Deputetë të partive të opozitës kanë reaguar pasi që të mërkurën Kuvendi i Kosovës dështoi të mbante seancë në mungesë të kuorumit.
Ata për këtë e kanë fajësuar pushtetin dhe e kanë quajtur dështim të tij.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se dështimi i seancës është papërgjegjësi e shumicës.
Sipas saj, pushteti nuk po arrin që t’i kalojë një sërë ligjesh që nga viti i kaluar.
“E patë që sapo u hap seanca e sotme e rendit të ditës, është mbyllur për shkak të mungesës së deputetëve për të qenë në sallë. Natyrisht është përgjegjësi kryekëput e kësaj mazhorance e cila ndonëse ka pika të mbetura që nga viti i kaluar, nuk po arrin që t’i përfundojë seancat me raporte të cilat presin tash e tutje për t’u miratuar dhe natyrisht se përgjegjësia bie mbi këtë shumicë parlamentare, e cila nuk po arrin që t’i ketë deputetët në sallë dhe t’i sigurojë numrat për kalimin e ligjeve bazike e të mos flasë për marrëveshjet ndërkombëtare e Projektligje që prekin në thelb jetën e qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Deliu-Kodra për Ekonomia Online.
Edhe
Kryesia pa kuorum, Konjufca cakton seancën e opozita akuzon pushtetin për degradim
Ndonëse e ka pranuar se në seancë duhet të jenë edhe deputetët e opozitës, kuorumin sipas saj duhet bëjë pushteti. Deliu-Kodra ka thënë se përgjegjësia bazë bie mbi shumicën parlamentare.
“Përderisa janë katër ose pesë seanca të mbetura që i kishim në rend dite për miratim në këtë seancë, janë ligje që janë bartur që nga viti i kaluar dhe natyrisht që përgjegjësia kryesore i takon shumicës parlamentare. Edhe opozita e ka rolin e vet në këtë punë, por një shumicë parlamentare e cila i ka votat për miratimin e ligjeve dhe nuk i ka 62 deputetë në sallë dhe thërret seancë plenare për ditën e mërkurë, natyrisht që përgjegjësia bazë bie mbi këtë shumicë parlamentare, e cila nuk po arrin të jetë funksionale”, ka theksuar Deliu-Kodra.
Pas anulimit të seancës ka reaguar edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti.
Sipas tij sjellja e shumicës është joserioze.
“Sot u anulua seanca e Kuvendit të Kosovës në mungesë të kuorumit. Kjo sjellje e mazhorancës është joserioze. Ka pika në rendin e ditës që presin për muaj me radhë, përfshirë zgjedhjen e udhëheqësve dhe bordeve të institucioneve të pavarura”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Hoti: Kurti po insiston t’i fusë duart gjithkund në shërbimin publik
Ai ka fajësuar kryeministrin Albin Kurti për mungesën e drejtuesve në shumë institucione.
“Shumë institucione të pavarura dhe agjenci qeveritare kanë mbetur pa drejtues për shkak të insistimit të kryeministrit për të futur duart gjithkund në shërbimin publik”, ka shkruar Hoti.
Edhe
Pushteti e opozita fajësojnë njëra-tjetrën për mungesën e kuorumit në Kuvend
Sipas tij, aty ku Kurti nuk po ka mundësi të ndikojë, po i ndërron ligjet.
“Aty ku nuk po ka mundësi, po tenton t’i ndërroj ligjet, siç e provoi me Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe Ligjin për Këshillin e Pavarur të Shërbimit Civil. Në të dy rastet, Gjykata Kushtetuese konstatoi se ka pasur shkelje kushtetuese. Njëjtë do të ndodhë edhe me disa ligje të tjera që janë në Gjykatën Kushtetuese, përfshirë Ligjin për zyrtarët publik dhe Ligjin për kufizimin e çmimeve”, ka shkruar Hoti.