksuar Avdyli.

Mirëpo, sipas saj, ky fenomen është duke u rralluar.

“Marrë në kontekstin e sotëm, ku familjet janë më të vogla në numër të anëtarëve, jetën dinamike e faktorë të tjerë, rrjedhimisht po zbehet shumë nevoja për besëtytni e emërtime të tilla”, ka thënë Avdyli. Sipas saj, planifikimi i familjes po bëhet gjithnjë e më i racionalizuar në situatat dhe kontekstet rrethanore, dhe rrjedhimisht ka thënë se edhe qiftet heqin dorë nga kjo praktikë e mëparshme duke i kushtuar një rëndësi të veçantë emërimit të anëtarëve të rinj, si djemve ashtu edhe vajzave. Kjo, sipas saj, tregon për një kthjelltësi mendimi dhe venitje të një sistemi konservator të një kohe.

Ajo ka treguar se është shumë me rëndësi se çfarë emrash përzgjedhin prindërit për fëmijët e tyre, sepse ata që në fillim të jetës së fëmijës japin një trajtë të identitetit të cilin më vonë fëmija e zhvillon përmes interaksioneve sociale.

“Emri është bazë identitare që na identifikon jo në tërësi, por sipërfaqësisht, mirëpo na ndihmon që të jemi të dallueshëm nga të tjerët”, ka thënë sociologia Avdyli.

Sipas saj, ndjenja e identitetit dhe unikes që na japin emrat është pika themelore pse ata kanë rëndësi shumë të madhe për ne si individë dhe për shoqërinë si tërësi.

“Është me rëndësi të dimë kuptimin që mbart emri ynë, të hulumtojmë për të, të dimë se kur daton gjeneza e emërtimit dhe të fokusohemi në aspektet kulturore, etimologjike, etnike, filozofike, linguistike, historike të emrit që ne mbartim”, ka theksuar Avdyli.

Fenomen që lidhet me traditën e jo me religjionin

Fenomene të tilla edhe në aspektin religjioz shihen si besëtytni dhe që nuk kanë asnjë lidhje me fenë. Dekani i Fakultetit të Studimeve Islame, Fahrush Rexhepi, i cili ndër të tjera ligjëron lëndën “Histori e religjioneve”, ka thënë se vendosja e emrave të caktuar për vajzat me qëllim që pas tyre të lindin djem është fenomen që lidhet me traditën dhe jo me fenë islame.

“Pagëzimi i vajzave me emra të ndryshëm, si Shkurte, që simbolizon ndërprerjen dhe dhënien fund të lindjes së vajzave në një familje ... apo pagëzimi i vajzës me emër të nënës, po ashtu me qëllim të ndërprerjes së lindjes së vajzave, më tepër u përket besëtytnive apo traditave dhe zakoneve të trashëguara në popullin tonë sesa që kanë ndonjë bazë apo mbështetje në burimet e fesë islame”, ka theksuar Rexhepi.

Sipas tij, paragjykimet dhe besëtytnitë e tilla nuk sjellin realitetin dhe dëshirën për të cilat këto praktikohen. Rexhepi ka thënë se te shqiptarët këto fenomene ndodhin për shkak të dëshirës që kanë familjet për lindjen e djemve për arsye se djemtë apo meshkujt, siç ka thënë ai, në të kaluarën mund të shfrytëzoheshin më shumë për punë krahu, për mbijetesë ekonomike dhe për të trashëguar breza të rinj.

“Në të kaluarën, familje e fortë apo e madhe është konsideruar ajo familje e cila ka pasur fëmijë të gjinisë mashkullore, qoftë për krah pune apo për t’u mbrojtur në rast të ndonjë konflikti me pjesëtarë të familjeve të tjera apo të fiseve të tjera”, ka treguar Rexhepi.

Sipas tij, në islam janë të ndaluar urrejtja, injorimi apo mohimi i drejtave të femrës, për të lindur dhe për të jetuar.

“Feja islame, përveçqë ndalon përbuzjen e gjinisë femërore, i jep rëndësi dhe vlerë të veçantë gjinisë femërore”, është shprehur Rexhepi.

Sipas tij, bazuar në islam, lindja e vajzave nuk duhet të konsiderohet barrë.

“Sipas thënieve profetike të hapura dhe autentike, lindja e vajzave nuk guxon të konsiderohet një barrë neveritëse dhe as nuk është një ogur i keq. Përkundrazi, sipas islamit lindja e vajzave është një bekim që duhet të falënderohet për të dhe një mëshirë që duhet të dëshirohet dhe kërkohet, sepse është një bekim i të Plotfuqishmit dhe një shpërblim që mund të fitohet edhe në këtë rast”, ka thënë Rexhepi.