“Plani i veprimit duhet të jetë i qartë, i thjeshtë. Nëse doni ta luftoni ndikimin rus, duhet t’i luftoni edhe mbështetësit e tyre. Pra, duhet t’i luftoni satelitët e Rusisë, ndihmësit e Rusisë dhe të mos lejoni që ta rrisin ndikimin ekonomik, ushtarak apo politik në rajonin tonë, që është pjesë e Evropës”, ka thënë presidentja Osmani. “Sa më shumë që të destabilizohet Ballkani Perëndimor, aq më shumë destabilizohet BE-ja”
Presidentja Vjosa Osmani u ka bërë apel të martën Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s që t’i luftojnë edhe mbështetësit e Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Thirrjen e ka lansuar në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni.
“Plani i veprimit duhet të jetë i qartë, i thjeshtë. Nëse doni ta luftoni ndikimin rus, duhet t’i luftoni edhe mbështetësit e tyre. Pra, duhet t’i luftoni satelitët e Rusisë, ndihmësit e Rusisë dhe të mos lejoni që ta rrisin ndikimin ekonomik, ushtarak apo politik në rajonin tonë, që është pjesë e Evropës”, ka thënë presidentja Osmani. “Sa më shumë që të destabilizohet Ballkani Perëndimor, aq më shumë destabilizohet BE-ja”.
Prishtina zyrtare vazhdimisht ka shprehur shqetësimin për ndikimin e Rusisë në rajon, nëpërmjet Serbisë dhe Republikës Serbe të Bosnjë-Hercegovinës. Mes argumenteve të përmendura është raporti politik e ushtarak Rusi-Serbi, si dhe refuzimi i Beogradit zyrtar për t’iu bashkuar Perëndimit në sanksione kundër Rusisë, si kundërpërgjigje ndaj pushtimit të Ukrainës.
Krerët shtetërorë të Kosovës kanë shtruar nevojën të martën për anëtarësim sa më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
Gjatë pjesëmarrjes në diskutime të ndara, në Slloveni e Greqi, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë thënë se deri në arritjen e integrimit në BE, Kosova do të fokusohet në Procesin e Berlinit dhe jo në nisma të tjera rajonale, sikur është “Ballkani i Hapur”, i iniciuar nga Serbia dhe i mbështetur nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Kryetarja e shtetit, në Forumin Strategjik të Bledit, ka thënë se ky proces është i vetmi që ndihmon rajonin në rrugën drejt BE-së.
“Ne kemi nevojë ta bëjmë të qartë se nismat rajonale nuk duhet të përdoren për të tërhequr dhe për të larguar perspektivën evropiane. Në Kosovë besojmë në Procesin e Berlinit, sepse besojmë se ka qenë i dizajnuar për ta përshpejtuar integrimin tonë në BE dhe jo ta ngadalësojë atë dhe ne do të punojmë në këtë drejtim”, ka thënë presidentja Osmani.
Në anën tjetër, kryeministri Kurti, gjatë diskutimit në tryezën e rrumbullakët me Qeverinë e Greqisë, ka thënë se anëtarësimi në BE nuk ka alternativë tjetër.
“Zgjidhja e Ballkanit Perëndimor është Bashkimi Evropian, por derisa të shkojmë aty, neve na nevojitet Procesi i Berlinit, një rifreskim i procesit në krye me kancelarin Scholz. Besoj se me presidentin Biden në Shtëpinë e Bardhë, në Berlin me kancelarin Scholz ne mund të krijojmë një urë transatlantike që në shekullin 21 është më i rëndësishëm sesa ka qenë”, ka thënë Kurti.
Sipas kreut të Ekzekutivit, me integrimin e Ballkanit Perëndimor përfiton edhe vetë BE-ja.
“Duke iu bashkuar BE-së, edhe BE-ja përfton nga kjo. Ballkani Perëndimor dhe BE-ja janë të rëndësishme për njëra-tjetrën. Ne konsiderojmë që Evropa është destinacioni ynë dhe ne jemi pjesë e kontinentit. Herët apo vonë do t’i plotësojmë këto procese drejt integrimit dhe do të aplikojmë për anëtarësim këtë vit”, ka bërë të ditur Kurti.
