Një vit e gjysmë pasi Këshilli Prokurorial e zgjodhi Blerim Isufajn për kryeprokuror të ardhshëm të shtetit, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se nuk do ta dekretojë këtë emër. Në një konferencë për media të martën, Osmani ka thënë se ka pasur “10 shkelje në procedurën e përzgjedhjes” dhe se “është e obliguar, duke pasur parasysh shkeljet, të mos e bëjë dekretimin” e Isufajt për kryeprokuror.
Ajo ka thënë se i ka dërguar të martën KPK-së vlerësimin e procedurave të ndjekura nga ky institucion një vit e gjysmë më parë në procesin e përzgjedhjes. Ka shtuar se ka vonuar në vendim për shkak të kontestimit të procesit nëpër gjykata. Por pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që e shpalli të pasafatshëm procesin e kontestimit, Osmani ka thënë se duhet të sqarohet se “asnjë gjykatë s’i ka trajtuar ankesat nga aspekti përmbajtjesor”.
Osmani ka thënë se Kryeprokurori i Shtetit si institucion ka funksionuar me ushtrues detyre.
Procesin e përzgjedhjes së Isufajt kryeprokuror, Osmani e ka cilësuar me shumë shkelje. Ka thënë se ka pasur shmangie nga kriteret ligjore, ka pasur mohim të mundësisë për mjet ankimor efektiv brenda KPK-së, ka pasur shkelje të procedurave të reputacionit profesional të kandidatëve, shkelje të procedurave të vlerësimit të integritetit të kandidatëve, vlerësimit të konceptdokumentit, cenim të barazisë e shkelje të meritokracisë.
“Përgjegjësia ime për garantimin e funksionimit kushtetues të institucioneve më obligon që ndaj një procesi të tillë që cenon rëndë parimet dhe vlerat fondamentale të Kushtetutës sonë, sikur edhe prodhon padrejtësi konkrete e diskriminim, të mos rri duarkryq. Prandaj sot e kam njoftuar KPK-në lidhur me këtë vlerësim të procedurës, që duke pasur parasysh të gjitha shkeljet e përmendura më obligon që të mos bëj dekretimin e kandidatit të propozuar për kryeprokuror”, ka thënë ajo.
Pak ditë më parë, KPK-ja njoftoi se do t’i kërkojë Osmanit me letër urgjente dekretimin e Isufajt për kryeprokuror. KOHA i ka dërguar pyetje KPK-së për vendimin e Osmanit. Sapo të marrë përgjigje, ajo do të publikohet.
Osmani ka thënë se ajo ishte kërcënuar nga zyrtarë të institucioneve të drejtësisë. Ka thënë se në një shtet demokratik zyrtarët e institucioneve të drejtësisë nuk mund të marrin vendime duke kërcënuar kreun e shtetit. Ajo ka thënë se askush nuk mund të marrë nënshkrime me presion. Osmani ka thënë se nuk mund t’i deponojë kërcënimet te personat që e kanë kërcënuar. Ka shtuar se nuk do të ndikohet nga askush dhe do të punojë vetëm me ligjet e Kushtetutës së Kosovës.
“Nga viti ‘99 jam në politikë dhe asnjëherë nuk kam dalë në publik për të treguar që jam kërcënuar. Kjo është hera e parë. Unë nuk dal dhe flas për gjëra të tilla pa dëshmi konkrete dhe pa ardhur vërtetë ato. Ato i përmenda që të jenë mesazh që kështu nuk merren vendimet”, ka thënë Osmani.
Procesi i përzgjedhjes pati nxitur reagime të shumta. Koalicioni i organizatave joqeveritare, IKD, GLPS dhe Lëvizja Fol e patën cilësuar të papranueshëm propozimin për emërimin e Isufajt kryeprokuror dhe patën propozuar përsëritje të konkursit.
Në fund të shtatorit, Gjykata Kushtetuese, si instanca më e lartë, pati vendosur që ankesa e kundërkandidatit të Isufajt, Shqipdon Fazliu, ishte e pasafatshme. Ishte ky proces gjyqësor mbi të cilin presidentja Vjosa Osmani arsyetonte mosdekretimin e Isufajt, tash e një vit që nga zgjedhja si kryeprokuror.
Isufaj jo rrallë herë ka qenë i akuzuar nga pushteti i ri. Në maj të sivjetmë, kryeministri Albin Kurti u shpreh se Isufaj” do që të bëhet kryeprokuror, përkundër vullnetit të presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit”. Deklaratën e pati dhënë në kohën e arrestimit të kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi.