Fillimi i operimit të sistemit të baterive për ruajtjen e energjisë pritet të fillojë në vitin 2028, e ndërmarrja që do të menaxhojë me to do të funksionalizohet në fund të këtij viti. Sipas deputetit të PDK-së, Ferat Shala, kjo po bëhet për të punësuar militantë partiakë në ndërmarrje. Sistemi është mbështetur me 200 milionë dollarë nga Programi Kompakt i Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit
Vendimi i Qeverisë për themelimin e Ndërmarrjes Publike Qendrore e cila do të menaxhojë me sistemin e baterive për ruajtjen e energjisë, është kritikuar nga opozita. Krijimi i “Korporatës së Ruajtjen së Energjisë”, tre vjet para funksionalizimit të sistemit, sipas deputetit të PDK-së, Ferat Shala, do të përdoret me qëllim të punësimit të militantëve të pushteti.
“Tre vjet më herët qeveria po themelon ndërmarrje tjetër publike në esencë të pa nevojshme në këtë kohë dhe të paarsyeshme, sepse këtë punë dhe këtë rol dhe këtë funksion mund ta kryejë KOSTT-i vetë. Por ideja e kësaj ndërmarrjeje të re është vendosja e të dëgjueshmëve dhe militantëve politikë partiakë siç po vendosin me shumë ndërmarrje”, ka thënë Shala.
Sistemi akumulues i energjisë, më i madhi në Evropë për kokë banori, pritet të funksionalizohet në vitin 2028. Ai është mbështetur nga programi i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC Kosovës) dhe Kosovës pritet t’ia kursejë rreth 15 milionë euro në vit. Bateritë do të jenë me kapacitet 170 megavat dhe do të shërbejnë për ruajtjen e energjisë, duke krijuar rezerva që do të përdoren në kohën e pikut të shpenzimit.
Në Ministrisë e Ekonomisë listojnë përgjegjësitë që pritet t’i ketë Korporata për Ruajtjen e Energjisë.
“Arbitrazhi i energjisë (ruajtjen e tepricave të energjisë së natës kryesisht nga KEK, dhe përdorimin e tyre në orët e ngarkesës së lartë), e që paraqet një optimizëm shumë të dobishëm të kostove; balancimi i sistemit energjetik; ndërtimi dhe operimi i sistemit të ruajtjes së energjisë; tregtimi i energjisë së ruajtur në rajon; modelimi përmes teknologjisë informative dhe simulimi i sistemit; si dhe shërbime të tjera të rrjetit”.
Në Ministrinë e Ekonomisë kanë thënë se funksionalizimi i ndërmarrjes pritet të fillojë në fund të këtij viti. Aktualisht, sipas Ministrisë, është kontraktuar ekspertiza teknike për dizajnim dhe mbikëqyrje të sistemit të baterive. Po ashtu, lokacionet e nevojshme për sistemet e baterive janë identifikuar, si dhe janë angazhuar këshilltarët për çështje mjedisore për të kryer vlerësimet e ndikimit të tij.
Programi i MCC-së kap vlerën e 236 milionë dollarëve amerikanë, prej të cilëve 200 milionë janë grant nga SHBA-ja, 35 milionë nga Qeveria e Kosovës dhe 2 milionë dollarë janë fonde nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim (ACFD).