Arbëri

Osmanaj për draft-statutin e propozuar nga FES-i: Ka pasur tendencë të thuhet se ka qenë i porositur

Fondacioni Friedrich Ebert (FES) në Prishtinë ka prezantuar draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i hartuar nga kjo organizatë në partneritet me Institutin Evropian për Paqe.

Rene Schlee, përfaqësues i FES për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, ka thënë se ky është projekt i mbështetur në pragmatizëm politik.

Ka thënë se draft-statuti është propozim konkret duke shtuar se ka pasur debat, por pak përparim sa i përket asociacionit.

Ai ka thënë se tri objektivat e draft-statutit janë se ai është në një linjë me Kushtetutën, merren parasysh shqetësimet dhe kërkesat e komunitetit serb dhe është në linjë me marrëveshjet e Brukselit, marrëveshjen e parimeve të vitit 2013.

Egzon Osmanaj, koordinator i projektit ka thënë se një nga pikat kyçe të procesit është marrëveshja e vitit 2013.

Sipas tij, drafti ka qenë produkt i FES-it dhe Institutit Evropian për Paqe.

“Ka pasur tendenca me e ndërlidh me faktorë tjerë se ka qenë e porositur prej dikujt. Rrjedhja e drafteve ka shtuar presionin tek koleget tanë. Kemi dashur të jemi transparent dhe të hapur. Terminologjia e përdorur bazohet në kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kuadrin ligjor të saj. Që të jetë më përfshirës kemi organizuar seri të punëtorive me të cilët kemi diskutuar me ekspertë, akademikë dhe të gjitha diskutimet janë përfshi aq sa kemi pasur mundësi”, ka thënë ai.

Juristja Gjylieta Mushkolaj ka thënë se duhet qartësuar rëndësinë e themelimit të Asociacionit në komunat ku serbët janë shumicë, sikurse edhe domosdoshmëria që të qartësohet struktura, fuqia dhe që Asociacioni të jetë në përputhje me rregullat kushtetuese të Kosovës.

Po ashtu, sipas saj, Asociacioni duhet të parandalojë Beogradin që të krijojë struktura paralele.