Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pacolli uron Kuvajtin për Ditën Kombëtare

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka uruar përfaqësuesit e institucioneve dhe popullin e Kuvajtit në shënimin e Ditës së tyre Kombëtare, ndërkohë që është zotuar për mbajtjen e Forumit Ekonomik dhe akreditim të Ambasadorit të Republikës së Kosovës në këtë shtet brenda këtij viti.

“Përderisa Institucionet dhe populli i Juaj shënon 57-vjetorin e Ditës Kombëtare, dëshiroj që në këto momente të veçanta krenarie kombëtare për Ju dhe vendin Tuaj t’ju përcjellë urimet më të sinqerta në emër të Presidentit, Qeverisë dhe popullit të Kosovës. Që nga koha e Pavarësisë, vendi Juaj ka bërë hapa të mëdhenj në rrugën e progresit dhe prosperitetit”, thuhet në urimin e ministrit Pacolli.

Ai ka shprehur gatishmërinë për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit dy-palësh.

“Dëshiroj të ritheksoj zotimet tona të mëhershme për organizimin e Forumit Ekonomik në mes dy vendeve brenda këtij viti, nga i cili presim rritje të investimeve të Kuvajtit në Kosovë. Gjithashtu, brenda pjesës së parë të këtij viti do ta akreditojmë edhe ambasadorin tonë në Kuvajt. I falënderoj, në veçanti institucionet e shtetit të Kuvajtit për pritjen e ngrohtë dhe organizimin e shkëlqyeshëm të takimit Ministerial të Koalicionit Botëror kundër ISIS-it, i cili u mbajt gjatë këtij muaji”, ka thënë Pacolli.