Arbëri

Opozita në Lipjan kërkon shkarkimin e dy drejtorëve me aktakuza

Zotimin e bërë gjatë fushatës zgjedhore se nuk do të mbajë drejtor me aktakuza, opozita ia ka rikujtuar Imri Ahmetit, kryetarit të Komunës së Lipjanit.

Pas aktakuzës për drejtorin e Shërbimeve Publike, Rasim Hasani, dhe atë të QKMF-së, Agim Krasniqi, opozita ka kërkuar nga Ahmeti shkarkimin e tyre.

Lidhur me aktakuzën ndaj Krasniqit, i akuzuar për cenimin e të drejtave nga marrëdhënia e punës, asamblisti i Vetëvendosjes, Shkëlzen Bislimi, ka theksuar se gjatë pandemisë është kërkuar menaxhim më i mirë e jo presion ndaj stafit mjekësor në QKMF.

Ndërkaq Ramiz Qeriqi, asamblisti i AAK-së, ka thënë se drejtorët kanë rënë viktimë duke i dëgjuar urdhrat e kryetarit Ahmeti.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Komunës së Lipjanit, Diamant Bytyqi, nuk ka pranuar të flasë rreth kësaj çështjeje me arsyetim se Ekzekutivi ende s’ka marrë ndonjë vendim pasi që kryetari Ahmeti është jashtë Komunës së Lipjanit.

Lidhur me këtë cështje, siç raportoi KOHA të martën, nuk është prononcuar as Agim Krasniqi, drjetor i QKMF-së, derisa drejtori i Shërbimeve Publike, Rasim Hasani, përmes një përgjigjeje me shkrim tha se aktakuza ndaj tij është ngritur për çështje pronësore-familjare.

Gjykata Themelore në Prishtinë përmes një përgjigjeje me shkrim i ka thënë KOHËS se aktakuzën ndaj drejtorit Krasniqi e ka pranuar në muajin mars, ndërkaq për drejtorin Hasani në muajin maj të këtij viti.