Salie Gajtani – Osmankaq nga Këshilli i Prindërve, deklaroi se mësimi duhet të nisë më 1 shtator, pasi nga situata e krijuar me grevën, nxënësit po humbin më së shumti.
Osmankaq deklaroi të mërkurën në Interaktiv të KTV-së, se mospajtimet mes Qeverisë dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës (SBASHK), po ndikojnë negativisht te procesi mësimor dhe njëkohësisht te nxënësit.
Ajo i ftoi prindërit që më 1 shtator, kur do të duhej të niste viti i ri shkollor, t’i dërgojnë fëmijët në shkolla.
“I ftojmë prindërit që të shkojnë në shkollë bashkë me fëmijët. Prindërit të jenë aty nëse mësimdhënësit janë të gatshëm të mbajnë mësim ose jo. Nuk duhet të ketë dilema nëse mësimi duhet të mbahet ose jo. I dimë qëndrimet, por jemi Këshill dhe ta luajmë rolin që na takon, rol i cili deri së voni s’ka qenë aq i zëshëm e aq i rëndësishëm. Gjerat do të ndryshojnë, nuk do të lejojmë më që fëmija të jetë në mes të arenës për shkak të mosmarrëveshjeve mes palëve”, u shpreh ajo.
Osmankaq theksoi se Qeveria dhe zyrtarë të SBASHK-ut janë takuar disa herë, por që nuk kanë arritur të merren vesh.
“Kanë pasur një takim para dy-tri javësh, marrëveshja nuk është arritur por kjo nuk do të duhej të përbënte problem për mbajtjen e procesit mësimor. Duhet të zgjidhen mosmarrëveshjet, por jo duke i përdorur nxënësit. Kërkesat mendoj se janë të arsyeshme, duhet pasur parasysh gjendjen në të cilën janë mësimdhënësit. Prandaj, pagat dhe kërkesat janë të arsyeshme, si Këshill nuk kemi asnjë dilemë për kërkesat që po i bën SBASHK-u. Kemi pakënaqësi në mënyrën se si ata i janë qasur kësaj çështjeje”, shtoi ajo.
Osmanakaq u shpreh se qëllim i Këshillit të Prindërve është mbrojtja e fëmijëve dhe fillimi i procesit mësimor.
“Asnjëherë të mos ketë ndërprerje të mësimit. Në tri vitet e fundit mësimi nuk ka filluar më 1 shtator, për shkak të pandemisë. Kësaj radhe duhet dhe do të jetë ndryshe. E themi me keqardhje dhe nuk na bënë të ndihemi mirë kur palët po marrin qëndrime ekstreme, diametralisht të kundërta. Grevistët thonë se do të qëndrojnë pafundësisht. Ne iu bëjmë thirrje të tërhiqen nga kjo, për hir të fëmijëve dhe të mirës së të këtij vendi”, deklaroi ajo, duke iu bërë thirrje komentuesve në rrjete sociale që të mos i fyejnë mësimdhënësit.
“I bëjë thirrje shikuesve të mos përgjithësojnë. Kemi mësimdhënës shumë të mirë, që edhe me këtë pagë të mos e dëmtojnë procesin. Duhet t’i themi stop përqeshjes”.