Arbëri

Pa shumë shpresa për Kosovën dhe zgjerimin

Portugalia nuk e ka vendosur zgjerimin e BE-së mes prioriteteve të saja. Por, sipas diplomatëve në Bruksel, ajo pritet të vazhdojë me dosjet ku ngeci Gjermania, sidomos në miratimin e kornizave negociuese për t’i nisur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Për Kosovën dhe liberalizimin e vizave, diplomatët në Bruksel janë skeptikë. Kombinimi i mungesës së rezultateve në Kosovë dhe mungesës së vullnetit në BE do të mund ta lërë në pritje liberalizimin e vizave. Eventualisht mund të lëvizë diçka në pjesën e dytë të vitit, kur Sllovenia ta marrë kryesimin e BE-së

Portugalia në ditën e parë të vitit të ri ka marrë kryesimin e Bashkimit Evropian në një gjendje e cila lë shumë hapësirë për shpresë. Të gjitha vendimet e rëndësishme për funksionimin e BE-së u morën gjatë presidencës gjermane, shumë prej tyre në ditët e fundit. BE-ja tash ka Kornizën shumëvjeçare financiare dhe Fondin për rimëkëmbje, dy mega-paketa financiare në vlerë të përbashkët prej më shumë se 1,800 miliardë eurosh. U arrit edhe marrëveshja për raportet tregtare me Britaninë e Madhe pas kalimit të fazës tranzitore të Brexitit. Krejt në fund, u arrit edhe marrëveshja e rëndësishme tregtare me Kinën.

Në këtë mënyrë, Portugalisë nuk i është lënë ndonjë detyrë e vështirë, pos që të sigurojë nisjen e duhur të zbatimit të vendimeve të miratuara në pjesën e dytë të vitit 2020, që ishte padyshim viti më i vështirë edhe për Bashkimin Evropian.

Për Portugalinë prioritet do të jetë promovimi i rimëkëmbjes së BE-së, duke nisur zbatimi i fondit “Evropa e gjeneratës së ardhshme”, që është një fond prej 750 miliardë eurosh. Pastaj zbatimi i shtyllës sociale evropiane si element kryesor për ta siguruar suksesin në transformimin klimatik dhe digjital në BE. Po ashtu, prioritet do të jetë rritja e autonomisë së BE-së, në mënyrë që të jetë më pak e varur nga pjesë të tjera të botës, sidomos në furnizim me energji, por edhe në aspektet e tjera.

Në kuadër të rritjes së rolit gjeopolitik të BE-së, këtë vit gjatë presidencës portugeze BE-ja pret edhe forcimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si me një partner të privilegjuar. Portugalia, duke shpalosur prioritetet e saja gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, ka nënvizuar edhe zbatimin e reformave të sistemit të azilit dhe migracionit, zbatimin e Marrëveshjes së gjelbër evropiane, si dhe forcimin e raporteve me Afrikën dhe me Amerikan e Jugut. Gjithsesi, BE-ja pret riforcimin e sistemit multilateral në botë.

Vërehet se në mesin e prioriteteve të cilat i ka shpallur Portugalia mungojnë Ballkani Perëndimor dhe procesi i zgjerimit të BE-së. Ndonëse ishin përmendur si prioritete në kohën kur me BE-në kryesonte Gjermania, përpjekjet përfunduan me një dështim të plotë. Asnjë vendim nuk kaloi për këtë proces dhe për këtë Gjermania ka shprehur “frustrimin e thellë”, duke ua lënë fajin shteteve që i kundërshtuan këto vendime.

Portugalia nuk e ka vendosur zgjerimin e BE-së mes prioriteteve të saja. Por, sipas diplomatëve në Bruksel, ajo pritet të vazhdojë me dosjet ku ngeci Gjermania, sidomos në miratimin e kornizave negociuese për t’i nisur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Për Kosovën dhe liberalizimin e vizave, diplomatët në Bruksel janë skeptikë. Kombinimi i mungesës së rezultateve në Kosovë dhe mungesës së vullnetit në BE do të mund ta lërë në pritje liberalizimin e vizave. Eventualisht mund të lëvizë diçka në pjesën e dytë të vitit, kur Sllovenia ta marrë kryesimin e BE-së.

Zakonisht, vendimet në Këshill nuk varen vetëm nga shteti i cili kryeson BE-në, sepse për to duhet edhe mbështetja e vendeve të tjera. Por, presidenca është ajo e cila vendos për temat të cilat do të jenë në rend dite. Sa i përket miratimit të konkluzave për zgjerim dhe vendimeve për Maqedoninë dhe Shqipërinë, ato mund të gjenden në rend dite në pranverë, por nuk mund të garantohet sukses. Viti 2021 është vit zgjedhor në disa vende të rëndësishme të BE-së, përfshirë edhe Holandën, një vend skeptik ndaj secilit hap në procesin e zgjerimit. Po ashtu, do të ketë zgjedhje edhe në Shqipëri dhe disa qarqe në BE do të duan të shohin se si shkon procesi zgjedhor para se të marrin ndonjë vendim për Shqipërinë.

Sa herë bëhet ndonjë pyetje për Kosovën, në BE përmendin vetëm procesin e dialogut me Serbinë dhe ndihmën që BE-ja do t’ia japë Kosovës për ta ndihmuar në përballjen me pandeminë, përfshirë edhe fushatën e vaksinimit kundër virusit korona. Por, liberalizimi i vizave duket sikur është temë e harruar në BE dhe ai përmendet vetëm nëse dikush pyet për këtë proces. Dhe përgjigjet gjithmonë janë sipërfaqësore, siç kanë qenë në shumë vite të mëparshme, pa dhënie të ndonjë premtimi për ndonjë afat kohor se kur do të mund të merret vendimi.

Zakonisht, vendet që kryesojnë me BE-në si prioritet vendosin edhe disa tema të cilat janë të afërta me ato vende. Kështu, Portugalia dëshiron ta kthejë fokusin nga Afrika dhe nga Amerika e Jugut. Në pjesën e dytë, kur kryesimin e radhës do ta marrë Sllovenia, ajo mund ta kthejë edhe Ballkanin Perëndimor dhe procesin e zgjerimit ndër prioritetet e veta. Diplomatët në Bruksel pohojnë se ndoshta është mirë që tash nuk ka pritje të mëdha në Ballkan dhe mund të ketë befasi në aspektin pozitiv. Më mirë sesa dëshpërimi që shprehet kur mungojnë rezultatet.