Të ardhurat deri në pragun e pagës minimale nuk do të tatohen. Kështu kanë thënë nga Qeveria e Kosovës në një përgjigje për Kohën, derisa kanë komentuar rritjen e kësaj page. Propozimi i Qeverisë ka qenë që paga minimale të rritet në 264 euro, por përcaktimi i lartësisë së saj ende nuk ka gjetur mirëkuptim brenda Këshillit Ekonomiko-Social.
Paga minimale në Kosovë pritet të rritet ani pse propozimi i Qeverisë për pragun prej 264 eurosh nuk ka kaluar në Këshillin Ekonomiko-Social.
Por, përveç rritjes, nga Qeveria, në një përgjigje për KOHËN, kanë thënë se paga minimale, cilido që të jetë pragu i saj, do të lirohet edhe nga tatimi në të ardhura personale.
Një gjë e tillë, sipas ekzekutivit, do të rregullohet me ligj të veçantë meqë nuk është përfshirë në Projektligjin që përcakton shumën e pagës minimale, i cili ka dalë në konsultim publik që nga 1 marsi.
“Projektligji, i cili është në konsultime publike, ka për qëllim vetëm evitimin e pasigurive ligjore në lidhje me pagën minimale, prandaj edhe nuk e trajton çështjen e tatimit në të ardhura personale. Aspekti i tatimit në të ardhura personale do të adresohet me projektligj tjetër. Siç edhe jemi zotuar, të ardhurat deri në nivelin e pagës minimale nuk do të tatohen”, ka thënë Qeveria.
Aktualisht me normat tatimore në Kosovë, deri në 80 euro qytetarët nuk paguajnë tatim në të ardhurat personale.
Përjashtimi i pagës minimale nga tatimi, ka qenë zotim i kryeministrit Albin Kurti para dhe pas zgjedhjeve.
“Kemi zhvilluar një program që rrit pagën minimale dhe e ngrit pragun e pagës që nuk tatohet – sepse në Kosovë askush që punon 8 orë në ditë nuk duhet të marrë më pak se 10 euro në ditë dhe askush nuk duhet të tatohet për mbijetesë”, ishte shprehur Kurti.
Ekonomisti Erton Bega vlerëson se ky zotim i Qeverisë duhet të vihet në implementim meqë do të ketë efekte pozitive për ekonominë.
“Qeveria, zotimet të cilat i ka dhënë në fushatën parazgjedhore, duhet t’i ekzekutojë dhe për ekonominë do të ishte tepër pozitive që qytetarët me të hyra të ulëta të përjashtohen nga tatimi në mënyrë që këto mjete t’i shfrytëzonin për mbulimin e nevojave familjare dhe kjo do të ndikonte në rritjen e konsumit në treg, që është pozitive për ekonominë”, ka thënë Bega.
Sipas Begës, është gjithashtu me rëndësi që paga minimale të mos vendoset nën nivelin prej 300 eurosh.
“Paga minimale duhet të rritet dhe kjo nuk do diskutim, pasi që për 14 vjet shteti ka dështuar t’i mbrojë shtresat të cilat janë pak të paguara në Kosovë... Unë konsideroj që për ta korrigjuar këtë gabim historik, të cilin e kanë bërë të gjitha qeveritë që nga pavarësia, paga minimale nuk duhet të jetë nën 300 euro neto”, ka shtuar ai.
Paga minimale në Kosovë aktualisht është 170 euro.