15:00 - Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj zëvendëskryeministrit të Kosovës Enver Hoxhaj i cili ka thënë se LDK nuk ka lejuar formimin e ushtrisë.
Osmani tha se nuk ka pasur asnjë garancë se serbët do ta votojnë ushtrinë nëse iu zgjatet mandati i vendeve të rezervuara.
“Në asnjë moment nuk ka pasur garancë nga askush dhe në veçanti jo nga pakica serbe, sepse ju flisnit në emër të tyre nuk i linit ata të flisnin, se në qoftë se vazhdohen vendet e rezervuara ata do ta votonin ushtrinë. Përkundrazi ky ka qenë një kurth i ndytë, kurth në të cilin keni dashtë të na fusni neve që të votohen edhe shumë me shumë vende për pakicat se që i kanë tani dhe a e dini cili ka qenë rezultati i mundshëm me a të dalje në përqindje të serbëve që kishim në atë kohë, sot do t’i kishim grupin me të madh parlamentar. 23 i keni PDK-ja, ju mendojshit se gjithë do t’i keni 40, sot keni 23. Me atë logjikë keni menduar atëherë e jo që do ta sillnit grupet e pakicave në një grup me të madh se secili grup tjetër shqiptar. Ne si LDK mburremi, po e përsëris që e kemi thënë që nuk e pranojmë një kurth dhe skenar të tillë. E dyta asnjëherë Lista nuk ka thënë se do ta votoj ushtrinë, sa atëherë e as ta sh, mund të ketë pasur vetëm deputetë individual”, tha Osmani, raporton KP.
Deputetja Osmani ka shkuar edhe me larg, duke i thënë PDK-së, se e kanë urrejtë LDK-në edhe gjatë luftës.
“Deri me tani e ka dëshmuar se vetëm LDK-ja e ka seriozisht krijimin e ushtrisë, sepse shihni çfarë bëri Hashim Thaçi në fund të mandatit të kaluar, ju jeni në gjendje të rrezikoni dhe partneritetin, nuk i kemi vetëm për qejf, i kemi esenciale, ekzistenciale, jeni në gjendje t’i rrezikoni ato miqësi ekzistenciale për shtetin e Kosovës që kemi ndërtuar për njëzet vjet vetëm për të shpëtuar lëkuren tuaj, deri këtu jeni në gjendje të shkoni dhe vini këtu na shisni moral për kulturë politike e leksioni politike i shisni kujt, LDK-së....këtë urrejtje ndaj LDK-së ne jemi mësuar qysh prej viteve 90-ta, e keni pasur edhe gjatë luftës, ndaj formacioneve ushtarake që i kanë respektuar institucionet e udhëhequra nga Rugova, e keni urrejtje edhe sot ndaj përpjekjeve tona për të krijuar ushtrinë”, theksoi Osmani.
Edhe
Osmani: Kompromisi kërkohet për Qeverinë, Kuvendin e presidentin
Kurti ia përmend Qeverisë mosblerjen e helikopterëve
13:30 - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, teksa ka folur për dështimet e kësaj Qeverie që nga ardhja e saj, tha se ka dështuar ta pajisë me helikopter, ani pse është e mundshme, por ka munguar interesimi.
“Sa i përket ushtrisë, neni 10.2 në ligjin për FSK-në thotë se FSK është e armatosur lehtë dhe nuk do të ketë armë të rënda siç janë tanket, artileria e rëndë apo kapacitete sulmuese ajrore. Është e mundshme që FSK të ketë helikopterë, por nuk kanë qenë të interesuar për një gjë të tillë. Thuhet se FSK duhet të ketë armatim të lehtë. A e dini çka është armatimi i lehtë? Çdo armatim që nuk ka nevojë për tërheqje të motorizuar quhet armatim i lehtë. Ne nuk i kemi shfrytëzuar mundësitë që na ofron kushtetuta dhe ligji për FSK. Qeveritë që nuk i kanë shfrytëzuar mundësitë aktuale nuk janë këtu për të na i rritur ato”, tha Kurti.
Këto komente ai i ka bërë në debatin i cili po zhvillohet në Kuvend në lidhje me debatin për 100 ditëshin e Qeverisë iniciuar nga LDK-ja.
Zeka: Të bëhen publike shpenzimet për festimin e Pavarësisë
12:26 - Deputeti i Nismës Socialdemokrate Milaim Zeka ka kërkuar që të bëhen publike të gjitha shpenzimet që janë bërë për festimin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, por edhe të Epopesë së UÇK-së.
Ai tha se në këto raste më së shumti vidhet, ndërsa kritikoi mbajtjen e dy posteve nga zëvendëskryeministrat e Qeverisë.
Ai tha se po t’i mbante dy poste kryetari i tij Fatmir Limaj, do t’i kishte thënë “s’i nuk të vjen turp për këtë”.
Ai kritikoi edhe udhëtimet e zëvendësministrave nëpër shtetet e Evropës me paratë e taksapaguesve.
Zeka në fjalën e tij tha se Lista Serbe janë armiqtë më të mëdhenj të komunitetit serb në Kosovë.
Deputeti i Nismës po ashtu kritikoi edhe vazhdimin e mandatit të kryeshefit të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa.
