Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pacolli: Ne do ta ndalim zhvatjen e Kosovës

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, u prit sot në Gjilan dhe u takua me kandidatët e ri për deputetë.

Të pranishëm ishin kryetari i degës së AKR-së në Gjilan Ismet Hajdini, gjithashtu edhe Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në fjalën e tij para qytetarëve Behgjet Pacolli tha se koalicioni mes dy partive është bashkim i natyrshëm i cili sipas tij ka origjinë të njëjtë.

“Koalicioni ynë do te krijojë mundësi punësimi dhe rritje ekonomike. Ne do të arrijmë rritje ekonomike prej 8 % qysh në dy vitet e para të qeverisjes, kjo do të krijojë rreth 70 mijë vende të reja pune”, ka theksuar, duke treguar për planet e krijimit të tri platformave agro-ekonomike.

“Do të lidhim zingjirin e bujqësisë dhe ai do të jetë pjesë përbërëse e konzorciumit të agro-platformës ekonomike, kjo është mënyrë moderne e punës”, ka treguar ai më tej.

Numri një i AKR-së ka thënë se përmes qeverisjes së koalicionit AKR-LDK, Kosova do të përfshihet në tregun global të kompanive.

“Qe tani kam filluar kontaktet me kompani globale, me tri brende të rëndësishme evropiane, brende me të cilat ne do të prodhojmë ushqim dhe do të jemi pjesë e eksportit dhe rrjedhimisht ta zvogëlojmë importin”, ka thënë Pacolli.

Një gjë tjetër që Pacolli nënvizoi është mbrojtja e mjedisit.

“E shihni sot si shkatërrohet Kosova nga uzurpatorët ilegalë. Vetëm shikoni malet tona të atakuara nga gurëthyesit të cilët e kanë shkatërruar habitatin e kafshëve në Kosovë. Nuk guxon ambienti të shkatërrohet në këtë mënyrë, na kanë kapluar mbeturinat në çdo cep” është shprehur ai.

Në fund është bërë edhe prezantimi i kandidatëve për deputetë nga radhët e koalicionit, të cilët u thirrën një nga një në skenë. Të pranishëm nga AKR-ja ishin; Amir Ahmeti, Arta Haxhaj, Islam Pacolli, Ismet Hajdini, Korab Sejdiu, Labinote Demi Murtezi, Mirlindë Gashi, Mirlindë Sopi, Myzejene Selmani, Refiqe Ternava, Sami Boroci, Vesel Makolli, Neshat Asllani, Xhevdet Krasniqi, Satmifer Kryeziu.

Pacolli tha se kjo është lista e deputetëve e cila është e përfaqësuar 45 përqind nga gratë dhe 65 përqind nga të rinjtë.

“Janë këta njerëzit që kanë kryer akademi dhe fakultete nëpër universitetet më prestigjioze. Me kuadro të tilla, ne do ta ndërrojmë strukturën e Parlamentit të Kosovës”, ka thënë për fund.