Ish-punëtori i Ministrisë së Financave, Valon Osmani, në një letër drejtuar deputetëve e politikanëve pas diskutimit në Kuvend për çështjen e personave me aftësi të kufizuara, ka kërkuar veprime nga ta e jo vetëm premtime.
Pas një debati të gjatë në Kuvend, në sallë ishin vetëm 30 deputetë duke pamundësuar votimin e një rezolute të iniciuar nga deputeti Fetah Rudi për çështjen e personave me aftësi të kufizuara.
Duke parë debatin, Osmani i ka ndarë në tri kategori deputetët: Ata që kishin mungesë të theksuar të njohurive lidhur me temën; ata që bënin përpjekje për të thënë gjëra të prekshme; dhe të tjerët që përpiqeshin të tregoheshin liderë.
“Meqenëse i kategorizova kështu atëherë për grupin e parë propozoj që herëve tjera para se të flasin për personat me nevoja të veçanta t'i plotësojnë njohuritë e tyre lidhur me këta persona pasi që vështirë se mund ta zgjidhësh probleme që përballen këta persona nëse nuk i njeh këto probleme. Dhe disa nga ju me muhabetet tuaja e dëshmuat këtë. Kur është fjala te muhabetet e prekshme janë të domosdoshme deri diku, dhe jo pse storiet e disa personave me nevojave të veçanta nuk janë të prekshme, por nëse qëllimi është që këta persona të konsiderohen si të barabartë atëherë është e rëndësishme të merren parasysh këshillat e propozuara grupit të parë dhe nëse vendoset të përdoret ky diskurs atëherë fillimisht tregojuni kolegëve tuaj dhe partive që i përfaqësoni sepse votimi i ligjit, buxhetit dhe mbikëqyrja e zbatueshmërisë së ligjeve varet nga ju deputetë dhe politikan të nderuar, duke mos i përjashtuar përpjekjet e shoqërisë civile për t'i identifikuar pengesat eventuale dhe avokuar drejtë përmirësimit të tyre. Dhe së fundi, lidershipi është i nevojshëm për t'i çuar këto çështje tutje, por përpjekja për lidership nuk është e vlefshme sepse e thatë edhe vetë jeni përgjegjës për ta monitoruar zbatueshmërinë e ligjeve. Si rrjedhojë, meqenëse disa prej jush jeni pjesë e Kuvendit ndër vite, paaftësia ose mos dashja për të vërejtur moszbatueshmërinë e ligjeve dhe çuar këto çështje tutje zbehë përpjekjet tuaja për lidership dhe për këtë po e jap shembullin tim specifik për përvojën e punësimit pasi u ktheva nga Amerika ku isha për studimet e masterit”, ka shkruar ai në letrën drejtuar deputetëve.
Duke kujtuar përvojën e tij personale, Osmani ka treguar se pasi ishte kthyer nga Amerika ishte punësuar në Ministrinë e Financave dhe pas disa muajsh kontrata s’i ishte vazhduar, e për këtë s’i ishte dhënë arsyetim. Më pas ai kishte dështuar të gjente vend në një organizatë joqeveritare.
“..Komisioni vlerësues erdhi në përfundim që kam mungesë të njohurive në fushën sociale dhe nuk më pranoi në punë përkundër kontributit të drejtpërdrejtë që e kam dhënë për Ligjin për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik dhe paraqitjes time në media për të avokuar për pengesa që këto kategori vazhdojnë të përballen. E-mailat e shkëmbyera me komisionin që i vlerësoj njohuritë e mia vazhdojë t'i ruaj si fakte për të ja kujtuar vetës arsyetimet e tyre kontradiktore”, ka shtuar ai.
Në fund, Osmani në letrën e tij është shprehur i gatshëm të japë kontributin për çështjen në fjalë.
“Me gjithë këto kritika që i shkrova, vëmendja ime për iniciativën, draftimin dhe zbatueshmërinë e ligjeve lidhur me këta persona nuk mungon dhe për këtë i përgëzoj të gjithë ata që kontribuan deri më sot për këto çështje dhe i mbështes të vazhdojnë kështu. Mbetëm i gatshëm ta jap kontributin kurdo që ta kem mundësinë”, ka përfunduar Osmani shkrimin në letrën e tij publike.
Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, drejtori i HANDIKOS-it, Afrim Maliqi, u ankua se personat me aftësi të kufizuara janë gjithmonë të diskriminuar në vend. madje ai u shpreh se pandemia s’ka ndikuar te ta “pasi gjithmonë kanë jetuar në izolim”. Në Express Intervistën në KTV, Maliqi deklaroi se progresi në Kosovë për këtë pjesë të shoqërisë duhet të përllogaritet vetëm me dekada dhe jo me vite.
Të nderuar deputet, politikan dhe jo vetëm, Në këtë ditë, Ditës Ndërkombëtare Të Personave me Nevoja Të Veçanta, i...
Posted by Valon Osmani on Thursday, December 3, 2020