Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se krimet e luftës asnjëherë nuk vjetërsohen dhe se Kosova nuk do të ndalet së kërkuari që autorët të vihen para drejtësisë dhe që fati i intelektualit Ukshin Hoti dhe të zhdukurve të tjerë nga Krusha e Madhe, të zbardhet.
Teksa ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial të dëshmorëve dhe të martirëve në fshatin Krushë e Madhe, Osmani ka thënë se shteti nuk do të heshtë e as të dorëzohet derisa të gjejë drejtësi për jetërat e pafajshme.
“Teksa kujtojmë këtë ditë tmerri, plagët e Krushës së Madhe ende janë të hapura. Prej më tepër se 20 vjetësh fati i intelektualit Ukshin Hoti ende mbetet i pazbardhur. I tillë mbetet edhe fati i 64 banorëve të Krushës së Madhe që ende figurojnë në listat e të zhdukurve me dhunë. Krimet e luftës asnjëherë nuk vjetërsohen, njësojë sikur edhe gjenocidi që kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar. Ndaj sot e gjithnjë nuk do të ndalemi së kërkuar që autorët të vihen para drejtësisë dhe që fati i patriotit të madh, Ukshin Hoti dhe të gjithë krushianëve të tjerë të zbardhet. Asnjëherë nuk duhet të heshtim e as të dorëzohemi ngase besojmë që shpirti human i botës demokratike nuk do të heshtë në kërkim të drejtësisë për jetërat e pafajshme”, ka thënë ajo.
Osmani më tej ka thënë se ndonëse Kosova synon paqen, nuk do të ndalet së mbajturi gjallë kujtesën për krimet që ka bërë Serbia në Kosovë.
“Kosova bëri luftë të drejtë e çlirimtare, ndërsa Serbia kreu gjenocid ndaj popullit tonë. Krusha e Madhe është ndër rrëfimet më të tmerrshme të luftës sonë, por fatkeqësisht rrëfimi ende nuk ka mbaruar. Na duhet punë që krushianët dhe gjithë qytetarët e Kosovës ta gjejnë paqen. Asnjëherë nuk do ta harrojmë të kaluarën, por të përpiqemi ta transformojmë atë në mundësi për brezat e ardhshëm”, ka theksuar ajo.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, në përvjetorin e 24-të të masakrës në Krushë të Madhe ka cituar intelektualin e zhdukur gjatë luftës, Ukshin Hoti, duke thënë se liria ka çmimin e gjakut.
“Edhe lufta e popullit tonë për çlirimin e trojeve të pushtuara nga sllavët ishte e nevojshme dhe e domosdoshme, prandaj populli i përkrahu bijtë e bijat e veta pa asnjë mëdyshje, duke u ofruar mbështetje të pakursyer në të gjitha drejtimet. Kështu vepruan edhe krushianët që e mbështetën Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në të gjitha mënyrat e mundshme. Liria ka çmimin e gjakut, populli shqiptar po e paguante siç thoshte Ukshin Hoti, derdhjen e gjakut. Ishte sakrifica që duhej bërë përndryshe do të lëngonim edhe për shumë vjet në robëri”, ka thënë ai.
Latifi ka shtuar se nuk do të ndalet thirrja për drejtësinë e 241 personave të vrarë, të djegur e të zhdukur nga Krusha e Madhe.
“Duke i djegur e zhdukur gjurmët e këtij krimi makabër. Populli ynë nuk harron asgjë, metodat e vrasjes dhe zhdukjes së njerëzve tanë ishin të njohura për ne. Mbi hirin e shtëpive tona të djegura rindërtuam shtëpi të tjera. 241 të vrarë, të djegur e të zhdukur nga Krusha e Madhe vazhdojnë të thërrasin për drejtësi. Nuk është drejtësi ajo që vë në bankën e të akuzuarve ata që luftuan për lirinë e tyre dhe që amniston kriminelët e vërtetë duke bërë kompromise politike mbi fatkeqësitë e popullit shqiptar. Duam të besojmë që faktorët ndërkombëtarë do të kenë në konsideratë sakrificat tona të panumërta”, është shprehur ai.