Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani krahason krimet serbe në Kosovë me ato ruse në Ukrainë

vjosa osmani,

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, deklaroi të mërkurën për “Times Radio” se Rusia vazhdimisht ka pasur interes ta destabilizojë Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

Sipas saj, Rusia ka menduar ta arrijë këtë nëpërmjet Serbisë, që ajo e ka quajtur satelit rus.

Osmani deklaroi se Rusia u përpoq të krijojë tensione rreth kufirit me Kosovën, pastaj në Bosnjë-Hercegovinë si dhe në Mal të Zi nëpërmjet grusht-shtetit.

“Pra, janë kryesisht këto tri vende, por edhe përtej tyre, ku Rusia ka shfaqur interes të veçantë destabilizues, sepse ajo beson se nëpërmjet destabilizimit të Ballkanit Perëndimor, në fakt e destabilizon të gjithë kontinentin evropian”, tha Osmani.

Sipas saj, paqja në Evropë është e mundur vetëm kur Ballkani i Perëndimor t’i bashkohet BE-së.

“Një proces që ka ecur më ngadalë se sa shpresonim. Por, sa më ngadalë të ecë ky proces, aq më shumë lejon që ndikimi malinj rus të jetë prezent në rajonin tonë”.

Duke folur për luftimet në Ukrainë, Osmani theksoi se atë që e ka bërë ish-presidenti i Serbisë, Slobodan Milosheviq në Kosovë, po e bën sot ai rus, Vladimir Putin në Ukrainë.

Edhe Osmani: Nuk mund ta trajtosh Rusinë si agresor e Serbinë si partner të paqes Arbëri Osmani: Nuk mund ta trajtosh Rusinë si agresor e Serbinë si partner të paqes

“Si 23 vjet më parë (në Kosovë v.j.), njëjtë sot populli i Ukrainës është viktimë e krimeve të tmerrshme që përbëjnë gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në pak muaj, 13.000 civilë u vranë, mijëra gra u përdhunuan. Ne kemi numrin më të madh të fëmijëve të vrarë nga cilado prej luftërave në ish-Jugosllavi. Nëse e krahasojmë me numrin e popullatës, 80 për qind e popullit të Kosovës ishte i detyruar të largohej nga shtëpitë. Dhe mijëra mbetën të pagjetur, sepse u zhdukën me dhunë nga ushtria dhe policia serbe. Më vonë u gjetën shumë varreza masive në të gjithë Serbinë, plot me fëmijë të vegjël, gra shtatzëna dhe të moshuar ,të cilët u vranë dhe më pas u morën me kamionë-frigoriferë dhe u hodhën në shumë vende rreth e përqark Serbisë”, tha Osmani.

Ajo theksoi për mediumin britanik se ndonëse janë dënuar disa ish-politikanë e ushtarakë serbë për krimet në Kosovë, pjesa më e madh e atyre që janë përgjegjës për krimet në Kosovë “janë duke ecur lirshëm nëpër Serbi”.

Sipas Osmanit, ajo që po ndodhë në Ukrainë është shumë kritike për tërë kontinentin evropian, pas siç tha ajo, i gjithë kontinenti dhe mbarë rendi evropian është nën sulmin rus.