Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pacientët para sporteleve cenohen nga hajdutë xhepash

Pacientët dhe shoqëruesit e tyre që presin para sporteleve në repartet specialistike dhe para laboratorit në Spitalin Rajonal të Pejës, për të bërë pagesat për kontrolle dhe analiza e fotografime të ndryshme, duhet t’i kenë xhepat dhe çantat të sigurta.

Ndryshe nga gishtërinjtë e gjatë të hajnave që sillen gjatë ditës në këtë spital, rrezikojnë të mbesin pa para e kuleta dhe gjësende të tjera të vlefshme që mund t’i kenë më vete, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo lloj hajnie është mjaft e pranishme, sidomos orët e mëngjesit kur në këto hapësira të spitalit ka më tepër pacientë dhe familjarë të tyre që i shoqërojnë ata. Për të rritur vëmendjen dhe kujdesin e pacientëve dhe shoqëruesve të tyre nga hajnat e xhepave, në xhamat e sportelit dhe dyert e laboratorit të spitalit personeli i kishte vendosur letrat me mbishkrim “Ruani xhepat nga hajnat”.

Personeli e arsyeton këtë veprim të bërë për të mirën e pacientëve. “Këto letra i kemi vendosur që pacientët dhe shoqëruesit e tyre të kanë kujdes, sepse ka pas raste të vjedhjes së xhepave edhe këtu”, tregon laboranti V.TH. Megjithëse janë të vendosura kamerat në korridor dhe jashtë tij, hajnat si duket nuk po i trishtojnë këto masa të sigurisë.

(Më gjerësisht lexoni sot në Koha Ditore)