Ai ka folur edhe për liberalizimin e vizave. Ka thënë se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizim dhe se nuk është i zemëruar me BE-në për mungesën e vendimmarrjes.
“Këtë muaj ne do të shënojmë katër vjet qëkur Komisioni Evropian për herë të dytë ka rekomanduar liberalizimin e vizave, por nuk ka ndodhur. Ne kemi përmbushur kriteret që janë hap i madh për të pasur liberalizim të vizave dhe nuk ka ndodhur. Jam kritik ndaj BE-së, por asnjëherë i zemëruar apo i hidhëruar. Sepse shumë nga gjërat që janë duke ndodhur nuk janë duke ndodhur rreth kësaj çështjeje apo reflektim i një besueshmërie dhe besimi në BE apo në Ballkanin Perëndimor, por thjesht në vetëbesimin”, ka theksuar Kurti.
Në tryezë, krahas Kurtit ishte pjesëmarrës edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili edhe pse ka shprehur mbështetjen për Procesin e Berlinit, ka thënë se duhet të përkrahen të gjitha iniciativat rajonale, sikur është “Ballkani i Hapur”.
“Miku im, z. Kurti, përmendi se Procesi i Berlinit mund të jetë më i mirë dhe më produktiv. Ne presim ta shohim këtë. Kemi iniciativat rajonale. Ato janë një mekanizëm që e shtyjnë integrimin më të shpejtë në BE. Nëse e përdorim kështu, ne duhet të jemi mbështetës të kësaj. Nëse e përdorim këtë për diçka tjetër, që nuk është në agjendën e BE-së, atëherë nuk jemi në një linjë”, ka thënë Abazoviqi. “Procesi i Berlinit po, ne jemi përkrahës i Procesit të Berlinit, jemi përkrahës i “Ballkanit të Hapur”, nuk jemi anëtar, por nuk ka rëndësi, ne jemi përkrahës i çdo gjëje që na sjell së bashku në një tryezë për të diskutuar për çfarëdo çështjeje. Unë konsideroj se dialogu është mënyra se si mund të zgjidhim problemet tona”.
Presidentja Vjosa Osmani në Slloveni e kryeministri Albin Kurti në Greqi, krahas këtyre diskutimeve, të martën kanë zhvilluar edhe takime me zyrtarë të ndryshëm në shtetet respektive.
Të martën Osmani është takuar me zëvendëskryetarin e Parlamentit të Sllovenisë, Danijel Krivec dhe nënkryetarin e Këshillit Kombëtar të Sllovenisë, Matjaz Svagan. Sipas njoftimit të Zyrës së Presidentes, në takimet e ndara me ta Osmani ka folur për marrëdhëniet mes dy shteteve dhe është angazhuar që ato të thellohen më tej në të gjitha sferat, me theks të veçantë në intensifikimin e diplomacisë parlamentare.
“Presidentja Osmani në takim me zëvendëskryetarin e Parlamentit të Sllovenisë dhe nënkryetarin e Këshillit Kombëtar të Sllovenisë ka potencuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe përkrahjen e nevojshme nga Sllovenia në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Kryeministri Albin Kurti është takuar me emisarin e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach. Zhvillimet në Kosovë e në rajonin e Ballkanin Perëndimor kanë qenë temat e takimit, thuhet në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit.
Sipas njoftimit, emisari britanik është shprehur i gatshëm të ndihmojë Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë.
“Kryeministri Kurti dhe emisari Peach u dakorduan për intensifikim të përpjekjeve me qëllim të ruajtjes së stabilitetit dhe integritetit të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftim.
Kurti është takuar edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Qipros, Ioannis Kasoulides. Sipas njoftimit të Zyrës së Kurtit, në takim është diskutuar për mundësitë drejt lëvizjeve pozitive në raportet mes dy shteteve.