Presidenti i Aleancës Kosova e re (AKR), Behgjet Pacolli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se më 11 qershor është një mundësi e artë për ta ndryshuar Kosovën njëherë e përgjithmonë.
Pacolli, partia e të cilit lidhi koalicion parazgjedhor me subjektin politik LDK që bashkëqeverisi me vendin deri në ditën kur koalicioni u rrëzua me votë mosbesimi në Kuvend, tha se “duke zbatuar programin tonë ekonomik Kosovën do ta kthejmë në vendin që do të jetë sinonim i punës dhe mirëqenies”, raporton Koha.net.
“Nuk do të ketë më keqpërdorime të detyrës zyrtare dhe të të mirave të shtetit. Nuk do të ketë keqpërdorime, shantazhe, hajni, grabitje etj., Ato do të dënohen me ligj. Kurrë nuk do të ketë korrupsion në Kosovë! Na priftë e mbara”, ka thënë Pacolli, ndërsa postimit i ka bashkëngjitur edhe moton e partisë, #AKR për një Kosovë madhështore.