Sipas Zekës, Mustafa ka dhënë miliona euro për portale dhe media të cilat “shajnë tërë ditën”.
Hoti: Haradinaj s’po mund të vendos asgjë pa e pyetur Vuçiqin
12:20 - Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka kritikuar kryeministrin Ramush Haradinaj se po vazhdon politikën e PDK-së sa i përket rolit të pakicave dhe Serbisë në vendimmarrje në Kosovë.
Hoti përmes një publikimi të bërë në rrjetin social Facebook ka thënë se Haradinaj tashmë nuk po mund të vendos asgjë pa e pyetur presidentin serb, Aleksandar Vucic.
Reagimi i plotë i Hotit:
Me vazhdimin e vendeve të rezervuara, PDK-ja ka synuar të krijojë situatën për ta qeverisur Kosovën vetëm me pakicat. Këtë sot po mundohet ta bëjë edhe Haradinaj. Por, po i shohim rezultatet. Asgjë nuk po mund të vendos pa e pyetur Vucic-in.
Pyeteni publikisht Slobodan Petroviqin. A kanë qenë dakord deputetët serbë dakord që në këmbim të vazhdimit të vendeve të rezervuara edhe për një mandat ta votonin ndryshimin e Kushtetutës për krijimin e Ushtrisë?
Beqiri: Respektoni LDK-në, pa ne s’ka shtet të mirëfilltë
11:45 - Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, ka deklaruar se nuk është e vërtetë që LDK e ka penguar formimin e ushtrisë së Kosovës, por ka tërhequr vërejtjen se pa këtë parti s’mund të kalojë asnjë vendim.
Edhe
Salihaj: Sa të jetë gjallë Kurti, Vjosën nuk e voton kurrë për presidente
Ai në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës theksoi se LDK po sillet si parti serioze në opozitë.
“Marr përgjegjësi publike për këtë që them, asnjëherë s’ka pasur ofertën me këmbim të vendeve të rezervuara në këmbim të ushtrisë. Kur keni nevojë për vota të LDK-së, edhe si koalicion, së paku respektojeni, pasi pa LDK-në s’mund të kalojnë vendimet dhe nuk ka shtet të mirëfilltë të Kosovës”, ka thënë Beqiri.
Ismajli i jep sqarime Konjufcës për vdekjen e pacientëve
11:21- Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, i ka dhënë sqarime akuzave të deputetit Glauk Konjufca, i cili tha se qysh në fillim të Qeverisë Haradinaj tre pacientë kanë vdekur nga neglizhenca e mjekëve.
Ismajli tha se posa ka ndodhur kjo ka ndërmarr masa edhe pse kishte vetëm dy ditë punë.
Ministri Ismajli tha kishte angazhuar edhe inspektoratin dhe të gjithë mekanizmat për t’u marr me rastin.
Konjufca: Haradinaj dallon prej Mustafës vetëm pse vrapon më shpejt
11:17 - Shefi i deputetëve të Vetëvendosjes Glauk Konjufca duke folur në debatin për punën e Qeverisë Haradinaj, tha se Qeveria e kaluar nuk dallon nga ajo e tashmja.
I vetmi dallim, sipas Konjufcës, është se për dallim nga ish-kryeministri Isa Mustafa, kryeministri i tanishëm Ramush Haradinaj vrapon më shpejt.
Sipas tij, Qeveria e tanishme i ka ditët e numëruara.
Hoti: Qeveri me premtime të mëdha e punë zero
11:10 - Kuvendi i Kosovës po vazhdon me pikën e dytë të rendit të ditës, raportimi i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj për 100 ditëshin e Qeverisë.
Kjo kërkesë është bërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës ndërsa shefi i GP Avdullah Hoti tha se koalicioni qeveritar ka filluar me premtime të mëdha por nuk ka bërë asgjë, raporton KP.
Hoti ka përmendur disa nga vendimet e “gabuara” të Qeverisë siç është shpronësimi i Hades, rritja e pagave, greva në arsim, tentimi për shfuqizim të Gjykatës Speciale, etj.
Haradinaj ofendon deputetin e LDK-së e më pas i kërkon falje
Kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, u është drejtuar deputetëve duke folur për qeverisjen e tij.
Gjatë fjalës së tij, ai iu drejtua deputetëve të LDK-së duke i akuzuar ata se e kanë penguar formimin e Ushtrisë së Kosovës.
Madje, gjatë një përplasjeje mes Haradinajt dhe deputetit të LDK-së Arben Gashi, kryeministri i tha atij se “po rren” në lidhje me debatin për formimin e Ushtrisë.
“Arben Gashi nëse jen kanë aty je ka rren sot....Rrej sa të duash është shumë që e dinë që është kështu. Je ka rren o vlla, sa po mundesh”, i tha Haradinaj Gashit.
Edhe
Vjosa Osmani “tërhiqet” pas reagimeve, e PDK-ja s’ka vija të kuqe
Gashi më pas e mori fjalën dhe i tha se fjalori i tij është për të ardhur keq, ndërsa mohoi se LDK ka qenë kundër formimit të Ushtrisë në takim me amerikanët.
Më pas, kryeministri Haradinaj u shfaq sërish në foltore dhe i kërkoi falje Gashit për gjuhën e përdorur.