Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Opozita në Gjilan nuk përkrah propozimet për nënkryetar dhe zëvendëskryesues për komunitete

Gjilan, 20 mars - Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), në mbledhjen e sotshme, të kryesuar nga Shpresa Kurteshi-Emini, ka shqyrtuar një vistër çështjesh, ndërsa ka hequr nga rendi i ditës emërimin e nënkryetarit të Komunës, përkatësisht zgjedhjen e zëvendëskryesuesit për komunitete të Kuvendit, meqë opozita (LVV, PDK, Nisma) nuk i dha përkrahje këtij propozimi, me arsyetim se nuk përmbushën kushtet ligjore për këto dy pozita.

Nevzad Isufi (LVV), i cili është përkrahur edhe nga Riza Abdyli (PDK) e Mimoza Kadriu (Nisma), ka thënë se asnjëri komunitet në Gjilan nuk përbën të paktën 10 për qind të popullsisë që të kenë të drejtë në këto dy pozita.

Avdyl Aliu (LDK) është pajtuar për shtyrjen e këtyre dy pikave për një mbledhje tjetër, por jo edhe për heqjen e tërësishme të tyre nga rendi i ditës, duke thënë se këto dy pozita janë të ligjshme dhe të nevojshme.

Pikat tjera u miratuan pa vërejtje, përveç raportit financiar të manifestimit “Flaka e Janarit”, ku përfaqësuesi i LVV, Nevzad Isufi kërkoi që shpenzimet të specifikohen.