Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia vazhdon që t’i shohë shtetet e Ballkanit Perëndimor si “vende të përkohshme”, teksa ka folur gjatë një interviste të enjten për gazetaren e transmetuesit amerikan CNN, Christiane Amanpour, lidhur me gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, pas pushtimit rus të Ukrainës.
“Padyshim që kjo nuk është e vërtetë. Ne jemi këtu për të mbetur, si shtete të pavarura, sovrane, vibrante dhe demokratike. Dhe ne do të mbrojmë atë që e kemi arritur dhe jemi të gatshëm që ta paguajmë çdo çmim për të mbrojtur demokracinë, si dhe shtetet e pavarura dhe sovrane që i gëzojmë sot”, ka bërë të ditur presidentja në CNN.
E pyetur nga Amanpour mbi qëndrimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, karshi Rusisë rreth luftës në Ukrainë, Osmani ka kujtuar që shteti i tij është ndër të paktët që nuk ka ndërmarrë veprime konkrete kundër shtetit të Vladimir Putinit, përveç përkrahjes së vendeve perëndimore në Kombet e Bashkuara nëpërmjet votimit të rezolutave kundër Moskës.
“Ai përherë flet, porse kurrë nuk e bën atë që e flet. Ai përnjëmend voton në favor të këtyre rezolutave në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, por kur vjen puna që të ndërmerren veprime kundër Rusisë, kundër Bjellorusisë, qoftë kundër ekonomive të tyre apo çfarëdo qoftë, ai kurrë nuk ndërmerr veprime. Në fakt, Beogradi është kryeqyteti i vetëm evropian ku janë organizuar tubimet pro-Putin, me mbështetje të plotë të Qeverisë dhe të opozitës”, ka thënë Osmani në CNN.
Presidentin serb ajo e ka cilësuar si njeri shumë të zotin në të bërit të propagandës që e mbështet Rusia dhe ka rikujtuar se Vuçiqi ka shërbyer si ministër i Propagandës në Qeverinë e Slobodan Milosheviqit.
Ajo ka theksuar se Vuçiqi gjatë dhjetë vjetëve të fundit ia ka dalë që ta thellojë bashkëpunimin ushtarak, atë ekonomik dhe politik me Rusinë deri në nivelet që nuk kanë ekzistuar kurrë më parë.
Edhe
Osmani: Nuk mund ta trajtosh Rusinë si agresor e Serbinë si partner të paqes
“Vetëm një shembull. Në vitin 2012, numri i stërvitjeve të përbashkëta ushtarake mes Rusisë e Serbisë ishte dy për një vit të tërë. Tani janë më shumë se 100 në vit. Këtyre ditëve po shohim edhe marrëveshje për furnizim me armë midis Serbisë dhe Rusisë, Serbisë dhe Kinës. Natyrisht kjo po na shqetëson të gjithëve këtu në rajon, ngase sa më shumë armë që ata blejnë, aq më shumë përpjekje destabilizuese ata ndërmarrin ndaj pjesës tjetër të Ballkanit Perëndimor”, ka theksuar presidentja Osmani.
Në vazhdim ajo ka krahasuar krimet e kryera në luftën në Ukrainë me ato që ishin kryer gjatë luftës në Kosovë.
“Shumë gjak është derdhur në rajonin tonë. Kemi humbur shumë njerëz të pafajshëm. Sot po e shënojmë 14 prillin, që është ditë kushtuar 20 mijë viktimave të përdhunimit gjatë luftës në Kosovë, të mbijetuarve të përdhunimit të kryer si mjet në kohë lufte. Dhe për këtë arsye, ajo që tani po ndodh në Ukrainë, ku po vriten fëmijët, po vriten njerëz të pafajshëm, gratë po përdhunohen si mjet lufte, përbën një rikujtues i asaj nëpër të cilën ne jemi dashur që të kalojmë. Prandaj është me rëndësi që të gjithë ne, vende të mëdha apo të vogla, të ngrihemi bashkërisht kundër kësaj tiranie dhe të shpresojmë që kur lufta të përfundojë, këta kriminelë të luftës do të përballen me drejtësinë”, ka theksuar Osmani. “Mjerisht, në pjesën tonë të botës, pra në Kosovë, në Bosnjë-Hercegovinë, ajo me të cilën jemi përballur është një politikë e mohimit të gjenocidit dhe ende nuk kemi parë drejtësi për viktimat”, ka shtuar ajo në intervistën me Amanpour.