Arbëri

​OSHP-ja në presion nga intervenimet

Konsistenca në vendimet e OSHP-së dhe krijimi i pasigurisë juridike në interpretimin e legjislacionit janë dy problemet kryesore që janë identifikuar në prokurimin publik në vitin 2017.

Kjo gjë është bërë e ditur në konferencën e fundvitit, të organizuar nga Demokracia Plus, Organi Shqyrtues i Prokurimit dhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, raporton KTV.

Kreu i OSHP-së, Blerim Dina, ka folur për presionin që po i bëhet këtij organi dhe intervistimin e shpeshtë nga ana e hetuesisë dhe prokurorisë, gjë që sipas tij, po ndikojnë direkt në marrjen e vendimeve meritore për ankesat që parashtrohen në këtë institucion.

Isuf Zejna, nga Demokracia Plus, ka thënë se gjatë monitorimit, ka ndodhur edhe ngritje e aktakuzës, gjë e cila ka zbritur numrin e anëtarëve të OSHP-së nga pesë në tre anëtarë aktiv, të cilët mund të merren me shqyrtimin e ankesave.

Sipas tij, raporti megjithatë ka reflektuar shkeljet sistematike, të cilat përsëriten nga viti në vit dhe për të cilat kërkohet një vëmendje në adresim.

Drejtori i USAID-it për Kosovën, Stephen Carpenter, ka theksuar se pavarësisht që ligjet në Kosovë janë të mira dhe në përputhje me kërkesat e BE-së për prokurim publik, zbatimi i tyre shpeshherë dështon pikërisht për faktin se disa zyrtarë ende nuk dinë t’i zbatojnë ato.

“Kemi dështime në vlerësimin e tenderëve. Për t’i adresuar këto ndjeshmëri, kemi trajnuar më shumë se 1000 zyrtarë në fusha të ndryshme. Si rezultat i këtij operacioni të madh, të gjithë zyrtarët janë të trajnuar në E-prokurorim dhe mund ta përdorin sistemin në punën e tyre të përditshme. Përmes punëtorive, ne iu kemi ndihmuar komunave. Qeveria e Kosovës e ka përkrahur E-prokurorimin. Qeveria tashmë i shpall 100% të tenderëve përmes këtij sistemi. Dhe nga janari i detyron të gjithë operatorët që kërkesat e tyre t’i parashtrojnë përmes sistemit”, ka thënë Carpenter.

OSHP-ja, gjatë periudhës janar deri më 28 dhjetor 2017, ka pranuar gjithsejtë 541 ankesa të parashtruara nga operatorët e ndryshëm ekonomik, ku prej tyre OSHP-ja ka shqyrtuar 459 ankesa, për të cilat janë nxjerrë vendime dhe u është dhënë përgjigje palëve në procedurë, me ç’rast deri 80 ankesa janë në procedim.

Demokracia Plus, me Projektin TEAM të USAID-it, ka publikuar edhe të dhëna në lidhje me punën e tyre, duke përfshirë të arriturat dhe problemet që janë shfaqur gjatë këtij viti.

Vëmendje e veçantë gjatë prezantimit i është kushtuar tranzicionit në platformën e prokurimit elektronik, e cila pritet të jetë obligative nga 1 janari 2018.