Pagat e minatorëve të "Trepçës" për muajin korrik do të ekzekutohen të hënën, me ndihmën e subvencioneve të ndara për punëtorët e Ndërmarrjes "Trepça" Sh. A. nga Ministria e Ekonomisë, ka konfirmuar për KosovaPress, Enis Abdurrahmani, u.d. kryeshef ekzekutiv i "Trepçës".
Sipas tij, ndërmarrja "Trepça" në gjysmën e parë të këtij viti është ballafaquar me krizë të rënies së çmimeve të metaleve në bursë, si dhe me rënien e produktivitetit.
Por, përkundër kësaj, shtoi ai, "Trepça" i ka ekzekutuar pagat e punëtorëve në tërësi falë subvencioneve të ndara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Abdurrahmani tha se ndërmarrja gjatë muajve të kaluar i është nënshtruar ristrukturimit dhe sistematizimit në të gjitha njësitë biznesore të saj.
Ai ka përmendur edhe miratimin e rregullores për pagat, e cila kompenson punëtorët në përpjesëtim me realizimin e planit të produktivitetit, prodhimit dhe të hyrave.
“'Trepça' si shoqëri aksionare po ristrukturohet, në muajt që lëmë pas, ndërmarrja i është nënshtruar ristrukturimit dhe sistematizimit në të gjitha njësitë biznesore të saja. Rezultatet e ristrukturimit do të shihen në muajt në vijim përmes rritjes së produktivitetit dhe të hyrave financiare, si dhe reduktimit të shpenzimeve. 'Trepça' Sh.A. shpejt pritet të miratojë një rregullore të pagave, që kompenson punëtorët në përpjesëtim me realizimin e planit të produktivitetit, prodhimit dhe të hyrave. Kjo rregullore do të mundëson edhe shpërblimin e punëtorëve përmes bonuseve, në rastet kur do të tejkalohet plani i të hyrave financiare”, ka thënë Abdurrahmani.
Kryeshefi ekzekutiv ka fajësuar punëtorët të cilët për shkak se nuk kishin marrë pagat, kanë bojkotuar punën, e kështu i kanë shkaktuar ndërmarrjes humbje ditore 40 mijë euro.
“Këto dy ditë si pasojë e vonesës të ekzekutimit të pagave për punëtorët e ndërmarrjes, kemi pas bojkotim të punës nga ana e punëtorëve. Përkundër premtimit të menaxhmentit se pagat do të ekzekutohen të hënën, falë subvencione të ndara nga Ministria e Ekonomisë për punëtorët e ndërmarrjes 'Trepça' Sh.A. Kjo papërgjegjshmëri e punëtorëve e manifestuar përmes bojkotit në punë, ndërmarrjes po i shkakton humbje ditore rreth 40,000.00 euro. Menaxhmenti tashmë i ka marr të gjitha masat e nevojshme ligjore për të sanksionuar veprimet e dëmshme si rezultat i bojkotit në punë. Për bojkotin në punë është njoftuar Policia e Kosovës përmes tyre edhe prokurori i rastit. Të hënën, nga menaxhmenti i ndërmarrjes do të ndërmerren të gjitha veprimet tjera ligjore sipas ligjeve të Republikë së Kosovës. Për menaxhmentin e ndërmarrjes, bojkoti dhe sabotimi në punë është i papranueshëm, si rezultat për dëmet dhe humbjet materiale dhe financiare ndaj ndërmarrjes do të japin llogari para drejtësisë të gjithë akterët, personat fizikë apo juridikë”, potencoi Abdurrahmani.